Home KRYESORE “360grade”: Kush nuk e sheh divorcin Meta-Rama, nuk do ta shohë

“360grade”: Kush nuk e sheh divorcin Meta-Rama, nuk do ta shohë

Në intervistën e djeshme që kryetari i Kuvendit Ilir Meta dha në bashkëbisedimin me gazetarin Babaramo, përtej gjuhës dhe termave të rrumbullakosur, Meta, ishte gjithë kohës në replikë me Ramën.

Duket qartë se për Ligjin e Plehrave, vota e LSI po shkon drejt votës “Kundra”. “ka çështje, të cilat kërkojnë një ekspertizë më të thelluar europiane, padyshim që do të ishte shumë me interes që të kërkohej, sepse nuk bëhet fjalë për një ligj që do të ketë efekt të përkohshëm, por bëhet fjalë për një ligj që do të ketë efekt afatgjatë dhe është e mira të mos jetë temë e debateve në të ardhmen apo e kontestimeve në të ardhmen”. tha kryetari i LSI.

Pra deri në pritje të ekspertizës europiane, që dhe është thjesht një pretekst politik, vota e LSI do të jetë “Jo”.

Në rastin e deklaratave të ministrit Manjani, që ndezën polemikat me Saimir Tahirin dhe ministren Kodheli, Meta ishte qëllimisht më i qartë dhe më i kuptueshëm, në mbrojtje të plotë të Manjanit dhe kundër Ramës.

“Pa asnjë diskutim, besoj se kjo është një çështje serioze, e cila ka krijuar mjaft probleme dhe shqetësime jo vetëm brenda vendit. Është një çështje që ka zënë mjaft vend edhe në shqetësimin e medies ndërkombëtare, të vendeve partnere. Në këtë drejtim është çështje që duhet marrë shumë seriozisht dhe kërkon një bashkërendim të të gjitha institucioneve brenda vendit, të policisë, prokurorisë, të Shërbimit Informativ dhe të të gjitha strukturave të tjera. Në këtë drejtim duhet bërë pa dyshim shumë më tepër, duhet bërë që në fazën e parë, parandaluese, të moslejimit të mbjelljes, pasi fazat e tjera, sigurisht, e bëjnë çështjen shumë më të vështirë dhe dëmtojnë imazhin e vendit në tërësi.” tha ai.

Duket pra qartë që divorci i ideve dhe i qëndrimeve është i qartë. Pritet që carja të thellohet në drejtime të tjera./360grade.al

Share: