Home KRYESORE Pse terroristët godasin në Turqi (?!)

Pse terroristët godasin në Turqi (?!)

Nga Azem Parllaku

Mbrëmë Turqia u godit nga dy sulme terroriste në Stamboll dhe sipas raportimeve, shumica e viktimave kanë qenë policë të cilët besohet se ishin objektivi.

Shpërthimet ndodhën dy orë pas një ndeshje mes dy ekipeve kryesore të Turqisë, Beshiktash dhe Bursaspor. Nga viktimat, 27 ishin policë.
Presidenti Recepp Tayip Erdogan ka folur për ngjarjen. “Sot është organizuar një sulm terrorist, pas ndeshjes mes Besiktasit dhe Bursasporit. Sot kemi njerëz të lënduar dhe dëshmorë. Këto sulme po vijnë prej ISIS-it, organizatës FETO dhe terroristëve të PKK-së. Ne nuk do të përkulemi edhe para shteteve që i përkrahin këta terroristë. Ne do të vazhdojmë luftën kundër tyre. Ngushëllime dëshmorëve dhe shërim të lënduarve”, u shpreh ai.
“Turqia, e cila është kthyer në shënjestër për shkak se po prish lojërat e pista që luhen në rajon, nuk do t’i dorëzohet terrorizmit; përkundrazi, do të vazhdojë me vendosmëri maksimale luftën e saj kundër terrorizmit. Dënoj fuqishëm sulmin tradhtar në Adana. Mallkoj me gjithë shpirt terrorizmin dhe përkrahësit e tij. Lus Allahun që të mëshirojë viktimat dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit”, tha zv/kryeministri Kurtulmus nga llogaria e tij zyrtare dje në median sociale.

Sido që të jetë, aktualisht shteti turk ndryshe nga shtetet tjera është i detyruar për të luftuar turmën më të larmishme të njerëzve të jashtëligjshëm, të prirur për të shkatërruar mënyrën e jetesës së qytetarëve të tij në mijëvjeçarin e ri. Terroristët në Turqi, vënë në shënjestër jo vetëm shtetin, por edhe qytetarë turq të zakonshëm. Nën shënjestrën e terrorit janë vënë edhe mësues, gazetarë, klerikë myslimanë, teknikë e administratorë vendorë, të nuhatur nga terroristët si agjentë të shtetit dhe qeverisë.

Turqia është një mjedis ku veprojnë mbeturinat e epokës së Luftës së Ftohtë dhe besnikët e lëvizjeve politike më bashkëkohore. Këto të fundit ndjekin një larmi kauzash, duke pretenduar përfaqesimin e zemërimeve të ndryshme dhe kauzat e tyre përfshijnë shtypjen e një pakice etnike, shtypjen e një klase shoqërore, shtypjen e gjithë kombit nga “oligarkia”, shtypjen e myslimanëve nga “përbetimi sionist global”, etj.

Megjithëse të copëzuar për nga qëllimi, këta terroristë i kanë shkaktuar Turqisë një dëm të konsiderueshëm, ku si pasojë e akteve të terrorit që nga viti 1984 e deri parmbrëmë kanë humbur jetën më shumë se tridhjetëepesë mijë qytetarë turq.
Përgjatë viteve 1970, problemi më i madh i Turqisë me terrorizmin kishte të bënte me marksistët, në vitet 1980, me seperatistët kurdë, në vitet 1990, ndër grupet tjera terroriste, ishin fundamentalistët islamikë ata që ranë më shumë në sy. Në shekullin e 21-të, Turqia është e kërcënuar nga bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i bandave dhe banditëve vendas me terroristët dhe terrorizmin ndërkombëtar.

Autoritetet dhe ekspertët e luftës ndaj terrorizmit në Turqi, kanë ngritur pyetjen se: çfarë e shtyn një shtetas turk të rekrutohet për llogari të organizatave terroriste dhe të marrë pjesë në aktet e tyre të paligjshme?! Emëruesit e përbashkët që ata kanë zbuluar, dëshmojnë se, një terrorist turk i zakonshëm ka inteligjencë mesatare, nuk është shumë i ndjeshëm ndaj mjedisit, është i mbyllur në vetvete dhe manipulohet lehtë. Ajo që është interesante në lidhje me këto përfundime është se midis terroristëve të dënuar dhe atyre që dyshohen, ka ithtarë të ideologjive të ndryshme, shumica e të cilëve vijnë nga fshati, janë të pashkolluar, e flasin keq turqishten. Kushtet ekonomike, ndjeshmëria fetare (përfshirë divergjencat midis sekteve, si ai midis shumicës turke sunite dhe pakicës alavite), vetëdija etnike dhe trysnia nga strukturat shoqërore feudale e bën një qytetar të zakonshëm turk, të bie në rrjetën e organizatave terroriste.
Sfondi i terrorizmit në Turqi, ka njohur disa valë; Në fund të viteve 1960, është përjetuar vala e parë e terrorizmit politik, kur studentët marksistë rrëmbyen armët për të luftuar kundër regjimit. Kjo valë terrori, ku rrëmbimet, grabitjet dhe vrasjet vazhduan në harkun kohor të tre viteve, u fashit pas shtypjes së terroristëve nga ushtria turke, teksa një pjesë e udhëheqësve terroristë u arratisën nga vendi për në Europë dhe në vendet e Lindjes së Mesme.
Vala e dytë e terrorit është shënuar në vitin 1974, kur shumica e terroristëve të dënuar në vitin 1971, u liruan nga burgu falë një amnistie të motivuar politikisht të dhënë nga qeveria e kohës. Përgjatë këtyre viteve grupe më të mëdha dhe të zhdërvjellta, shpërthyen një terrorizëm të shfrenuar, që turqit nuk e kishin parë kurrë. Pas shtatorit të vitit 1980, rendi u vendos duke zbatuar ligjin e gjendjes së luftës në mbarë vendin, pasi Forcat e Armatosura, morën pushtetin nëpërmjet një grushti shteti pa gjakderdhje.
Në vitin 1984, pasi Turqia ishte rikthyer në demokraci, seperatistët kurdë filluan të sulmojnë avanpostet ushtarake në pjesën juglindore të vendit, duke njoftuar fillimin e një forme të re të terrorizmit në Turqi: konfliktin rural etnikisht nacionalist me intensitet të ulët. Kjo formë e re terrori i’u shtua asaj të llojit marksist urban më tradicional, ashtu dhe asaj të terrorit të fundamentalistëve islamikë, dhe zgjati deri në vitin 1999, pas një sërë operacionesh të suksesshme kundër terroristëve seperatistë kurdë, marksistëve dhe fundamentalistëve islamikë.
Ndërsa sot, shteti turk e “gjen” veten në një pozitë të pashmangshme detyrimi për të luftuar kundër valës së katërt të terrorizmit, si rrjedhojë e fajtorëve dhe fototekës së kriminelëve, me mbështetje morale, politike, materiale dhe strehuese si nga jashtë, ashtu dhe nga burimet e brendshme.
Shumica e organizatave terroriste turke edhe pse të jashtëligjshme gëzojnë njohjen e kauzës së tyre “të drejtë dhe të admirueshme”.

Cilat janë këto organizata dhe kush është kauza e tyre?

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK.

Midis viteve 1984 dhe 2000, përbënte kërcënimin terrorist më të madh në Turqi. Kjo organizatë maoiste, e cila pretendon se punon për të drejtat e kurdëve të Turqisë, aktualisht është duke pësuar një proçes transformimi.

Fronti i së Majtës Revolucionare, ose DEVSOL.

Një organizatë marksiste joetnike, e cila është e njohur për veprimtarinë e saj qytetëse dhe për sulmet kundër shtetasve dhe interesave amerikane në Turqi. Drejtuesit e kësaj organizate janë në arrati në Europën Perëndimore, kryesisht në Belgjikë.

Ushtria Marksiste-Leniniste Turke Çlirimtare e Punëtorëve dhe e Fshatarëve, ose TIKKO.

Organizatë me prirje fetare (shumica e anëtarëve i përkasin sektit të myslimanëve alavitë të Turqisë) aktive si në zonat qytetëse, ashtu dhe ato fshatare. Përkrahëse e luftës së fshatarësisë kundër sistemit TIKKO-ja i ka rrënjët e saj në vitet 1970, e megjithëse joracore në filozofi, rekruton një masë të madhe kurdësh të Turqisë.

Partia Marksiste-Leniniste Komuniste/Baza, ose MLKP/K.

Që kur ka filluar veprimtarinë e saj në vitin 1994 deri më sot, ka qenë e kufizuar brenda qendrave metropolitane të Turqisë. Është organizatë me anëtarësi joetnike dhe homogjene, e armatosur dhe e organizuar mirë në operacionet e saj.

Hizbullah, ose Partia e Zotit.

Kjo organizatë islamike fundamentaliste, që nuk duhet ngatërruar me adashen e saj libaneze, përbëhet kryesisht nga anëtarë kurdë dhe synon të ndërtojë një shtet islamik kurd në Turqi. Hizbullahu e shikon PKK-në si armik të Islamit, dhe e ka akuzuar se: është përpjekur të krijojë një bashkësi ateiste, të mbështesë sistemin komunist, që bën përpjekje për të përcarë popullin përmes veprimtarish shoviniste duke ushtruar trysni mbi popullin mysliman. Autoritetet turke besojnë se Hizbullahu u vu nën kontrollin iranian në vitin 1993, teksa gëzon një bazë mbështetëse ndërmjet kurdëve ultrafetarë të Turqisë. Pas vitit 2000, anëtarët e mbetur të Hizbullahut kane nisur negociatat me grupe tjera islamike fundamentaliste terroriste turke, për të konsoliduar forcën e tyre.

Fronti i Mësymësve të Mëdhenj Islamikë të Orientit, ose IBDA-C.

Kjo organizatë relativisht e re ka rekrutuar ish-fundamentalistë marksist islamikë, duke krijuar kuadro militantësh tejet të arsimuar, dinamikë, e të vendosur, që i kanë vënë vetes qëllimin të shkatërrojnë sistemin në Turqi dhe t’a zëvendësojnë me një sistem islamik fundamentalist. Anëtarët e saj predikojnë ndjenja patriotike shumë të fuqishme, një pozitë që bie ndesh me mësimet islamike, të cilat e minimizojnë rëndësinë e nacionalizmit.

Islami Hareket, ose Lëvizja Islamike.

E frymëzuar nga Irani, Lëvizja Islamike ka qenë përgjegjëse e një valë vrasjesh dhe sulmesh kundër intelektualëve shekullarë dhe objektivave cifutë në Turqi. Besohet gjerësisht se këtë organizatë e ka udhëhequr Irfan Cagrici, i cili vrau krahas intelektualëve shekullarë turq, edhe shumë disidentë iranian në Turqi.

Përveç këtyre lojtarëve më të mëdhenj, në Turqi veprojnë një numër grupesh terroriste më të vogla kurde, marksiste dhe islamike fundamentaliste. Megjithëse më të vogla këto grupe, janë përgjegjëse për një seri vrasjesh të intelektualëve, ushtarakëve, dhe sulmesh me bomba kundër objektivave izrealitë dhe amerikanë.

Share: