Home KRYESORE 20 mjekë në burg në dy vitet e fundit. Zbardhen detajet e...

20 mjekë në burg në dy vitet e fundit. Zbardhen detajet e draftit për dënimin e mjekëve

Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta Shëndet+ dhe Shëndeti Online

Ministria e Shëndetësisë prej disa kohësh është angazhuar për të bërë ndryshime në Kodin Penal për gabimet mjekësore. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka theksuar se duhen qartësuar pozitat dhe përgjegjësitë e mjekëve, duke e lënë drejtësinë të veprojë sipas rastit.  Sipas tij, kjo kishte si qëllim moslejimin e boshllëqeve në legjislacion që çonin në dobësimin e figurës së mjekut  dhe të gjithë sistemit shëndetësor.

Ekspertë të fushës nga Ministria e Shëndetësisë, Fakulteti i Mjekësisë, Shkolla e Magjistraturës, Fakulteti i Drejtësisë, Urdhri i Mjekut dhe Avokati i Popullit u mblodhën muajin tetor për të diskutuar rreth kësaj çështjeje dhe për të sjellë propozimet e tyre konkrete për ndryshime në Kodin Penal.

Urdhri i Mjekut, i kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, na njeh me disa shifra që mund të konsiderohen të frikshme për bluzat e bardha, ku për dy vitet e fundit janë dënuar 20 mjekë. Ndërsa numri i mjekëve të përballur me proceset gjyqësore, është shumë herë më i lartë.  Gjithashtu Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekut, flet për propozimet që i kanë bërë ministrisë lidhur me ndryshimet në Kodin Penal.

Doktor Brahimaj, ky vit nuk ka qenë dhe aq “i bardhë” për mjekët. Sa është numri i mjekëve të dënuar me burg dhe sa është numri i mjekëve që janë përballur dhe po përballen me procese gjyqësore gjatë dy viteve të fundit?

Në vitin 2015 rezulton të jenë 12 mjekë të dënuar me burg. Për 2016-n janë dënuar me burg 8 mjekë. Kjo është një shifër tepër e lartë marrë parasysh që Amerika me mbi gjysmë milioni mjekë, në vitin 2015 kishte vetëm 3 mjekë në burg. Ndërkohë vendi ynë me rreth 7.000 mjekë ka 12 të dënuar brenda një viti. Për më tepër ka edhe shumë mjekë të përfshirë në procese gjyqësore. Edhe numri i mjekëve të gjobitur gjithashtu është shumë.

Aktualisht jam vënë në dijeni për rastin  e dy mjekëve që u është pezulluar licenca për 2 vjet në Berat. Njëri është mjek urgjence, tjetri është mjek familjeje. Të gjithë dënohen për mjekim të pakujdesshëm. Prandaj kërkojmë që të ndahet mjekimi i pakujdesshëm nga gabimi mjekësor që nuk dënohet.

Mjekimi i pakujdesshëm përkufizohet: bërja apo mosbërja e një veprimi që një i kujdesshëm nuk do ta bënte apo do ta bënte. Ideja është që veprimet e kujdesshme janë veprime që parashikohen në protokoll, ai që quhet standard mjekësor i aprovuar. Shumë herë protokolleve u thonë udhëzues. Italianët në amendimin e ligjit thonë: po zbatoi protokollin, nuk duhet të mbajë përgjegjësi. Nëse është shmangur protokolli, nuk mban përgjegjësi nëse argumenton që përse e ka shmangur, pra, paraqet veçoritë e rastit që e kanë detyruar të shmanget protokolli.

Lidhur me gjobat që u vihen mjekëve, kush i paguan? A ka spitali buxhet të përcaktuar apo mjekët i paguajnë nga xhepi?

Jo. Në shumë raste gjobat ua kalojnë spitaleve. Në spitalin e Vlorës një pacient ka fituar një gjyq, ku po i merr spitalit 100 mijë euro dëmshpërblim. U dyshua për tumor, por nuk doli me tumor.  Spitali i Vlorës nuk ka para të japë aq shumë për një pacient. Përsa i përket dëmshpërblimit të të sëmurëve, theksoj se aktualisht rreth 90% e gjyqeve që bëhen kundër mjekëve, arsyeja e vërtetë është se kërkohen dëmshpërblime për dëmtime serioze apo invaliditet të parë pas traumave që pretendohen që s’janë ndjekur si duhet apo pas ndërhyrjeve kirurgjikale që s’janë bërë si duhet, gjithmonë sipas pretendimit të pacientit.

Po përgatitet një projektligj në komisionin e ligjeve. Cilat janë propozimet që ka dhënë urdhri për ndryshimet në Kodin Penal?

Unë u kam dhënë modelin slloven që ka disa nene, është shumë i gjerë. Kanë bërë një draft në komisionin e ligjeve.  Propozimi im është i plotë si vijon:

“Kur mjeku apo personeli tjetër mjekësor gjatë praktikës profesionale kryejnë mjekim të pakujdesshëm, domethënë kryejnë veprime që bien ndesh me udhërrëfyesit, protokollet apo standardet profesionale të miratuara ose, në mungesë të tyre, nuk zbatojnë logjikën mjekësore në përputhje me kualifikimin profesional dhe rrethanat e ndodhura, dhe për pasojë të këtyre veprimeve dëmtohet rëndë shëndeti, rrezikohet jeta e të sëmurit apo shkaktohet vdekja e tij, dënohen me gjobë apo burgim jo më shumë se 3 vjet”./shendet+

Share: