Home KRYESORE ZHVISHU!

ZHVISHU!

Nga Artan Gjyzel Hasani

ZHVISHU!
kështu qënka jeta
ëndrra
gëzime
hidhërime
urojmë për ditëlindje

Ngushëllojmë për vdekje
dhe ikim udhës që zvogëlohet
të veshur më dinjitetin superb
krenarinë idioteske
madhështinë tonë qesharake

Shpirtit i kemi vënë biberon
zemrës GPS
kokës bosh paruke
të veshur deri në fyt
me delire përjetësie milingonash të bujshme…

dhe kemi mbuluar me sukses
çdo centimetër të vetes
në mënyrë që të mos na njohë askush
të dukemi njësoj
këtej dhe matanë
nga lart e nga poshtë
nga brenda dhe jashtë
se ndryshe si do na buzëqeshin të ngjajshmit tanë?

Zhvishu, njeri, zhvishu,
dhe lëri edhe të tjerët të zhvishen
para se të t’i shqyejë maskat
tjetri që brenda teje rritet …
se vërtet dëbora flokët e vet shkul
i hedh mbi shtëpitë dhe rrugët
për të na bërë më të bardhë
por rrezja e diellit që shkrin çdo gjë
e zhvesh qytetin …

Në rrugë do shfaqen kafshë të ngordhura
me sytë hapur
dhe jo gjurmë hapash që kurrë s’i bëmë
për të mos vrarë bardhësinë e falur
e të rreme…

Zhvishu, njeri, zhvishu,
ndoshta jam qyteti yt
ku ti shëtit pa e ditur.

Nga Altin Bamllari

Artan Gjyzel Hasani është ndoshta një nga poetët më të veçantë që unë e kam zbuluar vonë. Por që atëherë, kur hap të lexoj diçka prej tij, më vjen ndër mend Niçja kur thoshte që karakteri i një burri matet në përballjen e tij me të vërtetën. Më vjen keq që njerëz të tillë as që begenisen nga media, e cila në vend të tyre bën simbole personazhe vanitozë e pa kurrfarë vlere, që në vend të frymëzimit stimulojnë apatinë dhe neverinë.

Foto eshte pikture e Meri File

Share: