Home KRYESORE Korça si “loder rilindase” për t’u argëtuar kryeministri!

Korça si “loder rilindase” për t’u argëtuar kryeministri!

Nga Sorina Koti

Të flasësh dhe të punosh për identitetin dhe shpirtin e një qyteti, duhet ta duash dhe të jesh pjesë organike e çdo detaji të tij.

Por, edhe nëse nuk je, nuk ke pasur fatin të jesh, duhet ta respektosh atë çfarë qyteti dhe njerëzit e tij kanë krijuar në breza.

Pushtetarët lokalë ose qëndrorë janë të detyruar të nxjerrin në pah vlerat dhe historinë e qytetit dhe qytetarisë, janë të detyruar ta promovojnë dhe zhvillojnë atë.

Për fat të keq, kjo gjë nuk po ndodh, madje po tentohet që nën logon e “Rilindjes Urbane” të humbë identiteti i qyteteve tona.

Qytetet po shihen dhe trajtohen si gurët e shahut mbi një sfond bardhë e zi në lojrat e Qeverisë. Më e rrezikshme loja e qeverisë bëhet kur prek edhe historinë e qyteteve, që në thelb është historia e komuniteteve që e kanë jetuar dhe jetojnë atë.

Një qytet pa identitet, pa histori është lehtësisht i manipulueshëm, i bie pritshmëria dhe kërkesa për zhvillim.

Rasti i Korçës është shembulli më i mire, që provon se ajo që pretendohet si “rilindje urbane” dhe si “kthim në identitet” nuk është gjë tjetër veç se zhbërje e identitetit.

Eshtë ndërhyrje arrogante për të lënë në qytetet gjurmën e kapriçiove të Kryeministrit. Eshtë fatkeqësi kur konstaton se qeveritarët mendojnë se historia fillon me ata, me ditën kur ata zunë disa karrige zyrash, por është edhe më keq kur këtë synojnë ta stampojnë dhunshëm edhe mbi fytyrat e qyteteve.

Korça, ndoshta qendra më e organizuar urbane që shqiptarët kanë krijuar dhe trashëguar, po provon mbi kurriz arrogancën e pushtetarëve të sotëm qendror dhe lokal.

Korça, qytet me traditë të shkëlqyer të qytetarisë në rradhë të parë, me traditë ta pasur arsimore, kulturore, historike e patriotike, po pëson sot ndryshime, që burojnë nga vrullet e verbëra e te pakontrolluara të Kryeministrit dhe që zbatohen nga yesmen-ët lokalë që kapardisen me veshje pushteti.

Edhe pse është e qartë për çdo korçar, që janë vetëm një dekor butaforik i Kryeministrit, i cili u jep në shkëmbim vetëm lirinë të përfitojnë nga paratë publike.

Në Korçë po bëhen ndërhyrje rilindiste në urbanistikën e qytetit vetëm që Kryeministri të ketë një lodër më shumë për t’u argëtuar dhe për të shfryrë komplekset e tij, si dhe që bashkëpunëtorët dhe klientela e tij të kenë ca miliona më shumë nga tenderat.

Kështu, fakti që në Shqipëri është krijuar diçka e bukur si Korça, diçka e bukur që nuk ka mundur ta zhbëjë dot as komunizmi dhe as zulma e tranzicionit, e nervozon Kryeministrin.

Ai nuk e pranon dot që një gjë e bukur si Korça është krijuar pa pasur asgjë nga ai. Pasi me dorën e tij arrogante po projekton “rilindjen urbane” të qyteteve tipike të socializmit. Edi Rama duket që nuk duron dot që batërdisë mbi Vlorën apo Durrësin t’i shpëtonte Korça.

Do me çdo kusht t’i lërë edhe Korçës gjurmën e tij. Pasi nguli në zemër të qytetit një kullë tërësisht pa vlerë e pa shije, pasi e shndërroi pazarin në një butafori tërësisht pa jetë, pasi i ngushtoi rrugët e qytetit dhe e bëri lëmsh trafikun, tani kërkon të mbyllë dhe Bibliotekën e qytetit dhe ta kthejë në zyra për administratën e bashkisë.

Në vend që të investonin për ta pasuruar dhe shfrytëzuar sa më mire atë objekt, për ta bërë një referencë të jetës shpirtërore e kulturore të qytetit dhe qytetarëve, Kryeministri dhe sejmenët e tij lokal e përdorin për të zgjeruar kolltukët e zyrve të tyre. Si mund të ndodh kjo?

A thua se njerëzit kanë më shumë nevojë për komoditetin e zyrtarëve se sa për mjedise kulturor. Si mund që një nga ndërtesat më përfaqësuese, mbartëse e historisë së Korçës, t’u merret qytetarëve dhe t’u jepet pushtetarëve?

Nuk dua të flas për vlerat e ndërtesës si arkitekturë, por si një pronë që u ishte lënë qytetarëve. Kjo ndërtesë qendron mbi një vend të bekuar për qytetarët, qendron mbi themelet e Kishës së Shën Gjergjit. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Shën Gjergji është shenjti protektor i qytetit dhe për korçarët orthodoksë kjo Kishë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk është rastësi që emri Gjergji është më i përhapuri në Korçë, madje pa dallim përkatësie fetare. Ka qenë Kisha më përfaqësuese dhe me më shumë histori.

Këtu, në Dhjetor 1923, është dorëzuar Peshkop Imzot Fan Noli. Kisha orthodokse dhe besimtarët e kishin pranuar si një fakt të kryer ekzistencën e Bibiotekës në vendin e Shën Gjergjit dhe nuk pretenduan khimin e pronës, që më shumë se si e tillë kishte vlerën e pamatë shpirtërore për ata.

Shto këtu edhe faktin që Biblioteka është, në fund të fundit, një plotësuese e misionit social të Kishës. Për të gjitha këto, Kisha, besimtarët dhe mbarë qytetaria korçare kishin një mirëkuptim.

Por, sot kur pushtetarët po synojnë këtë ndryshim destinacioni, Kisha dhe besimtarët e qytetit kanë gjithë të drejtën që të kërkojnë mbrojtjen e asaj çka është pasuria e tyre shpirtërore.

Për çdo qytetar është e panegociueshme që jo ndërtesë ose duhet të mbetet Bibliotekë, ose në të kundërt tu kthehet Kishës dhe besimtarëve që kërkojnë pasurimin e tyre tek Shën Gergji.

Qytetarët nuk mund dhe nuk do t’ua falin kurrë këtë sjellje arrogante dhe të papërgjegjshme pushtetarëve socialist. Për qytetarët korçarë identitet është Shën Gjergji, është Biblioteka dhe kultura, por nuk është dhe nuk mund të jetë kurrën e kurrës identitet i tyre zyra e bashkisë.

Sot, kur qytetet tona jetojnë nën presionin e verfërimit nga papunësia, nga humbja e shpresës, nga humbja e besimit, nga pamundësia për të bërë biznes dhe nga më e rënda, nga ikja e popullsisë, është e paturpshme që pushtetarët e Rilindjes janë të gjithë në garë kush bën zyra më të bukura.

Qytetarëve kudo duhet t’u rikthehet frymëmarrja, t’u zgjerohet hapësira e lirive, t’u shëndoshet jeta shpirtërore e kulturore, e për më tepër t’u mbrohet e jo t’u cënohet identitetit siç po ndodh me Korçën. Sa më shumë, që qeveria i injoron qytetarët, aq më e qartë dhe e vendosur do të jetë përgjigjja e tyre ndaj qeverisë.

SORINA KOTI eshte Koordinatore Kombëtare, PD

Share: