Hipoteka nis verifikimin e pasurive të paluajtshme për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në vend, ndërkohë që këta të fundit kanë afat të bëjnë deklarimet përkatëse deri më 7 nëntor. Përshpejtimi i procesit të vlerësimit të pasurive të paluajtshme për kupolën e drejtësisë kërkon të shmangë ndryshimet e pronësisë që mund të bëhen nga gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe të mos vonojë procesin e Vettingut.
Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka nisur verifikimin mbi pasuritë e 775 gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që këta të fundit po vijojnë me deklarimin e pasurisë së paluajtshme. Blitz.al disponon listën paraprake të ndarë në katër pjesë me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që tashmë janë në sitën e kontrolleve nga hipoteka.
Ndonëse ky kontroll duhej të niste kur të përfundonte deklarimi i tyre, zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka përshpejtuar procedurat në mënyrë që procesi të mos tejzgjatet dhe të përfundojë sa më shpejt. Gjithashtu synohet që të shmangen ndryshimet e pronësisë nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në këto lista janë të përfshirë edhe emrat e familjarëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që të vlerësohet se sa prona zotërojnë njerëzit e drejtësisë në emër të familjarëve të tyre. Lista përfshin të gjithë kupolën e drejtësisë: kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe familja e tij, krerët e gjykatave të mëdha, si Sandër Simoni, Xhezair Zaganjori, Gerti Hoxha, anëtarët e KLD-së, si dhe familjen e ish-guvernatorit Ardian Fullani, pasi bashkëshortja e tij, Arjana Fullani, është anëtare e Gjykatës së Lartë. Në fund të verifikimit, hipoteka do të dalë me një regjistër të plotë të pronave të gjyqtarëve dhe prokurorëve./Blitz.al/
Sqarim: Në këtë listë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për verifikim janë me numra rendorë përpara. Kliko ketu per listen e plote ne Dita.al