Home KRYESORE Erion Veliaj: Sharra s’ka lidhje me Gërdecin

Erion Veliaj: Sharra s’ka lidhje me Gërdecin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka shpjeguar per Top Story ngjarjen e ndodhur në Landfillin e Sharrës, ku humbi jetën aksidentalisht 17 vjeçari Ardit Gjoklaj.

Veliaj tha se është jashtëzakonisht i keqardhur për atë që ka ndodhur, por ai ftoi që të pritet që prokuroria të përfundojë hetimin zyrtar.

“Në fillim të gushtit kemi patur një njoftim nga policia, jo për zonën ku bëhet ndarja e plehrave, por në mes të landfillit. Landfillin e Sharrës, në ndryshim nga Gërdeci, unë e gjeta aty dhe më rezulton që të paktën që nga vitet 70-80, ka qenë aty. Bëhet fjalë për një territor që është disa hektarë dhe një landfill që duhej të ishte mbyllur në vitin 2011. Në këtë vit, Sali Berisha e kishte mendjen sesi të vidhte zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës dhe jo si të bënte punë. Pra landfilli i Sharrës duhej të kishte 5 vite i mbyllur sepse ka tejkaluar kapacitetet dhe Tirana nuk ka një landfill të ri. Kjo është arsyeja se përse unë kam qenë publikisht në nëntor të vitit të kaluar, kur ricikluesit protestonin para Bashkisë së Tiranës dhe kam dalë publikisht e kam thënë që kushdo le ta bëjë këtë në Sharrë, por jo në rrugët e Tiranës, le të vijë e të bëjë marrëveshje me Bashkinë sepse çdo plehrë që hiqet nga Sharra është një terren i fituar”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj tha se ajo që ka ndodhur është e dhimbshme dhe pronari i kompanisë që akuzohet për këtë është në kërkim, por nuk komentoi faktin qe ai eshte pare ne aktivitete politike te partise se tij.

Kryebashkiaku tha se nga të dhënat e deritanishme dihet që ngjarja ka ndodhur jashtë pjesës ku seleksionohen mbetjet.

“Ajo që dimë deri më tani nga njoftimi i policisë është që nuk ka ndodhur në pjesën ku bëhet ndarja e mbetjeve. Ne presim që të marrim vesh nëse ka ndodhur vërtet aty, apo ka ndodhur në një vend tjetër më përpara”, tha Veliaj duke shtuar se ka zgjedhur të heshtë për rastin në fjalë për të pritur rezultatin e hetimeve nga organet kompetente.

Share: