Home KRYESORE Lajçak: Nuk ka vlerësime për Shqipërinë pa u mbyllur zgjedhjet e 2017

Lajçak: Nuk ka vlerësime për Shqipërinë pa u mbyllur zgjedhjet e 2017

Këshilli Europian pret nga Shqipëria përmbushjen e kritereve që i janë përcaktuar dhe se një vlerësim për verfikimin e rezultateve nuk vjen para zgjedhjeve të 2017-ës.

Shqipëria nuk duhet të jetë e zhgënjyer, por e kënaqur, tha Miroslav Lajçak në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Edhe një herë tjetër Bashkimi Europian u thotë vendeve të Ballkanit Perëndimor se integrimi u kërkon që të djersijnë.

Ministri i Jashtëm Sllovak, i vendit që mbyll presidencën e radhës së BE-së, Miroslav Lajçak, tha pas mbeldhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së se nuk është çështje dhurate, bëhet fjalë për punë të fortë, të besueshme e që nuk ndalet.

Edhe pse Shqipërisë nuk ju hapën negociatat, një ndër parashikimet e presidencës sllovake, Lajçak tha se shqiptarët nuk kanë arsye të jenë të zhgënjyer. Sipas tij ishte vërtetë parashikim, por jo objektiv i realizueshëm për shkak se shumë çështje janë në lojë.

“E rëndësishme është që Shqipëria ka dhënë rezultate me miratimin e reformës themelore të drejtësisë dhe çfarë duhet tani është zbatimi i saj. Duke folur për konkluzuionet ka një qëndrim shumë të qartë se ne nuk do të na duhet të presim progress-raportin e pranverës 2018. Ka një impenjim nga komisioni që t’i kthehet vlerësimit të Shqipërisë sapo të ketë rezultate konkrete. E përsëris: Ky është një rezultat i qartë e pozitiv dhe besoj se Shqipëria duhet të jetë e kënaqur me të”.

Nuk ka kalendar, por në çdo rast vlerësimi i rezultateve konkrete nuk vjen pa u mbyllur zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

“Këshilli dhe Komisoni do të ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Duhet të zbatohet legjislacioni, të respektohet vlerat, standardet dhe parimet europiane dhe ato lidhen edhe me zgjedhjet. Për mua element thelbësor është fleksibiliteti. Nuk duhet të jemi peng i një kalendari, por të vlerësojmë gjithmonë progresin shqiptar, të mbledhim mjaftueshëm fakte dhe prova të progresit të bërë. Është një mekanizëm i ashtuquajtur “Urë” që na duket diçka pozitive.

Zgjerimi tha Lajçak, është një rrugë me 2 korsi, nëse sheh rezultate, natyrisht që unioni e mban fjalën./Lapsi.al

Share: