Për vitin e dytë radhazi, pjesa më veriore e planetit po përjeton një valë të paparë ajri të ngrohtë. Studiuesit e klimës thonë se nuk kanë parë kurrë diçka të tillë.
Në përpjekje për të kuptuar se çfarë po ndodh, Zëri i Amerikës foli me Mark Serreze, drejtor në Qendrën Kombëtare për të Dhënat e Dëborës dhe Akullit (NSIDC) me qendër në Denver të shtetit Kolorado.
Mes veprimtarive që merret qendra janë edhe paralajmërimet për flotën amerikane për të shmangur akullin gjatë lundrimit, vëzhgimi i temperaturave, i sistemeve atmosferike dhe i shtresës së akullit në Arktik dhe Antarktidë gjatë gjithë vitit.
Ndryshimet klimatike gjatë dy viteve të fundit, sipas zotit Serreze, janë të pashembullta.
Si ndryshim radikal, ai përmend “rrymat ajrore shumë të ngrohta mbi oqeanin Arktik, aq ekstreme sa që temperaturat në Polin e Veriut po i afrohet pikës së ngrirjes.”
Shkaku është “një model i pazakontë rrymash të ngrohta ajrore në oqean, që ka ndikuar në krijimin e shumë stuhive të fuqishme në Arktik me prejardhje nga oqeani Atlantik”
Këto rryma ajrore lëvizin me shpejtësi të madhe për rreth globit. Rrymat polare janë më të fuqishmet, që qarkullojnë mes nëntë dhe 12 kilometra mbi nivelin e detit. Ato lëvizin me shpejtësi më të madhe se 100 kilometra në orë.
Këtë dimër dhe të mëparshmin, rrymat ajrore polare kanë bërë atë që bëjnë përherë, thithjen e ajrit të ngrohtë të lagësht nga tropiku dhe shtyrjen e tij drejt arktikut. Kështu funksionon sistemi atmosferik, thotë zoti Serreze, duke e transferuar ajrin e ngrohtë e të lagësht nga zonat pranë ekuatorit tek ato polare ku ajri ftohet dhe çliron energjinë e përftuar.
Ndryshimi, thotë ai, është se rrymat ajrore mbi oqean janë më të forta se zakonisht dhe kombinimi i tyre me stuhi më të fuqishme se zakonisht po krijon këto momente të motit tejet të ngrohtë.
Zoti Serreze thotë se hulumtuesit e motit po përpiqen të gjejnë se çfarë po ndodhë dhe për këtë ka dy teori.
Një pjesë e shkencëtarëve argumentojnë se “kjo është pjesë e tekave të natyrës”.
Serreze thotë se kjo mund të jetë një prirje e motit që ngjason me sistemin El Nino “ku këto prirje atmosferike zgjasin për pak kohë”. Nëse është kështu, ky fenomen i pazakontë mund të vazhdojë për disa vite dhe pastaj të largohet dhe mund të përsëritet herë pas here.
Teoria tjetër është se “mungesa e akullit në disa zona kritike të oqeanit është shkaktari i rrymave të pazakonta ajrore.”
Nëse ky skenar është i saktë, zoti Serreze thotë se kjo përbën shqetësim. Nëse është mungesa e akullit që shkakton këtë rrymë ajrore, dhe rryma nga ana e saj ngre temperaturat, kjo atëherë përbën një cikël të dëmshëm fenomenesh që ushqejnë njeri tjetrin.
Serreze thekson se nuk ka një konsensus mbi teoritë sepse në realitet, thotë ai, ne po shohim shfaqjen e këtyre ndryshimeve më shpejt se sa kemi mundësi t’i kuptojmë ato. Ai gjithashtu thekson se madje edhe me këto rryma ajrore të ngrohta, në veri është mjaft ftohtë dhe shumë akull po akumulohet, por jo aq shtresa të trasha dhe sasi të mëdha si zakonisht.
Kjo nënkupton, sipas ekspertit, fillimin e sezonit tjetër të shkrirjes së akullit me shtresa më të holla, që është e lehtë të shkrihet. Mund të kemi formime shumë të pakta akulli, thotë ai, çfarë mund të çojë në të ardhmen në një Arktik pa akull. Situata kohore është e paqartë, shton eksperti, megjithëse sipas parashikimeve mund të kemi një Arktik pa akull përpara vitit 2100 dhe ndoshta gjatë 20 apo 30 viteve të ardhshme/360grade.al.