Duke filluar nga viti 2010 deri në muajin mars 2016, ish-ushtarakëve u është mbajtur deri në 25% e pensionit, për shkak të një vendimi të ish-Qeverisë “Berisha”, e cila i shpalli debitorë. Por sa lekë do u kthehen ish-ushtarakëve? Ja shembujt sa do të përfitojnë ish ushtarakët. Në këtë mënyrë një ish ushtaraku që i janë mbajtur 30 mijë lekë, do t’i kthehen lekët me 8 këste. Kjo do të thotë se do t’i kthehen çdo muaj 3.750 lekë, deri në muajin maj.
Vendimi i ri
Shuma e detyrimeve të falura, sipas gjendjes deri më 31.5.2016, të evidentohet veç për çdo person debitor, sipas numrit dhe kodit informatik të përfitimit, të nënshkruhet nga nëpunësi autorizues dhe nëpunësi zbatues i njësisë shpenzuese dhe të jepet evidentim dhe evadim i debitorit në dokumentet kontabël, si dhe në sistemin informatik të përfitimeve të sistemit të sigurimeve shoqërore.
Brenda pesë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ISSH-ja të evidentojë në kartela të veçanta financiare shumat e detyrimeve të paguara nga personat përfitues, në harkun kohor dhjetor 2010 deri më 30.4.2016, duke bërë shpalljen e kreditorëve dhe të njoftojë personat e interesuar. Shumat e detyrimeve të krijuara nga rillogaritja e përfitimeve suplementare, të paguara, i kthehen çdo kreditori të shpallur, në këste të barabarta, në periudhën nëntor 2016 – maj 2017.
Brenda muajit tetor 2016, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dërgon pranë strukturave përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme listat emërore të përditësuara të personave, të cilëve duhet t’iu plotësohet dokumentacioni, si dhe, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, sh.a., bën njoftimet individuale. Strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda muajit tetor 2016, njoftojnë Institutin e Sigurimeve Shoqërore për rastet e personave për të cilët nuk disponojnë dokumente, duke përcaktuar edhe shkakun e mungesës së tyre.
Për personat e përcaktuar në nenin 4, të ligjit nr.46/2016, përfitimi individual në zbatim të dispozitave të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar me ligjin nr.10367, datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010”, rillogaritet me datë fillimi nga data 1.6.2016, duke mos përllogaritur diferencat që rrjedhin nga rillogaritja sipas dispozitave të sipërshënuara, të cilat i përkasin periudhës 1.7.2009 deri më 1.6.2016.
Efektet financiare për kthimin e shumave të detyrimeve të paguara nga përfituesit, të cilat përllogariten në shumën 369 milionë lekë, ndahen për pagesë: 180 milionë lekë në vitin 2016 dhe 189 milionë lekë në vitin 2017. Shuma e fondeve të përcaktuara për vitin 2016 përballohet nga fondi i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ndërsa shuma e fondeve të vitit 2017 të parashikohet në buxhetin e sigurimeve shoqërore të vitit 2017.
Falja e detyrimeve
Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015, janë shlyer 368,5 milionë lekë. Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste, të cilat nuk janë debitorë nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta. Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi. Vendimet për ish ushtarakët
Gjatë periudhës nga 1.1.1999, deri në 30.6.2009, ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Rendit Publik dhe SHISH, të cilët kanë dalë në rezervë ose lirim pas datës 3.7.1991, janë trajtuar me pagesa kalimtar. Brenda këtij harku kohor, ligji për përfitimet suplementare të ushtarakëve është kontestuar dhe ndryshuar katër herë, konkretisht ligji nr.8087, datë 13.3.1996, është shfuqizuar me ligjin nr.9418, datë 20.5.2005, ky i fundit i ndryshuar me ligjin nr.9481, datë 16.2.2006, i cili ka riformuluar dispozitat e ligjit nr.9418, datë 20.5.2005, lidhur me pensionet e parakohshme si dhe ligji nr.10142, datë 15.5.2009.
Katër ligjet e lartpërmendura, në vazhdim janë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke shfuqizuar njëri-tjetrin, duke mos gjetur kështu zbatim për shkak të efekteve financiare të larta apo për formulë përfitimesh të pa pranuar nga ish-ushtarakët. Në nëntor 2010, u miratua Akti Normativ nr.5, datë 10.11.2010, të Këshillit të Ministrave”, i cili mori fuqinë e ligjit. Ky ligj ndryshonte rrënjësisht formulën e pensioneve, zbatimi i së cilës solli si pasojë rillogaritje e pensioneve për mbi 20 mijë pensione të parakohshme e suplementare nga të cilat evidentohet të kenë rezultuar debitorë 6.738 ish-ushtarakë (afërsisht 35 % e ish-ushtarakëve), me një shumë prej 1.313.7 milionë lekësh.
Bazuar në vendimin nr.793, datë 24.9.2010, të ndryshuar, rillogaritja e përfitimeve është mbi bazën e një Modelarit “Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën neto mesatare referuese”, dokument i cili, plotësohej nga strukturat e ministrive të linjës dhe më pas përcillej zyrtarisht pranë strukturave rajonale të sigurimeve shoqërore, që zbatonin procedurën e llogaritjes apo rillogaritje së përfitimit. Këto dokumente janë dërguar zyrtarisht në strukturat e sigurimeve shoqërore, fillimisht në 2010 dhe më pas nga 2011, e akoma vijojnë të dërgohen, shkruan Shqiptarja.com
Për ish-ushtarakët, të cilëve dokumentacioni i rillogaritjes u dërgua më shpejt, vlera debitore ka qenë më e ulët dhe tashmë debia është shuar, ndërkohë që për një numër të konsiderueshëm të ushtarakëve, të cilët kanë edhe gradë më të ulët, (nënoficer), për të cilët dokumentacioni është dërguar më me vonesë, e për disa të tjerë dokumentacioni të cilëve ende nga ministritë e linjës nuk u është nxjerrë dhe dërguar, vlera debitore rezulton të jetë mjaft e lartë./360grade.al