Zbulohet në brigjet italiane 650 kilogramë marijuanë si dhe një skaf i braktisur. Në brigjet e Puglia, në komunën e Monopoli, në plazhin e Santo Stefano, mbas murit rrethues të një vile pushimi, janë gjetur 137 pako me lëndë narkotike. Ndërkohë pak më tutje në breg të detit është zbuluar edhe një gomone e braktisur.
Dyshimet paraprake flasin se lënda narkotike vinte nga Shqipëria, ndërsa po hetohet për të zbuluar shkaqet e braktisjes së ngarkesës dhe fshehjen e lëndës narkotike.
Dyshohet se pakot me marijuanë janë fshehur në mënyrë që trafikantët të ktheheshin në një moment të dytë, për shkak se një e papritur duket se i ka penguar që të përfundojnë rrugën e nisur. Ka qenë një banor i zonës ai që ka pikasur lëndën narkotike, në vilën e pushimit që banohej vetëm gjatë verës, duke bërë që të nisin hetimet për zbulimin e trafikantëve.