Forcat RENEA në bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë e Vlorës kanë arrestuar autorin e vrasjes së trefishtë të ndodhur më 28 korrik të vitit 2013 në plazhin e një hoteli në zonën e Ujit të Ftohtë. Delin Hajdaraj, 26 vjeç, ka qenë i dënuar në mungesë.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për lokalizimin e vendodhjes së këtij shtetasi, rreth orës 20:30 të mbrëmjes, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij në katin e katërt të një shtëpie të marrë me qera jo larg vendit ku ai kreu krimin.
Më 28 korrik të vitit 2013, në bashkëpunim me shtetasin Leo Osmeni, 23 vjeç (i arrestuar në flagrancë dhe i dënuar me 35 vite burg), Delin Hajdaraj vrau me automatik Diana Ademin 53 vjeç nga Vlora, Sokol Isufaj 35 vjeç nga Fieri dhe Serdi Bajlozi 18 vjeç nga Prrenjasi.
Policia e Vlorës, duke patur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të tij, ka kërkuar ndihmë nga Forcat Speciale Renea Tiranë, të cilët në bashkëpunim kanë realizuar kapjen e këtij shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm, i cili kishte rreth 4 vite në arrati.
Policia dispononte informacion se ky shtetas strehohej edhe në 2 banesa të tjera me qira brenda në qytet.
Të tre banesat, i mbante me qira që prej muajit Gusht të vitit 2016 dhe i përdorte për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë.
Pas ndërhyrjes dhe neutralizimit të personit nga Forcat Speciale Renea, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në zonën e “Plazhit të Vjetër” Vlorë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– një armë zjarri të llojit Pistoletë TT,
– një silenciator,
– një krëhër të mbushur me fishekë,
– 37 copë fishekë në total, të kalibrit 7.62 mm,
– 2 aparatë celularë. /Lapsi.al