Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të kalojë përmes një sërë reformash të rëndësishme të cilat vendi ynë duhet të zbatojë si kushte afatgjata të cilat u shpreh edhe në progres raportin e Komisionit Europian dhe në rekomandimin e kushtëzuar që ky i fundit dha për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Vetëm pak ditë pasi Parlamenti Europian u kërkoi vendeve anëtare të unionit pezullimin e përkohshëm të bisedimeve të anëtarësimit me Turqinë, Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian merr në shqyrtim draft-rezolutën për Shqipërinë të hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein.
Ai i ka kërkuar Komitetit të Jashtëm të PEsë, që t’i japë Shqipërisë dritën jeshile për hapjen e negociatave. Fleckenstein tha se Shqipërisë mund t’i kërkohen të përmbushë zbatimin e reformës në drejtësi por ndërkohë negociatat me këtë vend duhet të hapen.
“Kam një sugjerim, nuk mund të presim deri në implementimin e reformës në drejtësi, por le të hapen më parë negociatat për Shqipërinë duke i vendosur si kusht zbatimin e plotë të reformave. Mendoj se nuk duhet të krijojmë asnjë konfuzion”, ka thënë Fleckenstein.
Por deklaratat e tij kanë shkaktuar rritim tek deptuetët grekë të cilët paralajmëruan se do të vendosin veton për Shqipërinë nëse nuk përmbush kriteret e kërkuara. “Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat dhe duket sikur BE po bën të njëjtat gabime me Sipërinë ashtu si ka bërë me Turqinë. Greqia do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nëse nuk ka përmirësime”, tha eurodeputeti grek i Agimit të Artë, Georgios Epitideios.
Ndërsa deputetja Eleni Theocharous, tha një ndër kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë është respektimi i të drejtave të minoritetit grek, duke përmendur rastin e vendimit për prishjen e disa shtëpive në Himarë për të cilat ata thanë se është shkelje e hapur e të drejtës së pronës.
“19 familjeve te minoritetit grek iu janë lënë vetëm 5 dite për të lënë banesat e tyre në kuadër të një reforme territoriale. Shqipëria duhet ti respektojë të drejtat e minoritetit dhe ato të pronës”, u shpreh ajo. Ndër të tjera, ata e ngritën si shqetësim që në Shqipëri qarkullon ideja e “Shqipërisë së madhe”, duke thënë se po rrezikohet stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
Pro, Fleckenstain ka replikuar duke i tërhequr vërejtje deputetëve grekë si problematikë kur flitet për anëtarësimet në union. Mësohet drafti lë hapësirë për ndryshime të tjera ndërsa eurodeputetët kanë afat deri më 10 janar të vitit 2017 për të paraqitur amendamentet e tyre nëse kanë.
Disa nga pikat e rezolutës
1. Parlamenti Europian (PE) mirëpret progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat e lidhura me BEnë, sidomos miratimin e ndryshimeve kushtetuese duke hapur rrugën për një reformë gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor. Jo vetëm miratimi i qëndrueshëm, por edhe zbatimi i plotë dhe në kohë i reformave si dhe angazhimin e politikës janë thelbësore për të avancuar në procesin e anëtarësimit në BE.
2. PE-ja mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe bën thirrje për hapjen e negociatave të anëtarësimit sa më shpejt në raport me progresin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, me qëllim për të ruajtur vrullin e reformave; pret që Shqipëria të konsolidojë progresin e arritur dhe të ruaj ritmin e progresit në zbatimin e të gjitha prioriteteve kyçe.
3. PE-ja përsërit se një dialog konstruktiv, bashkëpunimi i qëndrueshëm politik dhe gatishmëria për kompromis është vendimtare për suksesin e reformave dhe për të gjithë procesin e aderimit në BE.
4. PE përgëzon miratimin konsensual të amendamenteve kushtetuese për reformën në drejtësi, si dhe miratimin e ligjeve për organizimin e gjyqësorit; bën thirrje për miratimin e shpejtë dhe zbatimin e të gjitha ligjeve përkatëse shoqëruese dhe akteve nënligjore, veçanërisht ligjin për verifikimin (Vetting-un) e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë;
5. PE vë në dukje se zbatimi i ligjit të verifikimit është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese dhe se kjo e fundit ka kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias mbi kushtetutshmërinë e tij; rithekson se një reformë gjithëpërfshirëse e gjyqësorit është një kërkesë e rëndësishme e qytetarëve shqiptarë për të rivendosur besimin tek përfaqësuesit politikë.
6. PE-ja i bën thirrje Komisionit Adhoc parlamentar për Reformën Zgjedhore që të përfundojë rishikimin e Kodit Zgjedhor duke adresuar të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE/ ODIHR-it; i bën thirrje autoriteteve kompetente për të siguruar zbatimin (e Kodit Zgjedhor) në kohë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të qershorit 2017;
7. PE thekson se të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare; i bën thirrje partive politike të Shqipërisë për të respektuar ligjin për përjashtimin nga postet publike të personave që kanë kryer vepra penale.
8. PE bën thirrje për përparim të mëtejshëm në forcimin dhe zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Procedurën Administrative, për të mbrojtur pavarësinë e organeve rregullatore, për të përmirësuar procedurat e rekrutimit të bazuar në meritën dhe performancën (në administratën publike).
9. PE-ja mirëpret miratimin e pjesë kryesore të legjislacionit anti-korrupsion, megjithatë institucionet kyçe anti-korrupsion vijojnë të mbeten subjekt i ndërhyrjeve politike; thekson nevojën për një kuadër ligjor më të përshtatshëm për konfliktin e interesit dhe bashkëpunimi ndër-institucional sidomos mes policisë dhe prokurorisë…me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ketë një mbikëqyrje efektive të financimit të partive politike.
10. … Përshëndet operacionet e fundit kundër plantacioneve të drogës; kërkon çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe rritjen e dënimeve përfundimtare;
11. PE-ja nënvizon nevojë për të rritur parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore, veçanërisht me fëmijët e pashoqëruar.
12. PE-ja i bën thirrje autoriteteve që të përmirësojnë klimën e përfshirjes dhe tolerancës për të gjitha minoritetet në vend.
13. PE-ja vëren se është e domosdoshme parandalimi i radikalizmit islamik, duke përfshirë mosangazhimin dhe integrimin e luftëtarëve të kthyer.
14. PE-ja është e shqetësuar për ndikimet politike në media dhe përhapjen e vetë-censurës në mesin e gazetarëve; vë në dukje zbatimin e ngadalshëm të ligjit për mediat audio-vizive dhe vonesa në plotësimin e vendeve vakante në AMA; bën thirrje për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar pavarësinë e autoritetit rregullator dhe transmetuesit publik.
15. …PE-ja vë në dukje ende mangë- si në sundimin e ligjit për ekonominë informale dhe të mjedisit rregullator, duke penguar investimet; u kërkon autoriteteve të marrin masa për përmirësuar zbatimin e kontratave, të mbledhin më mirë taksat dhe të vazhdohet zbatimi i reformës në drejtësi për të përmirësuar mjedisin e biznesit.
16. PE-ja bën thirrje për përfundimin e procesit të regjistrimit, kthimit dhe kompensimit të pronës, dhe për të zbatuar në mënyrë efektive strategjinë 2012-2020 për të drejtat e pronësisë;
18. PE-ja tërheq vëmendjen se numri i aplikimeve për azil të paraqitura nga shqiptarët në shtetet anëtare të BE-së është rritur përsëri; i kërkon qeverisë të intensifikojë rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimit të këtij fenomeni.
21. Udhëzon kryetarin e saj për t’ia përcjellë këtë rezolutë Këshillit, Komisionit, Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Data e votimit
Opinioni i Komisionit i jep Këshillit një bazë të fortë për ndërtimin e diskutimit nga krerët e shteteve dhe qeveritë, për të arritur në një vendim politik. Vetëm pasi Këshilli të votojë unanimisht për nisjen e negociatave të anëtarësimit, diskutimet mund te hapen formalisht duke e marrë si të mirëqenë se shteti kandidat ka përmbushur kushtet themelore.
Në kuadër të opinionit të Komisionit Europian, Këshilli mund edhe të vendosë kushtet e tij, të cilat shteti duhet t’i përmbushë përpara çeljes së negociatave. Samiti kur pritet të vendoset për Shqipërinë do të mbahet më 15 – 16 dhjetor. Marrja e një vendimi pozitiv për çeljen e negociatave duket i vështirë në kushtet kur Komisioni Europian ka dhënë një rekomandim me kusht disa shtete anëtare janë shprehur kundër ose me rezerva.