Home KRYESORE Ja lista e plotë e akuzave serbe ndaj Ramush Haradinajn

Ja lista e plotë e akuzave serbe ndaj Ramush Haradinajn

Kreu i AAK –së, Ramush Haradinaj u ndalua dje nga policia franceze në bazë të një urdhër – arresti të lëshuar nga Serbia prej vitit 2004. Po për çfarë e akuzon Beogradi ish –kreun e UÇK –së? Prokuroria e Serbisë për krime lufte e akuzon Haradinajn se në vitin 1997, së bashku me vëllezërit e tij Dautin dhe Shkëlzenin, ka organizuar “sulme terroriste” ndaj policisë serbe në rajonin e Dukagjinit.

Haradinaj akuzohet edhe për themelimin e njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Shqiponjat e zeza”, të cilën Prokuroria e Serbisë e konsideron përgjegjëse për torturimin dhe vrasjen e dhjetëra civilëve serbë, trupat e të cilëve janë gjetur në Liqenin e Radoniqit dhe në disa puse në komunën e Deçanit.

Ish –kryeministri i Kosovës akuzohet edhe për vrasje masive të serbëve në zonën e Glloxhanit. Sipas Prokurorisë serbe për krime lufte, në verë të vitit 1998, në pemishten e Glloxhanit ishin gjetur kufomat e mbi 20 personave të vrarë.

Gjykata e Hagës më 4 mars të vitit 2005 ngriti akuza kundër Haradinajt për krime kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, të kryera prej marsit deri më 30 shtator 1998, kur ai ishte Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.

Por në vitin 2012, Gjykata e Hagës e liroi Haradinajn nga të gjitha akuzat, duke e shpallur të pafajshëm. Prokuroria serbe për krime lufte thotë se ka në dorë dëshmi më të forta kundër tij./Lapsi.al

Share: