Nga Mimoza Kociu
Hapja e negociatave të vendit tonë me BE është shndërruar në instrumentin e rradhës për të shmangur përgjegjësinë politike për zvarritjen e kësaj aspirate 26 vjecare të shqiptarëve.
Nëse në këtë përpjekje të rradhës, paramendohej se burokracia e Komisionit Europian do ta kishte të vështirë të kapërcente nivelin modest të përparimit të Shqipërisë. kjo dilemë rezultoi e tepërt, sepse Komisioni i dha një tjetër shans vendit tonë duke rekomanduar hapjen e negociatave të antarësimit, falë një gjuhe të rrumbullakosur e mjaft dashamirëse ndaj paraqitjes së re të vendit me probleme të vjetra.
Nga ana tjetër, kur mendohej që pengesë të ishte Greqia, të cilën kryeministri ynë mori përsipër ta sfidonte në prag të daljes së raportit të KE (edhe pse homologu i tij helen nuk u përfshi personalisht), apo Hollanda, skeptike e hershme e Shqipërisë, edhe për shkak të emigrantëve shqiptarë që janë dyndur në tokën e saj, si rrufe në qiell të pastër në Tiranë kumboi në gjermanisht zëri i Gunther Krichbaum, kryetari i komisionit parlamentar për integrimin në Bundestag, që me një gjuhë të ftohtë e të qartë, shpalli publikisht 7 pritshmëri të identifikuara si të papërmbushura të Shqipërisë, të cilat ishin thelbësore sipas grupit parlamentar të mazhorancës në Bundestag, për t’i thënë jo hapjes së negociatave me vendin tonë, që nga lufta kundër krimit e korrupsionit, deri tek vettingu e implementimi i reformës në drejtësi, dekriminalizimi e zgjedhjet me standarde. Përmbushja e këtyre pritshmërive sipas Krichbaum nuk do shqyrtohej para pranverës së vitit 2018.
Për shkak se suksesi apo dështimi i këtij procesi vazhdon të ushqehet e të identifikohet me qeverinë, të djathtët në opozitë u entuziazmuan, ndërsa socialistët në qeverisje u ngrysën. Që në krye të herës, rekomandimin pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave, kryeministri e vari si medalje në thilenë e xhaketës, duke ashpërsuar gjuhën e përcarjes me opozitën, në një garë krejt të panevojshme me të.
Kirschbaun paraqiti një realitet kokëfortë, jo të panjohur, por të strukur politikisht nën ombrellën burokratike të “përpjekjeve“ të bëra gjatë vitit për të përmirësuar situatën. Kryeministri pasi e shigjetoi, ironizoi, njollosi e cinizoi sa e si mundi deputetin gjerman, për t’ia zhvlerësuar qëndrimet, sic bën të enjteve në parlament me opozitën, u nis drejt Berlinit ku ishte ftuar nga kryetarja e partisë së Krichbaum, kancelarja Angela Merkel. Pritshmëritë që ishin ushqyer në publik prej katër javësh, se kancelarja e kishte ftuar për t’i dhënë personalisht lajmin e madh të hapjes së negociatave, u zbehën që në fillim, kur kryeministri, e kishte lënë pas qasjen arrogante ndaj “armiqve“ të brendshëm e të jashtëm të integrimit të Shqipërisë. Në krah të kancelares, të gjithë pamë një kryeministër, të cilit emocioni i fortë i lexohej në zë e në gjeste, edhe pse ishte hera e tretë që ftohej në Berlin, një sukses i spikatur për një kryeministër shqiptar. Por këtë herë sfida dukej gati-gati jetike. Do vërtetohej nëse kancelarja mendonte njëlloj si deputeti i saj. Gjestet padyshim që flasin po aq, apo edhe më shumë se fjalët, e dalja para mediave me deklarata, përpara takimit dypalësh ishte një praktikë krejt e pazakontë, por që ilustronte, se kancelarja nuk i kishte të nevojshme shpjegimet e kryeministrit Rama, për të thënë publikisht mendimin e saj. Me gjasë në takimin pas deklaratave për media, më shumë ka folur kancelarja, e kryeministri ynë ka dëgjuar. Nga Angela Merkel, me eksperiencë të gjatë politike, institucionale e ndërkombëtare, që e ka promovuar personalisht kryeministrin Rama, nuk pritej një konkludim publik si ai i deputetit të saj, përvec inkurajimeve për rekomandimin pozitiv dhe kujtesën për sfidat e njohura të Shqipërisë, si 5 prioritetet e njohura, zbatimi i reformës në drejtësi, dekriminalizimi e zgjedhjet. Me gjithë përgëzimet e shprehura, kancelarja nuk dha asnjë sinjal për pranimin ose jo të rekomandimit të KE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Tentativat qesharake për të interpretuar mesazhet e Merkel si mbështetje apo refuzim, vec ilustrojnë prapambetjen politike të Shqipërisë, protagonistët e së cilës, presin që Brukseli a vetë Merkel t’ua kryejë detyrat, mundësisht duke mbyllur një sy a vesh, teksa qeveria e opozita shpenzojnë pa fund energji për të mos u marrë vesh, edhe pse flasin shqip. Nëse Shqipëria do i kishte kryer detyrimet ndaj procesit të integrimit, do kurseheshin “shantazhet“ e pakëndshme se Rusia, Turqia a islami radikal do përfitonin të shtrinin influencën e vet në këtë vend qejfmbetur, të lënë “pa të drejtë“ jashtë derës së BE. Një tjetër dëshmi e amatorizmit edhe në taktikat politike, i një vendi të vogël e të korruptuar.
Por qershia mbi tortë e kësaj taktike mbeten sjelljet prej moralisti patriot të kryeministrit të vendit, që flet për një opozitë që po i ngre mure integrimit të Shqipërisë. Eshtë një retorikë e zellshme, për të mos i dhënë asnjë mundësi kulturës së dialogut politik, që nuk rilindi dot as me Edi Ramën, por edhe për të zhurmuar cdo mendim a zë se faji për ngurrimin europianëve, edhe kur janë mëse vullnetmirë për të na mbështetur, duhet kërkuar në Tiranën zyrtare. Së pari në shembullin e freskët të reformës në drejtësi, për 18 muaj, në asnjë nga momentet e ngërcit, kryeministri nuk tregoi vullnet as formal për të pasur një produkt të dakordësuar me opozitën, sic do duhej të ndodhte me një politikan që vetëofrohet si vizionar dhe votimi i paketës kushetuese me 140 vota nuk është për meritë të tij.
Së dyti është i njëjti politikan, që deri para tre vitesh në opozitë, e pengoi sa herë që mundi këtë proces. Teksa dëgjon retorikën e kryeministrit që flet plot pasion për amanetet e të parëve që ka marrë përsipër t’i cojë në vend, pasi “Tre vjet më parë Shqipëria ishte një vend i refuzuar, tre herë me radhë në tre vite rresht në përpjekjen për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian”, është e pamundur të mos argëtohesh minimumi, me shpresën që e ngroh kryeministrin se shqiptarët e kanë memorien e shkurtër, e nuk e kujtojnë se si e mbajti peng statusin e vendit kandidat, duke refuzuar të votonte në kuvend ligjin për Gjykatën e Lartë, atë për nëpunësin civil dhe rregulloren e Kuvendit, edhe pse ishin kusht I BE. E shmangu atë votim, herë për shkak të qarkut të Fierit, e herë se nuk ishte dakord me përmbajtjen e ligjeve, por e dha votën për to, edhe pse asnjë nga “kërkesat” e tij nuk mori drejtim, tre javë para zgjedhjeve parlamentare të 2013, kur ishte tepër vonë.
Natyrisht nuk ndihesh mirë që kryeministri i vendit tënd u vu në atë situatë të sikletshme në Berlin, edhe pse jo për faj të qytetarëve të vet. Zgjatja e këtij procesi është lajm i keq për qytetarët shqiptarë, pasi zvarritja thjesht mundëson vazhdimësinë e këtij modeli qeverisje, krejt i pakontrolluar. Nga ana tjetër është një shembull se propaganda e reformave të mëdha që “armiqtë“ nuk i shohin, nuk funksionon gjithmonë, pasi fjalët duhet të shoqërohen me rezultate të matshme.
Nga ana tjetër opozita që dikur në pushtet e vuajti bllokimin krejt politik të palës tjetër, ende nuk po guxon të bëhet modeli bashkëpunues në një proces, etapat e suksesit të të cilit, i ka prekur vetë kur ishte në qeverisje. Rezoluta e inicuar prej saj në nëntor të 2013, në mbështetje të integrimit europian të shqipërisë dhe e votuar unanimisht në parlament, mbeti një akt i vetmuar i inercisë qytetare më shumë se politike të PD, por nuk e vazhdoi më tej.
Cdo qytetar i këtij vendi e di dhe e prek vetë se sa pak e ngjashme është Shqipëria me klubin europian ku kërkon të antarësohet. Ashtu sic qartazi lexohet se vetëm kur janë në qeveri politikanët e këtij vendi, i referohen parimeve e atdheut për integrimin. Sa më e fortë kjo retorikë nga këta aktorë të vjetër, aq më e dukshme hipokrizia e fjalëve që nuk mbështeten në asnjë akt konkret ilustrues.