Nga Kasem Seferi, ekonomist
Shkenca ekonomike ka ndryshuar natyrën e metodave serioze të të studjuarit të ligjit, të të kuptuarit të institucioneve dhe rregullave ligjorë, edhe të praktikës së zbatimit të ligjit në shoqëri
Shkenca ekonomike përfshin studimin e tregjeve dhe, në shumë kuptime, sistemi ligjor nuk është gjë tjetër veçse një treg (në të cilin shteti/sundimi i ligjit) krijon të drejta dhe tituj që mund të përdoren nga palët për të lehtësuar marrëveshjet/pazarin midis tyre
Analiza ekonomike mund të bëjë shumë për të përmirësuar të kuptuarit e të veçantëve të sistemit të drejtësisë (gjykatës, prokurorë, avokatë, ekspertë, etj të përfshirë në sistemin e drejtësisë) për mënyrën se si funksionon tregu në lidhje me praktikat ligjore (por dhe pa diskutim), kjo gjë është vetëm për një përdorim të kufizuar në marrjen e vendimit në rastet e çështjeve të ndryshme gjyqësore
Aftësia për të përdorur analizën ekonomike si një mekanizëm në konceptimin e çështjeve ligjore ka ndikuar shumë aftësinë e juristësve, por kjo nuk do të thotë, kurrësesi, se arsyetimi ekonomik zevendëson arsyetimin ligjor, për arsye se analiza ligjore siguron një metodë më efiçente në vendimin e rasteve të çështjeve ligjore, në krahasim me analizën ekonomike
Çfarë është analiza ekonomike e ligjit
Përse ligji dhe shkenca ekonomike ia kanë dalë me sukses në mënyrë kaq spektakolare, veçanërisht, në SHBA, por gjithashtu gjithnjë e më shumë në vende të tjerë? Thjesht, për arsyen e vetme se njësoj si speciet, shkenca ekonomike te “ekologjia intelektuale” e ligjit gjeti një qoshe dhe e mbushi atë me shpejtësi.
Por, për të shpjeguar se cilën qoshe do të mjaftonte të konsiderohej përkufizimi klasik: “Ligji është një detyrim që mbështetet nga një ndëshkim shtetëror.”. Ja përse, shpesh, ligjbërësit bëjnë pyetjen: “Si do ta ndikojë ndëshkimi sjelljen?”. Ekonomistëve, ndëshkimet u duken njësoj si çmimet dhe sipas tyre, me hamendje, njerëzit u përgjigjen këtyre ndëshkimeve po aq sa ata u përgjigjen çmimeve; për shembull, njerëzit u përgjigjen çmimeve më të mëdha duke konsumuar më pak mallra të shtrenjtë; me hamendje, njerëzit u përgjigjen ndëshkimeve më të ashpër ligjorë duke bërë më pak veprime ndëshkuese.
Shkenca ekonomike, në mënyrë matematike, ka teori preçize (teorinë e çmimit dhe teorinë e lojës) dhe në mënyrë empirike metoda të mira (statistikën dhe ekonometrinë) për analizimin e efekteve të çmimeve të nënkuptuar që ligji ia bashkëngjit ato sjelljes. Zakonisht, shkenca ekonomike siguron një teori të sjelljes për të parashikuar se si u përgjigjen njerëzit ligjeve dhe kjo teori e tejkalon intuitën pikërisht si shkenca tejkalon të kuptuarit e zakonshëm dhe përgjigja e njerëzve është gjithnjë përkatëse/e përshtatshme me bërjen, revizionimin, dhënien fund dhe interpretimin e ligjeve; një ese e famshme e ligjit dhe shkencës ekonomike e përshkruan ligjin si një katedrale (një ndërtesë shumë e madhe, e lashtë, komplekse, e bukur, misterioze dhe e shenjtë, ku shkenca e sjelljes i ngjan llaçit ndërmjet gurëve të katedrales, që e mbështesin strukturën kudo; gjykatësve dhe zyrtarëve të tjerë u nevojitet një metodë për vlerësimin e efekteve të ligjeve mbi vlerat e rëndësishme shoqërore dhe shkenca ekonomike e siguron një metodë të tillë për efiçencën.
Midis zbatimeve më të hershme të shkencës ekonomike në politikën publike ishte përdorimi i saj për të parashikuar se kush në të vërtetë e bart barrën e tatimeve alternativë. Më shumë se sa shkencëtarët e tjerë shoqërorë, ekonomistët kuptojnë se si e ndikojnë ligjet shpërndarjen e të ardhurave përgjatë klasave dhe grupeve. Në vend të efiçencës ose shpërndarjes, njerëzit në biznes në pjesën më të madhe flasin rreth fitimit. Një punë e madhe e juristëve synon që të rrisë fitimet e bizneseve, veçanërisht, duke i ndihmuar bizneset për të bërë marrëveshje/kontrata, shmangur zëniet (mosmarrëveshjet) dhe për t’iu bindur rregullave.
Këto tre veprimtari korespondojnë me tre fusha të praktikës ligjore në bizneset e mëdha: transaksionet, mosmarrëveshjet dhe rregullat. Analiza ekonomike e ligjit bashkon dy fusha të mëdha dhe lehtëson të kuptuarit e secilës prej tyre. Ekonomistët i konceptojnë ligjet si nxitës për ndryshimin e sjelljes (çmimet e nënkuptuar) dhe si një instrument për objektivët e politikës (efiçencën dhe shpërndarjen); megjithëatë, analiza ekonomike shpesh i merr si të dhënë të tillë institucione ligjorë si pasuria dhe kontrata, që në mënyrë dramatike ndikojnë ekonominë (për shembull, mungesa e pasurisë së sigurt dhe kontratave të besueshme e ka paralizuar ekonominë e Shqipërisë).
Përmirësimi i efektivitetit të ligjit në një vend të varfër është i rëndësishëm për zhvillimin e tij ekonomik, prandaj ligji ka nevojë për shkencën ekonomike për të kuptuar pasojat e tij të sjelljes dhe shkenca ekonomike ka nevojë për ligjin për të kuptuar mbështetësit e tregjeve. Ekonomistët dhe juristët mund të mësojnë gjithashtu teknika nga njëri – tjetri; nga ekonomistët, juristët mund të mësojnë arsyetimin sasior, ndërsa nga juristët, ekonomistët mund të mësojnë për t’i bindur njerëzit (një art që juristët e praktikojnë dhe e rafinojnë vazhdimisht për arsye se juristët mund të përshkruajnë fakte dhe t’u japin atyre emra me rezonancë morale, ndërsa ekonomistët janë shumë të ngadalshëm në gjuhë.
Në qoftë se ekonomistët do të dëgjojnë se çfarë do t’u mësojë atyre ligji, ata do t’i gjejnë modelet e tyre që janë nxjerrë më afër për atë çfarë në të vëretetë kujdesen njerëzit. Pyetja: “Përse duhet studjuar shkenca ekonomike dhe ligji në Shqipëri?” ka vetëm një përgjigje, kategoritë ku shtrihet fusha e veprimit të shkencës ekonomike dhe ligjit (ose analizës ekonomike të ligjit) janë: Kodi Civil, lidhur me pronën, ku përfshihet prona intelektuale; siguracionet; dhe kontratat. Rregullimi i tregut: ku përfshihet antimonopoli; puna; tregtari dhe shoqëritë tregtare.
Tatimet dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetsore: ku përfshihen tatimet dhe taksat qendore dhe vendore; si dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore. Proçesi ligjor: ku përfshihen proçedurat që përfshin Kodin Civil dhe Penal; Kodi administrativ dhe falimentimi. Kushtetuta: ku përfshihen Kushtetuta dhe të drejtat civile dhe sistemi gjyqësor. Në kuptim të përshkrimit pararendës, roli i legjislaturës dhe i gjykatave është të mbështesin tregun e lirë, duke i lënë qeverisë të luajë vetëm një rol të kufizuar, por mjaft të rëndësishëm për të çuar përpara barazinë, rishpërndarjen e pasurisë, pushtetin dhe mbrojtjen e grupeve të veçantë nga shfrytëzimi; shkenca ekonomike ka përmirësuar të kuptuarit e sistemit të drejtësisë për mënyrën se si funksionon tregu në lidhje me praktikat ligjore; është vetëm një përdorim i kufizuar në marrjen e vendimit në rastet e çështjeve gjyqësore; ndikon aftësinë e juristëve me anë të aftësisë së përdorimit të analizës ekonomike si mekanizëm në konceptimin e çështjeve ligjore.
Adaptimi varfërisht i ligjeve ekonomikë në ekonominë e vendit në më shumë se dy dekada (që nga viti 1991), ka bërë të mundur që konflikti i pritshmërive që duhej të bashkëpunonin të ishte i vështirë me qëllim që mosmarrëveshjet të mos i kishin konsumuar burimet. Në të kundërtën, në qoftë se ligjet ekonomikë do të adaptoheshin mirë, njerëzit do të bashkëpunonin me njëri – tjetrin, do të harmonizonin pritshmëritë e tyre dhe do t’i përdornin burimet në mënyrën më të mirë dhe më krijuese.
Pra, në qoftë se institucionet publike nuk do të ishin difektoze dhe kushtet politike të paqëndrueshme, organizimet/përgatitjet kontraktore private nuk do të bëheshin me më shumë risk dhe nuk do ta ndikonin negativisht investimin privat (sikundër vihet re me gjendjen aktuale të kreditimit të ekonomisë). Përfundimisht, duke iu dhënë qytetarëve siguri dhe përfshirje më të mëdha në të ardhmen e vendit të tyre, do të zvogëlohej rreziku afatgjatë nga lëvizjet shoqërore që do të kundërshtonin legjitimitetin dhe do të kërkonin rrëzimin e qeverive; si përgjigje kundrejt zvogëlimit të këtij rreziku afatgjatë, do të nxiteshin horizonte me kohë më të gjatë për llogaritjet e investimeve në sektorin privat, përcaktues i rëndësishëm ky për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.
Shpesh, në këto dekada të fundit, janë vënë re marrëdhënie kontraktore të ndërlikuara ndërmjet kursimtarëve, prodhuesve, investitorëve dhe konsumatorëve (gjendja aktuale e ekonomisë), marrëdhënie këto që kanë nevojë për një sistem praktikash që rrisin menaxhimin e riskut; shkenca mikroekonomike lidhet me vendim – marrjen e individëve dhe grupeve të vegjël, të tillë si familjet, firmat dhe agjensitë qeveritare; pra, merret me studimin e mënyrës se si caktohen burimet e pamjaftueshme për qëllime konkurruese.
Ligji si një mjet për të nxitur efiçencën ekonomike, në kontekstin e analizës ekonomike pretendon se praktikat ligjore karakterizohen më mirë si mjete për inkurajimin në mënyrë ekonomike të marrëdhënieve efiçente shoqërore dhe, për ta kuptuar këtë pretendim, është e rëndësishme të shqyrtohen koncepte bazë të përdorura në modelet e arsyetimit ekonomik:
(i) qeniet njerëzore janë maksimizues të arsyeshëm të kënaqësive të tyre individuale dhe, në këmbim për këtë, i përgjigjen nxitësve;
(ii) maksimizuesi i arsyeshëm i kënaqësisë personale korigjon mjetet për qëllimet në mënyrën më efiçente të mundshme dhe është e rëndësishme të vërtetojë se ekonomia nuk kufizohet te analiza e çështjeve monetare, për arsye se ka gjithashtu kënaqësi monetare dhe jo monetare;
(iii) çdo kënaqësi potenciale ndërlikohet në llogaritjen e kënaqësive ekonomike dhe, prandaj, mund të investigohet sipas arsyeshmërisë ekonomike dhe mënyrës se si veprojnë të tjerët, si dhe sipas një balance kosto/përfitim dhe, normalisht, ajo çfarë synohet nëpërmjet arsyetimit ekonomik është përmirësimi i efiçencës.
Shmangia e situatave që të çojnë në dështimin e tregut tregon se një nga shembujt e dështimit të tregut është ekzistenca e monopoleve: një situatë ku një palë është në gjendje të nxjerrë më shumë fitim nga një mall se sa mund të lejojë një treg i shëndetshëm.
Në këtë kohë që po diskutohet në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë, ndoshta, do të zgjohet kureshtja e juristëve për të vlerësuar, ndër të tjera, edhe këtë disiplinë që formon ekonomistët dhe juristët në një pjesë aq shumë të populluar të globit; në Republikën e Shqipërisë vetëm në New York University Tiranë është përfshirë kjo disiplinë në programin e formimit të studentëve me dije bashkëkohore.