Home KRYESORE Masakra me naftën shqiptare

Masakra me naftën shqiptare

Një ndër të vërtetat më të hidhura ekonomike të historisë sonë të tranzicionit e përbën abuzimi kolosal me pasurinë numër një të truallit tonë, arin e zi(në vitin 2000 rezervat mendohej të ishin në nivelin e 10 miliardë eurove), që pas denoncimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjeti gojëkyçur personalitetet më të larta të vendit. Po çfarë realisht denoncoi KLSH? Gjatë një kontrolli të tij mbi zbatimin e marrëveshjeve koncesionare të shtetit tonë për shfrytëzimin e vendburimeve kryesore të naftës në tokë tek ne, ky institucion kushtetues gjeti se në periudhën 2009-2014, kohë e nxjerrjes intensive të naftës në qarkun e Fierit, faktori R ka qenë gjithnjë më i vogël se 1. Faktori R përcakton raportin e të ardhurave tërësore me shpenzimet tërësore të një kompanie koncesionare në një vit financiar 1 janar deri 31 dhjetor. Kur ky raport është më i madh se 1, pra të ardhurat janë më shumë se shpenzimet, shteti ynë merr 50 përqind të fitimit. Kur është më i vogël, merr disa herë më pak. E vërteta e hidhur është se Faktori R nuk është bërë kurrë më i madh se 1!

Edhe pse gjatë kësaj periudhe me dhjetëra puse janë deklaruar si të shteruara, nga një nxjerrje e babëzitur nafte pa pikë kriteri, ky faktor ka qëndruar gjithnjë më i vogël se 1. Edhe pse vitet 2009-2013 përkojnë me një çmim shumë të lartë të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe me prodhim të rritur të arit të zi edhe tek ne. Çfarë ka ndodhur? Sikurse del nga njoftimi për shtypi i KLSH, vetëm për të mufatur sa më shumë shpenzimet, janë futur në to edhe donacionet dhe sponsorizimet e kompanisë koncesionare. Si të thuash, janë konvertuar në naftë, në shpenzimet “Cost Recovery(Mbulim i kostos)”, edhe ndërtimi i një ure për komunitetin apo sponsorizime gjithfarësh. Faktori R, që po të ishte ai reali në shumicën e tetë viteve të fundit(pra, më i madh se 1, pse ashtu ka qenë realisht, pa shpenzimet e mufatura qëllimisht), sipas përllogaritjeve të KLSH, do t’i kishte dhënë shtetit tonë një shumë prej afro 504.55 milion dollarë, përveç rentës minerare që ka marrë prej 199,4 milion dollarë. Pra mbi gjysëm miliardë dollarë të hequr padrejtësisht nga fondet për familjet në nevojë, për shëndetësinë dhe arsimin tonë publik, për pensionet e 600 mijë shqiptarëve! Ky faktori R gjithnjë më i vogël se 1, më kujton bilancet e një kompanie të njohur botërisht të pijeve freskuese, që në Shqipëri në vitet 1993-1998, për gjashtë vite rrjesht, doli me humbje, edhe pse uji, shpenzimi kryesor për pijen freskuese, ishte me një çmim qesharak, pra sigurohej gati falas.

Shteti ynë i gjithi ka mbyllur sytë përpara masakrës me naftën, pasurinë tonë kryesore publike. A do të rekuperohen ndonjëherë këto para që u takojnë shqiptarëve? Opozita e dy viteve më parë, pushtetarët e sotëm, janë zotuar solemnisht se do të bëjnë gjithshka që 80 milionë eurot e paarkëtuara nga privatizimi i dështuar i AlbPetrolit do t’i sigurohen Buxhetit të Shtetit, kur të vijnë ata në pushtet. Deri tani nuk kanë siguruar as edhe një kacidhe. Na kanë dhuruar vetëm heshtjen. Por edhe nëse gjetja e parave pas garancisë false të kompanisë fantazmë që u tall me shtetin shqiptar në pseudo-privatizimin butaforik të Albpetrol, duket mision i pamundur, rekuperimi i një pjese të gjysëm miliardë dollarëve nga loja me faktorin R, pas verifikimeve të imta, mund të jetë mision i mundur. Si dhe të mos falet më dalja e R më e vogel se 1! Të paktën për këtë vit financiar. Paratë që do të fitohen nga dëmshpërblimi i dëmeve të masakrës me naftën tonë mund të jenë gati barabar me ato të veprimit shumë të drejtë të qeverisë sot me luftën kundër informalitetit. Madje, nëse disa faktorë R na dalin më të mëdhenj se 1, sidomos në vitet e çmimit rekord të naftës në tregjet botërore, këto para mund të jenë edhe 2-3 herë më shumë!

Loja me transferimin e çmimit, që kompanitë ndërkombëtare dinë ta luajnë aq mirë, nuk ka pse të penalizojë shtetin tonë të varfër dhe shërbimet e tij publike, nëse do të kishim shërbime fiskale profesionale dhe kurajoze të qeverisë së sotme. Masakra me naftën duhet të dalë në të gjithë shëmtinë dhe abuzivitetin e saj. Që më në fund me pasuritë e këtij vendi të vuajtur të mos luhet aq ndyrë sa deri më sot. KLSH ka dhënë dhe një rekomandim, mundësi për të mbrojtur naftën tonë: rikrijimin e Institutit të Studimeve të Naftës, të mbyllur dhe bojkotuar qëllimisht për të mos i dhënë Shtetit tonë një mjet vlerësimi konkret dhe mburojë të kësaj pasurie. Sikur të ishte ky institut ende në këmbë, nafta shqiptare nuk do të kishte përfunduar e nëpërkëmbur, e abuzuar dhe e shfrytëzuar barbarisht sa deri më sot. Ka ende specialistë të zotë, të ndershëm dhe të pablerë nga kompanitë private, që mund të kontribuojnë në këtë strukturë. Si qytetarë presim të paktën një reagim, qoftë dhe kundërshtim apo mohim, të fakteve të denoncimit kurajoz të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndryshe, kjo heshtje është thjesht pohim i të vërtetës së hidhur, që shpresojmë të mos ngelet ashtu jetime, në pafuqinë dhe papërgjegjësinë ekstreme me fatet e pasurisë më të vyer që na ka falur natyra në vendin tonë të bukur, të pasur në burime dhe të varfër në përgjegjësi publike.

Nga Fatos Cocoli

Share: