Telefonata e shumëpritur u krye. Donald Trump dhe Vladimir Putin folën me njëri-tjetrin për 50 minuta pasditen e së shtunës.
Komunikimi i parë mes dy Presidentëve, që nuk i kanë kursyer lavdet për njëri-tjetrin është interpretuar si “embrioni i ndërtimit të marrëdhënieve të reja mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Lajmin për kryerjen e telefonatës e ka shpërndarë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, jo nga foltorja e zakonshme, por përmes platformës së preferuar të shefit të tij, Twitter-it.
“Pas bisedës prej 45 minuta me Angela Merkel, Presidenti i Shteteve të Bashkuara është duke realizuar telefonatën e tretë nga pesë të tilla me krerët botërorë, me Presidentin rus, Putin”, shkruan ai, duke e shoqëruar këtë me një foto ku me telefon në vesh është Donald Trump në prani të zëvendësit të tij, Mike Pence dhe anëtarë të tjerë të stafit.
Lidhur me përmbajtjen e asaj që u fol në 50 minuta bisedë mes dy presidentëve nuk ka asnjë të dhënë, si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Moska. Ajo që dihet është se telefonata është mirëpritur në Rusi, ndërsa në SHBA dhe Europë kritikët e politikave të Putinit janë në ankth. Ata i tremben mundësisë që Trump të braktisë zotimet e Shteteve të Bashkuara në kuadër të NATO-s.
Vetë Trump gjatë fushatës elektorale pati deklaruar disa herë se do të rishikojë kontributet e Uashingtonit në Aleancë.