Home KRYESORE Hetimet për ISIS/ 150 të shoqëruar nga antiterrori, prokuroria dhe SHISH

Hetimet për ISIS/ 150 të shoqëruar nga antiterrori, prokuroria dhe SHISH

Një kallëp tritoli, një armë dhe fishekë u gjetën në shtëpinë e Ervin Dukës. 29-vjeçari nga Pogradeci dyshohet se për mbi 6 muaj ka qenë luftëtar në radhët e Shtetit Islamik, por që u kthye në atdhe pasi u plagos. “Krehja” që Anti-terrori i Policisë së Shtetit bashkë me Shërbimet Sekrete dhe Prokurorinë për Krime të Rënda po u bën të gjithë elementëve të dyshuar si të lidhur me ekstremistët myslimanë, bëri që Ervin Duka të vihej në pranga. Ai nuk pati fatin e 150 shqiptarëve të tjerë të cilët gjatë javës së fundit janë lënë të lirë pasi janë marrë në pyetje.

ABC News ka mësuar se që nga mëngjesi i së shtunës së javës së kaluar e deri mbrëmjen e kësaj të premte janë shoqëruar nga Anti-terrori i Policisë së Shtetit, shërbimet sekrete dhe prokuroria për krime të rënda rreth 150 persona të dyshuar si besimtarë myslimanë me prirje ekstremiste.

Mes të shoqëruarve kanë qenë të gjithë të identifikuarit e kthyer nga Siria, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e strukturave te Shtetit Islamik ose Al-Nusra për disa muaj. Shoqërimet përgjithësisht janë bërë gjatë mbrëmjeve, ku për disa orë këta persona janë marrë në pyetje, ndërsa këqyrej apo në disa raste dhe iu janë sekuestruar aparatit celulare. Të gjithë personat e shoqëruar, thuajse janë pyetur për lidhjet e mundshme me 4 të arrestuarit të fundjavës së kaluar  dhe 9 te dënuarit e grupit të parë të xhihadistëve, janë pyetur edhe për takimet mes tyre dhe bisedat e zhvilluara. Gjithashtu burimet thonë se janë verifikuar edhe lidhjet e personave në Kosovë. Në mesin e të shoqëruarve mësohet se kane qenë edhe personat, numrat e telefonit të të cilëve janë gjetur në aparatet e 11 të arrestuarve për terrorizëm në Kosovë. Këto shoqërime janë bërë me dyshimin se mund të jenë personat që bashkëpunonin me celulat e dyshuara si të ISIS në Kosovë. Nga ana tjetër, burimet thonë se veç të kthyerve nga Siria, janë shoqëruar edhe ata besimtarë e imamë të xhamive të ndryshme në vend, të cilët janë identifikuar për prirjet radikale.

Të gjithë këto persona janë marrë në pyetje nga antiterrori i Policisë së Shtetit dhe prokurori i çështjes Eugen Beçi që po heton për personat e përfshirë në celulat e ISIS në Shqipëri. Gjatë marrjes në pyetje burimet thonë se kanë asistuar edhe efektivë të SHISH-it të cilët prej muajsh kanë në ndjekje dhe vëzhgim personat me prirje fetare ekstremiste. Ndërkohë burimet nga grupi hetimor i thane ABC News se krahas përgjimit të telefonave, janë përgjuar edhe rrjetet sociale dhe në veçanti e-mail-et e tyre të shkëmbyera me persona të ndryshëm. Të arrestuarve i janë kapur edhe disa e-maile ku flitej për mënyrën e organizimit të ndonjë atentatit të mundshëm në Shqipëri. Këtu nuk përjashtohen edhe komunikimet e tjera elektronike të rrjeteve të ndryshme sociale apo edhe programeve të avancuara.

Nga ana tjetër, burimet thonë se edhe të dënuarit që ndodhen në burg janë përgjuar duke bërë biseda me telefonat e brendshme të burgjeve me personat e arrestuar së fundmi dhe të tjerë të cilët janë njohje e tyre, por që ndodhen të lirë si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Burimet thonë se të dënuarit rezultojnë se kane komunikuar me numra të ndryshëm të shtetasve shqiptar e të huaj që dyshohet se janë pjesë e ISIS në Siri e Irak. Që prej më shumë se një jave strukturat ligj-zbatuese shqiptare janë vënë në lëvizje pas një transkripti bisede të zbardhur nga shërbimet sekrete ushtarake izraelite të cilat njoftuan se terroristët shqiptarë, pjesë e strukturave drejtuese të shtetit islamik kishin urdhëruar kryerjen e akteve të terrorit në Shkodër gjatë zhvillimit të ceremonisë së lumturimit të 38 martirëve të kishës katolike ose gjatë ndeshjes së kombëtare te futbollit Shqipëri-Izrael. Për këtij informacioni, 4 persona u vunë në pranga në disa qyteteve të Shqipërisë, ndërsa arrestime pati edhe në Kosovë./lapsi.al

Share: