Ka zgjatur vetëm disa minuta prania e ish-kryeministrit Berisha në komisionin hetimor parlamentar për cështjen e CEZ. Ai nuk e ka dhënë dëshminë e tij, duke u përfshirë në debate me kreun e këtij komisioni, Taulan Balla.
Për këtë të fundit, Berisha tha se është një person i dënuar me vendim të formës së prerë. Ndërkohë anëtari i këtij komisioni, Arben Ristani, tha se Taulant Balla ka konflikt interesi në drejtimin e këtij komisioni dhe veçanërisht në thirrjen si dëshmitar të ish-kryeminstrit Berisha, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 1 milion lekë për shpifje ndaj djalit të Berishës.
“Kryetari i këtij komisioni mashtroi opinionin duke thënë se nuk është i dënuar. Ai është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk paguan gjobën. Unë e dija se çfarë është, por respekti për parlamentin më bëri që të vija. Por unë nuk dija çështjen e konfliktit të interesit. Nuk e dija këtë nen në procedurën penale”, tha Berisha për mediat pasi doli nga Kuvendi.
Kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla, tha se do t’i kërkojë policisë ta sjellë me forcë Berishën. Me largimin e ish-kryeministrit, nga salla u larguan edhe deputetët e opozitës në këtë komision.