Home KRYESORE Shpërthen Mimoza Kociu: Zoti mos ju faltë, se e dini se c’bëni!

Shpërthen Mimoza Kociu: Zoti mos ju faltë, se e dini se c’bëni!

Nga Mimoza Kociu

Po si mund t’ua bësh edhe këtë pacientëve të Onkologjikut! Zoti mos ju faltë, se e dini se c’bëni!

Pak muaj pasi nisi punë Rilindja, u ndryshua mënyra e marrjes së ilaceve të kemioterapisë tek farmacia e spitalit. Pacienti nuk i merr më vetë (kur gjenden), sic ishte para Rilindjes, por thjesht i injektohen të përgatitura, pa pasur mundësi të shikojë vetë, se cfarë ilacesh i kalojnë në serum. (nuk duhet të jesh mjek për të lexuar kutinë e ilacit, a konstatuar dozën që të ka dhënë mjeku)

Tani shpiket një metodë e re, për të torturuar të sëmurët që duhet të bëjnë kontrolle periodike tek Onkologjiku. Pacienti duhet të vijë në Tiranë, tek Onkologjiku vetëm për të lënë një ditë e orë vizite, se teknologjia nuk ka mbërritur këtu, nuk bëjnë dot planifikim me telefon, a larg qoftë me e-mail.

Pasi i caktohet dita dhe ora, pacienti kthehet në shtëpi, në rrethin e vet, për t’u rikthyer në Tiranë tek onkologjiku ditën e caktuar të vizitës. Nëse mjeku gjatë vizitës mendon se ke nevojë për një analizë tjetër a eko, cka gjithnjë ndodh, se është pjesë e kontrollit periodik, nuk ke shanse ta bësh atë ditë.

Do shkosh prapë te sporteli të bësh planifikimin për një tjetër ditë për ekon. Pastaj kthehesh prapë në rrethin tënd, e do rikthehesh tek Onkologjiku ditën e caktuar. E meraku po aq i madh është se mos duhet ndonjë analizë tjetër, se prapë duhet të bësh planifikim, të kthehesh në rrethin tënd e të vish prapë në Tiranë….e kështu vazhdon cikli rraskapitës e antinjerëzor të cilit i nënshtrohen pacientët e onkologjikut nën kujdesin e posacëm të atyre që thonë se po bëjnë reformat e papara në këta 20 e kusur vjet!

Së pari pacientët mërziten e rruga vajtje-ardhje, tre herë në rastin më të mirë kushton. Dikush mërzitet dhe e braktis këtë proces jetik, cka “u bën punë” rilindësve, se ulen statistikat e të sëmurëve që trajtohen në Onkologjik.

Dikush tjetër, sipas mundësisë, e kryen në privat analizën a ekon e kërkuar, të paktën kursen vajtje-ardhjen e rradhës. Të tallesh kështu me dhimbjen e një sëmundje të pashërueshme, e të torturosh këtë kategori të sëmurësh që vec shpresës nuk kanë gjë tjetër? Zoti mos ju faltë, se e dini se c’bëni!

Share: