Nga Gavrosh Levonja/
Kush e organizon fushatën “Kadareja dissident”?Cdo veprim, qoftë individual, qoftë në formën e një aksioni të organizuar që synon ta paraqesë shkrimtarin Ismail Kadare si një figurë problematike për regjimin komunist është një përpjekje mjerane deri dhe qesharake.
Mënyra si është trajtuar Kadare nga regjimi asgjëson në mënyrë të pamëshirshme cdo përpjekje në këtë drejtim. Në një diktaturë model, më e egra e absurdja që njohu komunizmi eurolindor ishte absurde që një shkrimtar “disident” pushteti jo vetëm që nuk e arrestoi ose të paktën ta prekte sadopak me ndonjë nga instrumentat e policisë sekrete, por në të kundërt e paguante që të shkruante “kundër” regjimit.
Janë të shumtë ata të cilët kanë bindjen se Kadare e “godiste” diktaturën në forma alegorike, po nuk ma do mendja kurrë që Enver Hoxha, një birbo klasik, që nuk e kishte për gjë të shkonte në plumb këdo, mjafton të krijonte bindjen më të vogël se I prishte punë, nuk ka qenë kurrë aq I trashë sa të hante për djathë sapunin e Kadaresë. Vetë Enveri është shprehur se “partia e njeh armikun sapo të nxjerrë majën e veshit”.
Nuk mungojnë rastet kur poetë në kufijtë e anonimitetit u varën apo pushkatuan si të dyshuar se kishin “shkelur vijën”. Në një farë mënyre kushdo që rreket ta paraqesë sot shkrimtarin më të mirë të realizmit socialist si “disident” na bën të ndjehemi si në një atmosferë surealiste, ku një diktator I pamëshirshëm, një kundërshtar të tij, vazhdon ta mbajë në radhët e partisë , e emëron deputet në kuvendin popullor, e bën zevendës të gruas së tij në frontin demokratik, paguan për t’i përkthyer e botuar romanet e tij në perëndim… Jo vetëm kaq, po kritikët e tij jo vetëm nuk përfilleshin, po nuk mungonin rastet kur dhe persekutoheshin, si Bilal Xhferri. Ka njerëz që shkruajnë libra duke mbushur faqe të tëra me të ashtuquajturat “denoncime” në adresë të Kadaresë, por “denoncimet” rezultojnë të jenë kritika nga kolegë të tij, të cilët duke e “denoncuar” më shumë se të kishin qëllim t’I bënin një “shërbim” partisë e shokut Enver synonin t’i zinin Kadaresë vendin si shkrimtar i preferuar i regjimit dhe diktatorit personalisht ose të paktën të forconin pozitat e tyre duke u treguar “vigjilentë” ndaj cdo devijimi.
Këtu mund të bëhet një paralelizëm; athere duke “denoncuar” Kadarenë shpresohej të kapej ndonjë “thelë” nga pushteti, sot shumica që e propagandojnë si “disident” synojnë të mbrojnë veprat e tyre të shkruara nën diktaturë.Kur ndërmarrin nisma të këtij lloji, si autorët po dhe ata që i sponsorizojnë, mirë do të ishte që krahas morisë së “denoncimeve” të kishin gati dhe argumentet për të justifikuar para lexuesit se si ndodhte që të gjithë “denoncimet” përfundonin në koshin plehrave për deri sa të denoncuarin diktatori jo vetëm e ftonte për vizitë në shtëpinë e tij, po dhuronte dhe veprën e tij të pabotuar (duke I u referuar vetë Kadaresë “Një pasdite tek shoku Enver”).
Përpjekje të tilla, vetëm sa e diskreditojnë shkrimtarin madje e vënë në një pozitë qesharake dhe përsa kohë ai vetë nuk u kundërvihet atyre, të lind dyshimi se vetë ai është nxitësi I aksioneve në këtë drejtim.