Nga Panajot Barka
Sulmi mediatik pa asnjë kriter moral ndaj Mimi Kodhelit është një ngjarje thellësisht e dënueshme që provokon neveri dhe të detyron minimalisht të bërtasësh me zë të fortë dhe publikisht “MJAFT më!!”.
Për një mendje të arsyeshme dhe të ftohtë publikimi i një materiali të tillë është i dënueshëm. Sido që të jetë, përbën shpifje dhe tregon gremisjen në batak të mjedisit publik. Në aspektin civil dhe etik ky sulm poshtërues përbën një kërcënim për vlerat humane dhe për moralin e çdo shoqërie të emancipuar dhe të hapur.
Aq me tëpër është i dënueshëm për faktin se ky sulm i ulët për një person publik po përdoret nga grupe mediatike nga të dy anët për të provokuar më shumë një klimë që po mbart një temperaturë relativisht të lartë ballafaqimi. Duke mos përbërë në asnjë rast dhe për asnjë moment apo situatë argument dhe duke u nisur nga ndjeshmeria dhe vlerat femerore dhe intelektuale që imponon vet Mimi Kodheli, ky sulm, mbart rrezikun e madhe të provokimit të një orteku të pakontrolluar reagimesh e kundërreagimesh dhe të imponimit dhe mënjanimit të arsyes më të ftohtë dhe më të fortë. Pra, po kthehet në mjet për të degjeneruar faktorin shoqëror në turmë, pa lënë asfare hapësirë për të parë e menduar nëse shoqëria e ka të nevojshme një zgjidhje të tillë (gjë që normalisht është e papranueshme) apo i imponohet dhe ajo s’ ka forca për të reaguar (gjë që është tëpër e rrezikshme).
Nuk besoj se mund të gjendet ndonjë argument për të justifikuar mediat greke që u morën me këtë akt të ulët. Nuk besoj se mund të tolerohet as fakti se ato u përkasin spektrit të një ekstremi të caktuar, as fakti se gazetarët që ndërmorën këtë akt janë periferikë dhe pa peshë në mediat greke dhe në opinionin publik grek. Nuk përbën justifikim fakti se për shoqërinë greke ngjarje të tilla, të karakterit të verdhë, kalojnë pa u vënë re dhe pa i bërë kujt përshtypje dhe mbi këtë bazë injorimi i tyre arrihet nëpërmjet intiferentizmit. (Siç edhe u veprua) Ngjarja nuk është e rëndë edhe për faktin se përbën shpifje, (por edhe jo). Eshtë më shumë e rëndë se u gjet një mënyrë e ulët vulgare, por tepër efikase për t’u rimarrë e ricikluar në anën shqiptare për t’u bërë pjesë aktive dhe argument për të motivuar në unison mediat dhe opinionin publik shqiptar në revanshin e tyre antihelen, por edhe për të venë në pozitë qeverinë greke, e cila ka kohë që me gjithfarë formash i kërkon Tiranës uljen e dyanshme të toneve të retorikës nacionaliste. Rezultati u dha plotësisht të drejtë!
Në anën shqiptare u manifestua në përgjithësi një zell për faktin se u erdhi në dorë një shfaqje e tillë e shëmtuar dhe e denueshme për të mbështetur dhe adresuar gjithë mllefin antigrek pa dallime dhe diferencime. (Në këtë sens mund të thuhet pa frike se autorët e njihnin ose e kishin të shkelur këtë terren.) Kështu, mediat shqiptare vrapuan për të promovuar ato pamje të renda, fyese dhe poshtëruese për një zonjë të respektuar dhe njëkohësisht deputete e ministre. Përse e bënë kur në pamje të parë tregonin “përkushtimin” absolut për ta marrë atë në mbrojtje!? Përse e bënë kur dihet se maturia dhe mençuria në raste të tilla përzgjedh heshtjen! E bënë për t’ua hedhur atë si ushqim turmës nacionaliste dhe nacionalizmit të sëmurë. Edhe pse mediat shqiptare evidentuan se bëhet fjalë për një grup të vogël mediash të krahut ekstrem dhe fare pa peshë në Greqi, në Shqipëri u fol për të gjithë mediat greke dhe shtypin grek (!!).
Edhe pse e dihet fort mirë (dhe nga mediat shqiptare) se shoqëria greke as që vuri re një postim të tillë dhe e kaloi totalisht në heshtje dhe pa me të voglin rëndësi, në shtypin shqiptar u gjet mënyra për të evidentuar dhe identifikuar me këtë akt të ulët gjithë shoqërinë greke pa përjashtim, për të përcjellë në vijim mesazhin e gabuar dhe të paqenë se shoqëria greke ushqen një antishqiptarizëm të skajshëm, ndaj është i justifikuar antihelenizmi shqiptar.(!!)
Në këtë sens, në mediat shqiptare u vu re ngutja e pafre për të mpleksur këtë akt me qeverinë greke dhe qëndrimet politike të dyanshme të kohëve të fundit, duke treguar me këtë rast një diletantizëm profesional, ose me sakt peshën masovike që i ka kapluar ato. Akti aq i dënueshëm u përdor përpos të tjerash si një mundësi për opinionin publik shqiptar për të manifestuar faktin se Minoriteti Etnik Grek në Shqipëri i gëzon deri në diskriminim pozitiv të drejtat e tij etnike etj. (!!)
Këto konkluzione i bën më të prekshme fakti se në një formë apo në një tjetër janë parë edhe në të kaluarën me efekte tëpër të rënda për marrëdhëniet midis dy vendeve. Po kujtoj njërin prej tyre, ndoshta të parin. Në fund të vitit 1991 një kuadër i OMONIA-s bëri një deklaratë personale në një nga gazetat lokale më të humbura të Greqisë, sikur OMONIA përpiqet për bashkimin e Vorio Epirit me Greqinë…(!!!) Gazetën, pavarësisht se ne nuk e gjetëm asnjeherë, “e gjeti” ambasada jonë në Athinë. Lajmi u përhap si rrufe në Tiranë dhe po shkaktonte termet dhe në ambasadat e huaja. Ambasada amerikane na kërkoi të distancohemi dhe distancimi u bë menjëherë në parlament, por askush nuk e besonte. Deklarata e këtij kuadri të OMONIAS, të cilën askush nuk e pa, u përdor si argument për ta përjashtuar OMONIAN nga e drejta për të qenë subjekt elektoral. Marrëdhëniet shqiptaro-greke u futen në zgrip. Ngjarjet u pasuruan me fshesat greke kundër emigrantëve të paligjshëm atëherë shqiptarë në Greqi. Erdhi dëbimi i një arkimandriti grek me argumentin se shpërndante harta irredentiste në dëm të Shqipërisë. Pasuan 6 kushtet e Micotakit, për të mbrojtur të ngjarja e Peshkopisë, arrestimet masive në minoritet, burgiosja e pesë të OMONIAS etj.
Po të analizohet me kujdes, kohët e fundit kemi të pranishme dhe po konsumohen të gjitha elementët e asaj periudhe të largët, pavarësisht nga krahu nga vijnë, por me një dallim, se faktorët ndërvepruese dhe përmasat e tyre janë shumfishë më me peshë. Shtojmë këtu faktin se në rastin e përpjekjes denigruese nga të dy anët të Znj.Kodheli, u nënvizua më shumë realiteti ballafaques pozitë – opozitë në vend, por edhe përpjekja për të hequr qafe në emër të patriotizmit antihelen disa figura publike që guxuan të nxjerrin në pah disa probleme e të meta që e bëjnë të vuaj shoqërinë shqiptare.
Te gjitha këto së bashku pra, e kthejnë në domosdoshmëri absolute jo vetëm thirrjen publike “MJAFT më !”, por edhe nëvojën për të venë në veprim arsyen e ftohtë dhe të matur , për të parë ato shumë gjera që i bashkon të dy popujt dhe jo ato pak që i ndajnë, për të parë të ardhmën dhe jo të shkuarën, për të parë paqën dhe jo luftën e ballafaqimin.