Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar ditë më parë se sot do të drekojë në Prizren me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka deklaruar se askush nuk ka ndonjë aspiratë për ndryshimin e kufijve me Shqipërinë, përkundrazi synojnë hapjen e kufijve sipas standardeve evropiane.
Thaçi në punimet e Seminarit të 93-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Prishtinë, ka thënë se bashkëpunimi me Shqipërinë, duhet t’i gëzojë të gjithë. “Me Shqipërinë kemi raporte të shkëlqyera të bashkëpunimit institucional. Para dy ditësh jam takuar me kryeministrin Rama, pasnesër do të kemi drekë me kryeministrin Rama në Prizren.
Po ky bashkëpunim i yni duhet t’i gëzojë, sepse është bashkëpunim i standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe në asnjë mënyrë nuk duhet shikuar me dyshim. Ne nuk e kemi asnjë aspiratë as si Kosovë, as si Shqipëri ndryshimin e kufijve përkundrazi hapjen e kufijve sipas standardeve evropiane “, tha ai.
Thaçi po ashtu ka lavdëruar deklarimin e kryeministrit të Shqipërisë, në vizitën e fundit në Beograd, duke thënë se ishin fjalë të qëlluara dhe të sakta./KosovaPress/