Mesazhet dhe telefonatat kërcënuese në telefonin e Kryeprokurorit të Republikës dyshohet se kanë ardhur nga burgu.
Pak orë pas publikimit të lajmit se Kryeprokurori Adriatik Llalla është kërcënuar dhe për këtë arsye ka larguar familjen drejt një vendi të BE-së, ku ruhet 24 orë, burime nga Ministria e Punëve të Brendshme pohojnë se për mbrojtjen e tij janë caktuar 3 grupe të gatshme.
Burime të sigurta pranë Prokurorisë se Përgjithshme pohojnë se kërcënimi ka ardhur përmes mesazhit në telefonin personal të kryeprokurorit. Gazetarja Klodiana Lala, duke cituar burime pranë Prokurorisë deklaroi se Llalla ka marrë kërcënime gjatë muajit qershor dhe flitet se mesazhi telefonik mund të ketë ardhur nga burgu.
Mesazhet kërcënuese kanë vijuar dhe më pas, përmes të cilave kryeprokurorit i është kërkuar të mos vazhdojë hetimin e disa çështjeve. Më konkretisht thuhet se i kanë kërkuar mos vijojë hetimin mbi një çështje ku të akuzuar janë një grup i strukturuar kriminal për trafik droge dhe gjobëvënie.
Pas kësaj prokurori i përgjithshëm ka larguar familjen, bashkëshorten dhe dy fëmijët jashtë shtetit ku aktualisht ato jetojnë në një vend të Bashkimit Europian.
Gazetarja Lala deklaroi se deri tani lajmi është mbajtur sekret duke patur parasysh se bëhet fjalë për një prej drejtuesve më të rëndësishëm në vend, institucioni i të cilit heton dosje të forta kriminale dhe ato që lidhen me korrupsionin.
Ajo çka kishin vënë re gazetarët ishin masat e shtuara të sigurisë si në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme ashtu dhe në banesën e zotit Llalla. Pas mbërritjes së mesazheve kërcënuese është njoftuar Ministria e Brendshme e cila ka vënë në dispozicion grupe të caktuara të gardës për ruajtjen e jetës së kryeprokurorit.
Edhe në banesën e tij ka forca të shtuara sigurie. Mësohet se kryeprokurori ka njoftuar autoritetet qeveritare, Presidentin e Republikës, Shërbimin Informativ.
Pas publikimit të lajmit në media, fillimisht në Top Channel dhe agjencinë Balkanweb reagoi Prokuroria e Përgjithshme e cila as nuk pohoi dhe as nuk mohoi kërcënimin por theksoi se prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe institucioni i Prokurorisë vijojnë normalisht aktivitetin në bazë të ligjit dhe nuk ka asnjë cenim në ecurinë e hetimeve që po zhvillohen në të gjithë strukturat e institucionit. Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen hetime për këto kërcënime në adresë të kreut të institucionit të akuzës në vend.