Home KRYESORE Ku gaboi Rama në Beograd

Ku gaboi Rama në Beograd

Nga Enver Robeli

Çfarë fundjave! Duket se analistët, por edhe banalistët dhe kalemxhinjtë e Tiranës dhe Prishtinës nuk dolën as në mal, as në fushë, as në plazh për t’u shplodhur që nga e premtja. Mbetën të ngjitur për tastiera duke ofenduar njëri-tjetrin. Ndonëse askush gjatë kësaj fundjave nuk e përmendi temën tashmë famoze të «kombit kosovar», nga Tirana u hodhën në kundërsulm disa marinarë moçalesh për të shitur mend me okë në pazarin e madh të zhurmës shqiptare. Njëri prej tyre ua bëri shqiptarëve të Kosovës një pyetje heroike: a jeni me Cecën apo me Nënë Terezën? Në mendjen e tij Nëna Terezë është pronë e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës duhet të deklarohen: a janë me ish-nusen e Arkanit apo me humanisten dhe nobelisten e lindur në Shkup, por me origjinë nga Prizreni?

Nëna Terezë ka vizituar disa herë Kosovën në vitet ’70 dhe ’80. Pas marrjes së çmimit Nobel për Paqe vetë lideri i atëherëshëm i Kosovës, Fadil Hoxha, i kishte dhënë urdhër Bahri Oruçit, kryeministrit të Kosovës mes viteve 1978-1980, që Nëna Terezë të pritet me të gjitha nderimet e mundshme zyrtare. Vizita në Kosovë e Nënë Terezës është e dokumentuar edhe në shtypin e kohës, sidomos në gazetën «Rilindja». Në Shqipëri asaj iu ndalua hyrja me dekada dhe kur u lejua të vizitojë Tiranën në fund të viteve ’80, ajo qe e detyruar të pranojë një kusht të regjimit komunist që po jepte shpirt: krahas vizitës së varrit të së ëmës dhe motrës Gonxhe Bojaxhiu duhej të vendoste lule edhe mbi varrin e kriminelit Enver Hoxha. Ajo e bëri këtë. Kur Tirana mori vendim që aeroportin e saj ta quajë «Nëna Terezë» asnjë shqiptar nga Shkupi apo nga Prishtina nuk pretendoi se ajo «na takon vetëm neve». Rrjedhimisht, dilema se a je me Cecën a me Nënën Terezë është vetëm spekulim dashakeqës i ndonjë (sh)kruesi nga Tirana.

Sa i përket muzikës turbo-folk të Serbisë nuk është e dobishme asnjë polemikë. Në vitet ’90 kjo muzikë ka qenë mjaft e popullarizuar në Shqipëri. Shqiptarëve të Kosovës turbo-folku serb shpesh ua ka vrarë veshin në baret e Shqipërisë londineze dhe për këtë edhe janë fjalosur me shqiptarët e Shqipërisë. Kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje të pakëndshme në Pogradec në pranverën e vitit 2001: ndërsa në Batajnicë afër Beogradit ishte zbuluar një varrezë masive me gati një mijë kufoma të shqiptarëve të Kosovës, të cilat forcat serbe, për të fshehur gjurmët e krimeve, i kishin transportuar në Serbi në vitin 1999, bashkë me nja 10 gazetarë zviceranë zumë vend në një restorant buzë liqenit të Ohrit. Nga të gjitha anët e lokalit jehonte muzika e Dragana Mirkoviqit, një yll i turbo-folkut serb. U ndjeva keq dhe këtë e vërejti Edmondi, një burrë shumë i mirë nga Tirana, i cili na shërbente si shofer.

Duke qenë se Edmondi kishte punuar shofer në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, ai njihte shqiptarë të Kosovës, dinte diçka për historinë dhe plagët e freskëta të luftës, andaj papritmas i kërkoi pronares së lokalit ta ndalë atë muzikë, sidomos tani kur të gjitha televizionet e botës emitonin pamje të rënda të kufomave të shqiptarëve në Batajnicë. Për fat të keq nuk arritëm ta bindim pronaren ta ndalë muzikën. «Çfarë të keqe ka, muzikë është kjo! Ne e dëgjojmë dhe na pëlqen». Peshkun e hëngrëm, ishte i mirë, dhe vazhduam rrugën për Maqedoni. Secili shqiptar i Kosovës dhe Maqedonisë mund të tregojë këso historish. Një ish-kryeministër i Kosovës tregonte se gjatë një bisede me një politikan dhe shkrimtar shqiptar në fillim të viteve ’90, në zyrë kishte rënë zilja e telefonit. «Më merr më vonë në telefon se kam ca të huaj këtu», ishte përgjigjur politikani i Tiranës në receptor dhe «të huajt» nga Prishtina kishin mbetur gojëhapur.

Polemikat e fundit mediale shpërthyen pas vizitës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd dhe Nish. Kishte disa reagime histerike nga Kosova që bënin thirrje që Rama të mos flasë «në emër të Kosovës». Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu shqetësimin e tij, duke theksuar se Shqipëria nuk është akter global, andaj Kosova në këtë proces të vështirë të shkëputjes definitive nga Serbia do të kërkojë përkrahje nga akterët globalë, siç janë SHBA-të dhe BE. Askund, ama bash askund Hoxhaj nuk ka thënë «nuk na duhet ndihma e Shqipërisë», siç gënjyen portalet e shumta dhe tërësisht të papërgjegjshme në këtë anë dhe në anën tjetër të Drinit.

Edi Rama ka të drejtë të flasë (edhe) për Kosovën. Deklarata e tij për Trepçën në Beograd ishte plotësisht në rregull, e tha atë që po e thonë edhe publicistët e pavarur serbë: Trepça është në Kosovë dhe pronare e saj është Kosova. Po ashtu Rama kërkoi njohjen e Kosovës nga Serbia. Këtë kërkesë ai e kishte bërë edhe në nëntor 2014 gjatë vizitës në Beograd dhe atëbotë shqiptarët e Kosovës kishin vërshuar rrugët me daulle për ta pritur heroin e ri, ndonëse kjo deklaratë nuk ishte ndonjë akt i madh patriotik. Por shqiptarët kudo – si këndej, si andej Drinit – janë milet që gufon si tambli mbi zjarr. Për pesë minuta të shpallin hero, për pesë minuta të varrosin në plehun e historisë si tradhtar.

Shqipëria është vend i lirë dhe i pavarur dhe mund të ndërtojë marrëdhënie me çdo shtet sipas interesave të veta. Këtu hyn edhe Serbia. Por, shqiptarët e Kosovës kanë gjithsesi të drejtë të jenë kritik edhe ndaj Tiranës kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë – dhe këtë shqiptarët e Kosovës e bëjnë dhe do ta bëjnë për shkak të përvojës shpeshherë të hidhur me disa politikanë të Tiranës. Në Nish është folur edhe për ndërtimin e autostradës Nish-Durrës, siç po i referohen politikanët serbë për të shmangur përmendjen e Kosovës. Duhet të jetë shumë e qartë edhe për Edi Ramën se këtë projekt nuk mund ta realizojë pa miratimin e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa kryeministri serb Aleksandër Vuçiq në Nish thoshte se «kur ta ndërtojmë atë autostradë nga Beogradi në Tiranë dhe Durrës do të arrihet për 4 orë e gjysmë, andaj po ju pyes, të nderuar sipërmarrës serbë, cilin port do ta keni më afër, përse të mos e shfrytëzojmë këtë dhe të bëjmë diçka për veten dhe vendin tonë», Edi Rama nuk reagoi. Heshtje të tilla ngjallin zemërim në Prishtinë, që shpesh kulmojnë në teori komploti se «Beogradi dhe Tirana pas shpinës së shqiptarëve të Kosovës po bëjnë pazare për fatin e Republikës së Kosovës». Që Serbia do të dëshironte të fliste me Tiranën për të ndarë Kosovën, ky tashmë është qëndrim publik dhe dëshirë e politikanëve të Beogradit. Që kjo s’mund të bëhet pa e marrë mendimin e dy milionë shqiptarëve të Kosovës, duhet të jetë po ashtu e qartë – si në Beograd, ashtu edhe në Tiranë.

Tani për tani duket se kryeministri i Serbisë po mendon ta ndërtojë një autostradë mbi territorin e Republikës së Kosovës, diku në qiell, rrjedhimisht në Forumin e Nishit për Biznes në planet për «autostradën nga Beogradi në Tiranë» Kosova nuk ekziston fare. Por pa Kosovën kjo autostradë nuk rregullohet, përpos nëse shtrohet në qiell. Edhe nëse shtrohet një ditë në tokë, as nga Beogradi, as nga Nishi nuk do të arrihet për 4 orë në Durrës, siç mendon Vuçiqi, njohuritë gjeografike të të cilit duket të jenë tejet modeste. Nëse njohuritë gjeografike të Vuçiqit janë modeste, njohuritë e Ramës për historinë janë qesharake. Në vend se të citonte Bogdan Bogdanoviqin, Mirko Kovaçin, Danilo Kishin, Dimitrije Tucoviqin, Kosta Novakoviqin, Rama citoi Ivo Andriqin.

Si një çun i kompleksuar dhe i socializuar brenda nomenklaturës komuniste të Tiranës, e cila shpesh ka qenë inferiore ndaj Beogradit, Rama iu referua Andriqit, i cili në elaboratin e tij për Shqipërinë më 1939 ka shkruar: «Marrja e Shkodrës në këtë rast do të ishte me rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte kryerjen e punëve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për të ushqyer Malin e Zi. Shqipëria veriore në kuadër të Jugosllavisë do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë veriore dhe jugore me Adriatikun. (…) Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në situatën e re do të asimilohej më lehtë. Ne eventualisht do të kishim nja 200 mijë deri 300 mijë shqiptarë më shumë, por shumica e tyre janë katolikë dhe raporti i tyre me shqiptarët myslimanë kurrë nuk ka qenë i mirë. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi gjithashtu do të kryhej në rrethana të reja, sepse nuk do të kishte kurrfarë aksioni të fuqishëm për të penguar këtë».

Andriqi pa dyshim është shkrimtar i madh, por Rama nuk ishte në seminar të letërsisë në Serbi, por përfaqësoi vendin e tij si kryeministër, andaj s’kishte asnjë nevojë t’i bënte temena një shkrimtari që ka propozuar jo vetëm asimilimin e shqiptarëve të Kosovës, por edhe pushtimin e Shkodrës. Një kryeministër që citon një diplomat jugosllav si Andriqi, i cili kërkonte copëtimin e Shqipërisë dhe asimilimin e shqiptarëve të Kosovës, tregon se nuk merr vesh gjë as nga historia, as nga politika.

Reagimet në Kosovë kundër gafeve të tilla të Ramës burojnë edhe nga përvoja historike. Pa hyrë thellë në histori ku do të mund të përmendeshin vrasjet e shumë patriotëve shqiptarë të Kosovës nga regjimi i Zogut dhe lojërat ideologjike të Enver Hoxhës, po ndalemi në historinë më të re. Në vitet ’90 Sali Berisha u përpoq t’i bind politikanët e Kosovës t’i bashkohen «lëvizjes demokratike në Serbi» për të larguar vëmendjen nga kriza e piramidave financiare që i kanosej. Sipas tij për Kosovën mjaftonte një zgjidhje brenda kornizave demokratike të Jugosllavisë. Më parë, më 1994, ai kishte keqpërdorur Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin në fushatën e referendumit për Kushtetutën e re të Shqipërisë. Referendumi dështoi dhe Rugova dhe Demaçi e kuptuan me vonesë se ishin përdorur për betejat e brendshme politike në Tiranë. Raportet e tyre me Berishën u ftohën dhe Berisha udhëtoi për herë të parë në Kosovë tek më 2006 për të marrë pjesë në varrimin e Ibrahim Rugovës. Kur konflikti në Kosovë po eskalonte kryeministri Fatos Nano i tha revistës gjermane «Der Spiegel» se ideja e pavarësisë së Kosovës ishte e demoduar, e papështatshme për Europën e bashkuar, andaj për këtë punë do të fliste me Rugovën. Për takimin e Nanos me Slobodan Millosheviqin në Kretë më 1997 në Kosovë ende qarkullojnë teori të ndryshme komploti. Kjo edhe për shkak se atëbotë nuk kishte një konsultim serioz me politikanët e Kosovës para takimit. Janë edhe disa plagë të tjera që ende nuk janë shëruar, siç janë disa vrasje të pasqaruara të shqiptarëve të Kosovës para dhe gjatë luftës. Vrasjet kanë ndodhur në territorin e Shqipërisë dhe autoritetet e atjeshme duhet të ndihmojnë në zbulmin e vrasësve.

Të gjitha këto ngjarje të rënda, për të cilat shumica e publicistëve të Tiranës heshtin, ndikojnë që të ketë një skepticizëm në Kosovë ndaj vizitës së Edi Ramës në Serbi dhe citatologjisë së tij. Tani që Kosova dhe Shqipëria janë të lira, është tepër lehtë tëmanipulohet me patriotizëm, të citohet një nen i Kushtetutës së Shqipërisë i cili e obligon çdo politikan të Shqipërisë të kujdeset për «shqiptarët jashtë atdheut».

Ku ishte ky nen kur Kosovës i kanosej shfarosja? Dhe ku ishin ata që sot e kanë gojën plot me patriotizëm në vitet ’90? Atëherë në fletushkat e Tiranës propozohej ndarja e Kosovës (40 për qind serbëve, 60 për qind shqiptarëve). Duke qenë të traumatizuar me (sh)krimet e tyre të viteve ’90, sot jo pak kalemxhinj të Bllokut duan të hiqen si superpatriotë duke akuzuar shqiptarët e Kosovës për mungesë patriotizmi. Për fat të mirë të tillët s’merren seriozisht – madje as në Tiranë. Shqipëria është shumë më e madhe se një grusht poterexhinjsh andej, por edhe këndej Drinit./DialogPlus/

Share: