Home KRYESORE PROTESTA?! NJË REBUS POLITIK NË TIRANË!

PROTESTA?! NJË REBUS POLITIK NË TIRANË!

Nga Sulejman Abazi

Të provokosh në politikë është shumë e rrezikëshme, pasi humbja dhe pasojat kanë kosto shumë të lartë. Jemi disa muaj para fushatës elektorale. Gjatë mandatit të PS-së në këto tre vite e gjysëm, PD-ja ka pasur mjaft kohë që t’i organizojë më parë protestat, duke ftuar qytetarët në shesh.

Pyetja shtrohet direkte:

Pse pikërisht tani në këtë kohë, me kërkesën për ta rrëzuar qeverinë dhe “të kalohet në qeveri teknike”?

Kjo pyetje meriton analizë, për të cilën opinion ka të drejtë të dijë. Me sa duket në PD, është krijuar bindja e humbjes së zgjedhjeve të radhës në qershor dhe rruga më e pranueshme për opozitën, që ta kapërcejë këtë ngërç partiak, mund të jetë “qeverija teknike”. Në kushtet e kësaj lloj qeverisje, është më e mundëshme ndërhyrja, presioni, deri tek mundësia e manipulimeve me mekanizmat “elektoralë” që janë përdorur edhe më parë.

Së dyti, kuptohet lehtë që nuk ka ndonjë alternativë apo program afatgjatë të opozitës, e cila nëpërmjet analizës serioze të dështimeve, gabimeve, fajeve dhe krimeve të strukturave në qeverisjen aktuale, të arrijë të bind opinionin shqiptar mbi reflektimin e besueshëm të saj, drejt një qeverisje më të mira. Programi opozitar për rrugëzgjidhjet e krizës social politike mungon.

Populli dhe turmat që dynden në protestë, si një revoltë gjoja jashtë partive politike, as vet nuk e dinë se çfarë kërkojnë, pasi kjo shihet më parë tek liderët që drejtojnë protestën. A pranohet që çështjet politike të personalizohen, siç ndodh rëndom në Shqipëri? Ku shfaqet këtu interesi qytetar, përveçse faktit “ik ti, që të vijmë ne”?! Personalizimi tek emri i Ramës, nëse nuk u pëlqen fytyra e tij apo ndonjë politikani tjetër, urrejta individuale ndaj tij, nuk presupozon aspiratën e shqiptarëve për një qeverisje më të mirë, në të njëjtën kohë që, mjaft prej drejtuesve të protestës që nga Berisha, Basha, Mediu etj, janë objekt i vetingut dhe dekriminalizimit, janë njerëz që mbajnë përgjegjësi të plotë për periudhat qeverisëse, po aq sa partia sot në pushtet. Kjo mënyrë proteste me këtë objektiv, nuk zgjidh asgjë për qytetarin e thjeshtë shqiptar.

Atëherë: Si i përgjigjet pozita, dhe më pak koalicioni qeverisës protestës?

Revoltës së protestuesve, që më shumë se sa thelbi i një kauze politike, i ngjan nxemjes paraelektorale, ajo nuk i përgjigjet me masa adekuate, të cilat duhet të burojnë nga kritikat e krahut tjerër politik.

Ku është gjendja reale për të marrë vendimet përkatëse për një qeverisje më të mirë?

A ka analizë serioze në koalicionin qeverisës për përmirësimin e situatës, veçanërisht gjendjes ekonomike?

Mos vallë edhe për pozitën kjo ka të bëjë me testimin e situatës dhe gjendjes elektorale?

Nëse pozita konstaton se është humbëse, atëherë mund të priten rrugë të paligjëshme, veprime ekstreme, akuza bajate të përsëritura që tentojnë të mbulojnë krizën.

Për hir të së vërtetës, koalicioni qeverisës nuk i ka mbajtur mjaft premtime dhe në krahun opozitar si dhe brenda PS-së, vlerësohen mjaft akuza të drejta. Çështja e përfolur e kanabizimit përtej Lazaratit, korrupsioni në administratën shtetërore, koncesionet si të ashtuquajtura reformë, por që në fakt kanë bërë dorëzimin e shtetit, mungesën e goditjes së krimit dhe përfshirja në një lojë politike pa principe morale, politike e shoqërore, janë disa drejtime thelbësore, ku koalicioni qeverisës duhet të kishte refklektuar thellë. Në këtë luftë Policia e Shtetit krahas arritjeve, ka shumë mungesa, të cilat kushtëzohen nga statistikat e situatës së sigurisë në vend.

Megjithatë, opozita e sotme e ka kujtesën të freskët për vrasjet dhe plagosjet në protestën e 21 janarit të vitit 2013, që sipas deklarimit të Berishës, “u krye një krim shtetëror”, por që nuk u rrëzua qeverisja e koalicionit PD – LSI. Me vrasjet e 21 janarit, qeverisja Berisha duhej të dorëhiqej, por kjo nuk ndodhi. Mosprishja e ritualit të zgjerdhjeve të zakonëshme, u bë moto edhe e ish ambasadorit të SHBA-ve, Arvizu, i cili normalizoi situatën. Qeverisja e Sali Berishës vazhdoi punën e saj deri në zgjedhjet e qershorit. Pushteti politik nuk u ndërrua, duke respektuar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Atëherë: Përse kërkohet 4 muaj para zgjedhjeve të merret pushteti, apo të rrëzohet koalicioni PS – LSI?

Është frika e opozitës nga humbja e zgjedhjeve të ardhëshme, apo të realizohet një rrëmujë që do t’i shërbente faktorëve destabilizues me mendësinë e mbrapshtë për t’i shpëtuar vetingut?!

Mund të jetë edhe ndonjë zë në hije i faktorit ndërkombëtar, për të shkuar në zgjedhje pa Edi Ramën dhe Ilir Metën, pa imunitetin e tyre, me një qeverisje teknike, e cila do ta shpëtonte situatën dhe do t’u qetësonte veshët ambasadorëve nga akuzat dhe kundërakuzat që kanë ndodhur rëndom në politikën shqiptare, në çdo situatë paszgjedhore. Fituesi i zgjedhjeve në Shqipëri asnjëherë nuk është njohur nga humbësi.

Vendosmëria e SHBA-ve dhe BE-së për ta çuar vetingun dhe dekriminalizimin e Politikës dhe të Drejtësisë, nuk ka të bëjë me emra të veçantë, çfarë na lë të nënkuptojmë që, do të ketë çudira parazgjedhore, por më shumë do të shohim një spektakël të tillë paszgjedhor, që do të mund të qetësonte sadopak vetëdijen e tronditur të shqiptarëve.

Share: