Home KRYESORE Edi deportuesi?

Edi deportuesi?

Nga Dritan Shano

Rritja alarmante e prirjes se shqiptarëve të vitit 2015 për t’u larguar nga Shqipëria, një vend që shpreson të hapë negociatat për anëtarësim në BE është rezultat i drejpërdrejtë i politikave të qeverisë për rritje taksash, burgosje të qytetarëve, përkeqësim të kushteve të të bërit biznes, dhe korrupsionit galopant. 100.000 azilantë në Gjermani, dhe kushedi sesa të tjerë në vende të tjera. 200.000 shqiptarë që mbushin kartat e llotarisë amerikane, pavarësisht sa nga këta realisht do kenë mundësi të shkojnë. Po për në Kanada? Zoti e di! Po a është kjo dora e Zotit? Që do t’i shpëtojë shqiptarët nga qeveria e vet? A ka zbritur Mozeja në Shqipëri t’i thotë Edi Rames t’i lërë shqiptarët, njerëzit e Zotit të ikin? Të ikin nga vuajtja që i ka gjunjëzuar?

Dukshëm shqiptarët sot nuk e besojne klasën politike, jo vetem pse ende shohin të njëjtët njerëz që kanë shpërdoruar shanse e shpresa pa fund, por sepse degjenerimi i politikës, zaptimi i saj nga krimi është sot i dukshëm, i prekshëm si kurrë më parë. Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e rrëzuar moralisht tek shqiptarët ikin nga vendi, duke vendosur të lënë këtu vetëm qeverinë që të qeverisë veten, por jo ata dhe fëmijet e tyre. Qeveria rri kryesisht në këmbë për shkak te mosbesimit që njerëzit kanë tek fytyra e sotme e politikës.

Jo vetëm kaq por ajo vazhdon të qëndrojë në këmbë pse e ka mbushur Parlamentin me deputetë të inkriminuar. Qeveria e sotme i shikon shqiptarët si bezdi dhe të pagdhëndur. Ajo nuk ka ndërmend t’i shërbejë atyre. Ajo e sheh qeverisjen thjesht si një akt inçesti me pushtetin. Çdo orë e çdo minutë. Me çdo VKM dhe Ligj që miraton. Ajo çka PS dhe LSI mund të tentojnë ta shesin si qeverisje nuk është veçse një inçest perpetum me pushtetin dhe me krimin që e mban në këmbë. Dhe tenderat që financohen me paratë e shqiptarëve. Si ata që martoheshin dikur brenda fisit për të ruajtur pasurinë. Sa më i inkriminuar, me dosje, spiun etj. aq me kushëri i afert. Aq më kollaj inçesti.

Shqiptarët besimhumbur e shohin këtë, dhe zgjedhin një aventurë tjetër në 2015. Të ikin nga sytë këmbët. Me gjithë familje. A është kjo politikë, dhunë shtetërore, arbitraritet, paturpësi e pafundme një akt gjakftohtë? Apo një gjëndje psiqike? Nuk ka asnjë justifikim për çfarë ndodh sot në Shqipëri. Asnjë argument. Argumenti i së shkuarës është ezauruar me ardhjen në pushtet të kësaj qeverie. Gjithë çka ndodhur në këto 2 vjet, tregon se kjo qeveri është më e pa-afta, me injorantja dhe më e papërgjegjshmja që pas Luftës së II Botërore. Kjo qeveri thotë se viti 2014 ishte viti i ripërtëritjes ekonomike dhe vetëm në Janar 2015 Banka e Shqipërisë e lajmëron qeverinë se shqiptarët janë 4.8 ”“ 6 përqind më të varfër se në 2013. Pak muaj më vonë dhe INSTAT e lajmëron qeverinë se shqiptarët që punojnë në administratë janë 1-2 përqind më të varfër se në 2013. Lajmerojnë qeverinë e shqiptarëve, se shqiptarët e dinë vetë këtë gjë. Dhe prandaj ikin nga sytë këmbët. Ndërkaq Kryeministri Edi Rama, tek pranon me dashuri dhe lartësim vetjak Ministrin e ri te Drejtësisë dhe njëherësh dhe të pafuqisë së tij, vazhdon të thotë se kjo është një qeverisje e sukseshme.

Ndoshta është kështu, por duke parë numrin e atyre që ikin dhe duan të ikin, me shumë se qeverisje e suksesshme kjo duket si një formë e suksesshme deportimi të shqiptarëve. Shqiptarët gjithjë kanë ikur nga Shqipëria. Por asnjëherë kaq shumë dhe asnjëherë kur qeveria u thotë se ata janë më mirë se dje dhe se pardje. Mos janë çmëndur të gjithë ata? Mbetet të vendosim do ia lëmë Shqipërinë qeverisë, dhe të deportohemi me parate tona, apo do rrimë vetë këtu dhe do e kapim qeverinë me shkelma?! Të tjerat janë retorikë.

Share: