Home KRYESORE Meta: PD të rikthehet në Kuvend, dialog me OSBE-në

Meta: PD të rikthehet në Kuvend, dialog me OSBE-në

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkon rikthimin e opozitës në Kuvend javën e ardhshme, për të dialoguar për çështjet të cilat PD i ka ngritur si shqetësime rreth zgjedhjeve të 18 qershorit.

Meta tha në emisionin “Zonë e Lirë” se Basha duhet të kthejë deputetët në Kuvend për të ndjekur axhendën e Kuvendit dhe për të bërë të mundur nisjen e dialogut me OSBE/ODIHR.

Propozimi i kryetarit të LSI ishte që deputetët e PD të rikthehen në Kuvend dhe njëkohësisht të vijojnë edhe protestën, e cila sipas tij, është një e drejtë e tyre.

I pyetur për kërkesën e PD për qeveri teknike, Meta tha se rruga e ultimatumit është e papranueshme.

“Shpresoj që opozita të rikthehet në Kuvend që javën e ardhshme. Të vazhdojë dialogu për çështjet që mund të zgjidhen.

Rruga më e mirë është vazhdimi i axhendës së parlametntit dhe të vendosjes së një dialogu që adreson disa nga shqetësimet kryesore të opozitës, të cilat krijojnë një klimë sa më garantuese për zgjedhjet e 18 qershorit që të gjithë të jenë të qetë.

Opozita jashtë parlamentit është pa sens. Ky është një parlament legjitim. Zgjedhjet që përcaktuan këtë parlament janë zgjedhje të organizuara nga PD.

Pse të mos kemi dy procese, edhe parlamenti të vijojë punën normalisht, por edhe protesta le të vijojë.

Rruga më e mirë është vazhdimi i axhendës së parlamentit dhe të vendosjes së një dialogu që adreson disa nga shqetësimet kryesore të opozitës, të cilat krijojnë një klimë sa më garantuese për zgjedhjet e 18 qershorit që të gjithë të jenë të qetë

Qeveria teknike? Çështja e besimit nuk zgjidhet me ultimatume nga njëra palë. Opozita të vijë në parlament, të vijojë axhenda e parlamentit dhe njëkohësisht të vijojë dialog me OSBE/ODIHR-in për të zgjidhur disa çështje që janë të mundshme për t’u zgjidhur për zgjedhjet e 18 qershorit.

Për mua është e papranueshme rruga e ultimatumit. Të bëjmë gjithçka për të mos sakrifikuar zgjedhjet e 18 qershorit pasi janë shumë të rëndësishme.

Pa arritur standardet në këto zgjedhje do e kemi të pamundur hapjen e negociatave, sikurse edhe nisja e zbatimit të Vettingut është një tjetër kusht serioz”, u shpreh Meta.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm për një takim me kryetarin e PD, Lulzim Basha, Meta tha se kryetari i opozitës është i mirëpritur.

“Z.Basha ka qenë gjithmonë i mirëpritur nga unë si kryetar i Kuvendit dhe ju e dini që ai ka ardhur dhe unë e kam ftuar përpara miratimit të reformës në drejtësi. Në çdo moment jam i gatshëm. Është një detyrim, është një respekt”, tha Meta.

Koalicioni

LSI nuk ka ende një vendim për koalicionin e ardhshëm zgjedhor. Meta tha se LSI është në koalicionin qeverisës dhe po përmbush detyrat e saj.

“Kemi punë të tjera më të rëndësishme. Koalicioni është interes i LSI-së dhe PS-së, por këtu kemi interesa edhe më të mëdha. Koalicioni po funksionon. Jemi në një koalicion, vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, po përmbushim detyrat tona, por për zgjedhjet e ardhshme nuk vendos dot unë”, tha Meta.

Ilir Meta President?

Kryetari i LSI mohon përfshirjen e tij në garën për Presidentin e ri. Meta theksoi se kreu i ri i shtetit duhet të jetë një zgjedhje sa më konsensuale.

“Kam thënë që unë jam kryetar i LSI, kam marrë një mandat për të drejtuar këtë lëvizje dhe nuk mund t’i shmangem kësaj përgjegjësie. Çështja e Presidentit dhe e gjithë kjo klimë po krijon shumë probleme në një kohë shumë të shkurtër. Çështja e Presidentit nuk ka lidhje fare me mua. Duhet të bëjmë një zgjedhje dinjitoze të Presidentit nga ky parlament. Dhe parlamenti i ri fillon punë në shtator.

LSI ka për interes që Presidenti të jetë institucion i cili të na ndihmojë për një klimë të qetë për zgjedhjet. Presidenti i ri të jetë sa më konsensual që të jetë e mundur”

Share: