Home KRYESORE Ezopi dhe analistët

Ezopi dhe analistët

Nga Kasem Seferi

Për të qenë të arsyeshëm dhe për t’i dhënë përfitime vendit në këtë kohë të vështirë debatesh pa bukë, kam zgjedhur Ezopin për të shfaqur, publikisht, nëpërmjet thënieve të tij disa mendime që nuk kanë për qëllim as avokatinë (mbrojtjen e ndokujt cilido qoftë ai/ajo) dhe as sulmin e dikujt (cilido qoftë edhe ky/kjo). Parimi bazë është: të vlerësohet, pozitivisht, gjithçka thuhet në kërkim të së vërtetës.

Këto vite të fundit individë me emër dhe me kontribute, shpesh nëpërmjet arsyetimeve dhe fakteve të ndryshëm dhe të kundërt, kanë shprehur mendime në lidhje marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, nisur nga veprime, mendime dhe qëndrime që datojnë prej disa vitesh. Nëpërrmjet këtyre debateve publiku është njohur me karaktere dhe qëndrime të ndryshëm dhe, njëkohësisht, ka përcjellë emocione në favor të njërit apo tjetrit individ.

Ezopi shkruan: “Mos prit shpërblim kur i shërben të ligut dhe të jesh mirënjohës kur shpëton i gjallë nga kthetrat e tij. Disa ilaçe janë më të këqija se sa vetë sëmundja. Një tiran nuk është kurrë i mbrojtur nga kërcënimet e atyre që shtyp.”.

Thëniet e mësipërme këshillojnë: “Hap sytë ku hedh këmbët. Asnjë argument, sado bindës qoftë, nuk mund t’i japë kurajë një frikacaku.”.

Ezopi shkruan: “Vlera e një objekti ndryshon sipas atij që e sheh. Familjariteti sjell mungesë respekti. Ata që ankohen më shumë, nuk janë gjithmonë më të lënduarit.”.

Ezopi shkruan: “Jo të gjitha krijesat mund të bëhen aq të mëdha sa mendojnë. Mirësia ndaj krijesave të mbrapshta e mosmirënjohëse shpërblehet keq. Ruaj vendin që të takon në jetë, që vendi të të ruajë ty. Duhet aftësi e madhe të bësh gjënë e duhur në kohën e vet.”.

Shumë njerëz në këto më shumë se dy dekada e kanë harruar thënien e Ezopit: “Kush kapet pas hijes, humb të vërtetën. Krenaria e tepruar i paraprin disfatës.“. Dukurinë tipike të këtyre viteve Ezopi e karakterizon me fjalët: “Kush ngul këmbë në diçka të pamundur, shkon drejt shkatërrimit.“.

Personalisht besoj shumë te fjalët e Ezopit: “Çdo e vërtetë ka dy anë. Është mirë t’i shohim të dyja, para se të shpallim cilët jemi.“. Pra, le të urojmë si Ezopi: “Miqtë e paftuar është mirë të largohen.“. Mendoj se çdonjëri nga ne shqiptarët duhet të mendojë një çast fjalët e Ezopit: “I ngadalti, kur është i palëkundur, e fiton garën.”.

Botuesit, besoj, nuk e kanë marrë parasysh Ezopin në lidhje me thënien: “Kur kërkojmë shumë, mund të humbasim edhe atë pak që kemi.“, për arsye se siç thotë Ezopi: “Edhe kur thonë të vërtetën, gënjeshtarëve nuk u beson kush.“. Megjithëatë, Ezopi thotë: “Zënkat më të zhurmshme janë shpesh më të parëndësishmet. Asgjë nuk i shpëton syrit të pronarit.”.

Jam krejtësisht në një mendje me ata që e ndjejnë dhe veprojnë sipas porosisë së Ezopit: “Nevoja është nëna e zhvillimit të së resë.“. Pra, është rasti t’u thuhet “të mëdhenjve“ porosia e Ezopit: “Miqtë e vegjël mund ta tregojnë veten mjaft të mëdhenj.”.
Ezopi shkruan: “Rreziku, shpesh, vjen andej nga nuk pritet. Më mirë të mësojmë nga gabimet e të tjerëve sesa nga tonat. Fatkeqësitë testojnë/venë në provë sinqeritetin e miqve.“.

Është vërtetuar tashmë në jetë thënia e Ezopit: “Prirjet djallëzore shfaqen herët në jetë.“. Gjithashtu, thënia e tij: “Një shenjë mund të jetë shumë më keqdashëse sesa një fjalë e ligë.“. Ja përse mendoj që Ezopi këshillon: “Zgjat këmbët sa ke jorganin.“. Besoj se të gjithë duhet ta marrin në konsideratë thënien e Ezopit: “Urimet nuk i vlejnë aspak atij që nuk gëzon liri.“.

Kam parë edhe shumë individë të tjerë që mundohen dhe përpiqen për të dhënë mesazhe të fortë për këtë vend, pikërisht në këtë kohë dhe, mendoj se do të ishte mirë të analizohej thënia e Ezopit: “Nuk ka rëndësi sesa ke, e rëndësishme është cilësia. Çdokush me të ngjashmin e vet. Hipokrizia është shumë pranë gënjeshtrës.“.

”Një gënjeshtër të çon tek një tjetër, e cila, më në fund, vulos rrënimin. Mosmirënjohja është e verbër po aq sa e ulët. Njerëzit e ngatërrojnë shpesh namin e keq me famën. Ndershmëria është politika më e mirë.“.

Çfarë kam kuptuar, ndoshta, si kumpt, nga Ezopi kanë qenë thëniet e tij: “E keqja duhet shkulur me rrënjë që në fillim. Ata që hyjnë nga dera e pasme, nuk është çudi të dalin nga dritarja. Një hile nuk mund të ecë gjithmonë. Rryshfeti në duar tregon djallëzinë e zemrës. Më mirë një jetë e përulur dhe siguri, sesa rreziqet e një jete madhështore.“.

“Faktet flasin më qartë sesa fjalët. Çfarëdo që bëni, bëjeni me guxim. Ata njerëz, që janë tepër në ankth të dinë se çfarë mendon bota për ta, rrallë marrin vlerësimin që parashikojnë. Është e lehtë për frikacakun të hiqet si hero në largësi. Ai që dëgjon muzikën e lajkatarëve, do të paguajë pasojat.“.

Share: