Home KRYESORE Ëndrra e venitur e demokracisë

Ëndrra e venitur e demokracisë

Duke u rreshtuar pro klanit Pronto, EULEX-i, gradualisht ka filluar ta venitë ëndrrën për demokracinë dhe gjakimin për një shtet ligjor. Deklarata e sotme e EULEX-it në raport me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, duke u rreshtuar prapa qeverisë së inkriminuar, fatkeqësisht fare lehtë mund të konsiderohet atentat ndaj shtetit të së drejtës.

Dr Sadri RAMABAJA

Prishtinë,  30 nëntor – Shumë qytetarë të Kosovës, tek ky mision që kishte zëvendsuar administratën amorfe të UNMIK-ut në fushën e së drejtës, kishte mbjellë shumë shpresë te një pjesë e shoqërisë sonë. Ata gjykonin me të drejtë, ose së paku duke u bazuar në logjikën që mbjell mendimi racional, se duke bashkëvepruar në këtë sferë të ndieshme të shtetit të së drejtës, ata do të kontribuonin që të instaloheshin në sistemin e drejtësisë, vlerat politike të Europës, që aq shumë gjakoheshin nga kjo shtresë e iliminuar e botës urbane kosovare.

Në këtë kuadër ishin pritjet pragmatike se,  duke pas këtë mision të veçantë të BE-së në Kosovë, do të jetë më lehtë të instaloheshin raportet transparente në rrafshin e ekonomisë, normat e shtetit të së drejtës, ato të shtetit të së drejtës, solidaritetit  me shtresat në nevojë të popullsisë që kishte bartur barrën kryesore të luftës për liri… duke krijuar kështu parakushtet që gradualisht të instalohen vlerat reale të Europës – ato që kanë të bëjnë me vlerat e Lirisë dhe pavarësisë.

Por duket se gjendja e kolapsit në raport me këto vlera nuk është e rastësishme. Bashkëfajtori kryesor për këtë është edhe misioni i EULEX-it. Prandaj rreshtimi i sotëm i EULEX-it prapa qeverisë autoritariste dhe klanit Pronto, është rrjedhojë e këtij bashkëpunimi të këtij misioni me këto struktura që me kohë.

Pikërisht shpërfqja lakuriqe e kësaj të vërtete, nxjerr në pah naivitetin e të gjithë atyre që kishin pritje të tepërta ndaj këtij misioni, por edhe gjykimin realist të atyre që me kohë kishin paralajmruar për mundësitë e koketimit të këtij misioni me oligarkët e Kosovës, pra me ata që nuk kishin asgjë të përbashkët me filozofinë dhe vlerat mbi të cilat është ngritur Bashkimi Europian!

Ndërkohë ne po konfrontohemi me fakte kokëforta, se këto shpresa, kjo pritshmëri e madhe ndaj këtij misioni, ishin thjeshtë një iluzion më shumë!  Në vend që ky mision të na ndihmonte në ngritjen dhe mëkëmbjen e shtetit të së drejtës, ai po bën, fatkeqësisht, të kundërtën! Në vend se ai të na ndihmonte  që t’ i përvetësojmë vlerat perendimore duke u përafruar me demokracinë reale, që ky popull për vite të tëra e gjakon, de fakto, duke koketuar me këtë band politikanësh, ai kontribuon që ne si shoqëri t’ i  largohemi këtyre vlerave!  Institucionet demokratike, të gjitha tok, përfshirë edhe tempullin e demokracisë – Parlamentin, tashti, ne si shoqëri po i largohemi më shumë realizimit të ëndrrës së madhe të shumë demokratëve. Shteti tashmë është i kapur; në dështim. Pikërisht ashtu si e dëshiron Serbia!

Kosova është dëshmuar tashmë, sidomos nga 28 Nëntori i vitit të kaluar, kur mbi 1500 policë të njësiteve elitare “pushtuan” selinë e një force politike realisht opozitare dhe arrestuan Albin Kurtin,  nuk ka të bëjë fare me shtetin e së drejtës. Ky fakt u ridëshmua ndërkoh, që nga tendenca për të ngritur në këmbë alibin për shpalljen si forcë terroriste dhe të jashtëligjshme VV (sic!), e deri tek mënyra se si iu qas dhe po i qaset Qeveria rastit të Astrit Deharit.

Nuk e kam krejt të qartë se a ka mundësi që EULEX-i të mos ketë informacion për faktin se, organet e ndjekjes, vetë nuk i besojnë variantit zyrtar tashmë të shpallur edhe në Kuvend?! Jo zyrtarisht, mirret vesh se, janë duke u hetuar pikërisht gardianët për vrasjen, me gjasë të porositur nga jashtë, ndërkohë që EULEX-i futet në hullinë e këtij makthi politik. Si nuk po lexohet objektivi i kësaj nomenklature të inkriminuar se përmes makthit politik, gjakut dhe zjarrit të paralajmruar, si mjeti i vetëm politik, ajo pretendon të mbetet në pushtet!

Oligarkia dhe rendi feudal

Në lëmin e ekonomisë mbizotërojnë raportet pothuajse feudale. Edhe raportet ndërnjerëzore janë në përputhje me logjikën e këtij rendi. Dominon droja për të ardhmen, instikti i hakmarrjes dhe urrejtja.

Rasti i 28 Nëntorit të vitit të kaluar, i shoqëruar me insistimin permanent për realizimin e dy marrëveshjeve tepër të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e Republikës – atë mbi Asociacionin e Komunave Serbe, që me të drejtë është ciklësuar si një Republikë Serbska në brendi të Kosovës, që e bën defunksionale Republikën, dhe atë mbi demarkacionin me Malin e Zi, që cenonte dhe cenon territoprin dhe integritetin e Republikës, duke kërcnuar realisht humbjen e diku 8300 ha tokë, që d.t.th. 1% e territorit të vendit, por edhe intenca prë ta paragjykuar grupin e të rinjëve aktivistë të Vetëvendosjes, si grup terrorist, e me këtë natyrisht vetë Vetëvendosjen, pavarësisht se veprat për të cilat ngarkohen, as për së afërmi nuk përmbushin kriteret për t’u cilësuar si vepra të asaj natyre, pra të gjitha tok, dëshmojnë se Kosova tashmë ia ka kthyer shpinën demokracisë.

Përgjegjësia e BE-së

Është e vetëkuptueshme se, për prosperimin e vendit tonë, po aq sa edhe për faktin se Reopublika është shndërruar në peng të dyshes marionetë – Mustafa-Thaçi dhe bandës që ata drejtojnë, jemi përgjegjës ne, qytetarët e saj. Por, me sjelljet e tij, me imponimet që ndërlidhen me marrëveshjen e 13 prillit 2013 dhe ato të gushtit 2015, po aq sa edhe me dështimin e EULEX-it, përgjegjësia kryesore bie mbi Bashkimin Europian.

Mafia politike e kryesuar nga dyshja Mustafa-Thaçi, e dëshmuar si e tillë sidomos në sistemin e ekonomisë dhe atë të drejtësisë, kurrë nuk do të arrinte ta mbante Republikën peng për kaq kohë, pa mbështetjen e Brukselit. Ky fakt notar, sado i dhimbshëm që është, duhet të evidentohet.

Duke toleruar llojin më morbid të privatizimit të aseteve të vendit (të kujtojmë qoftë edhe vetëm mënyrën si u privatizua KEK-u, rrjeti i shpërndarjes së energjisë, që me të drejtë nga një media e vendit u cilësua si “Haraçi turk”); duke e toleruar këtë bandë kriminale në objektivat e saj për të krijuar oligarkinë politike konform sivëllait të saj Erdogan, Brukseli ka kontribuar në instalimin e monopolit të plotë të kësaj bande në gjithë sektorët dhe me këtë ka toleruar edhe aktin makabër të vrasjes së ëndrrës qoftë edhe të venitur të demokracisë!

Share: