Në një kohë që aksionet për kapjen e Klement Balilit vazhdojnë ende, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka dërguar për verifikim një oficer të policisë së Sarandës.
Burime pranë grupit hetimor thanë se dyshohet se i cilësuari si “Eskobari i Ballkanit”, ndihmohej nga ky oficer me të dhëna mbi operacionet e policisë.
Ndonëse nuk bëhet publik emri i tij, SHKB ka nisur verifikimet dhe për të gjithë grupin e operacionales, i cili përgjatë këtyre tre ditëve ka ndërmarrë aksione për kapjen e 44 vjeçarit në Gjirokastër, Sarandë, Ksamil si dhe në Durrës.
Operacioni më i fundit u bë dhe në Tiranë, por sërish pa sukses nga ana e uniformave blu. Nga ana tjetër edhe pse policia ka pasur kontakte me familjarët e Balilit, ata nuk kanë pranuar të japin informacione mbi vendndodhjen e tij.
Burime pranë grupit hetimor thanë se ish-drejtori i transporteve të Sarandës mund të jetë larguar ilegalisht nga vendi nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Klement Balili akuzohet per trafik ndërkombëtar narkotikësh ndërsa ne dosjen voluminoze te mbërritur nga Greqia, kërkohet edhe hetimi pasuror për 44-vjeçarin./vizion plus