Vetëm dy minuta pas vendimit të presidentit maqedonas, Gjorgji Ivanov për të mos i dhënë mandatin e kryeministrit Zoran Zaev, portali rus ‘Sputnik’ e ka dhënë lajmin ndër të parët, duke i dhënë një peshë të madhe pjesës tjetër të deklaratës.
“Rrëzohet platforma e Tiranës” e titullon shkrimin me foton e Ivanov që jep edhe lajmin e refuzimit të mandatit. “Ivanov, i cili nuk është votuar nga shqiptarët e Maqedonisë ka dhënë dy vendime me dekretin e tij: së pari i ka shpallur luftë shqiptarëve të Maqedonisë dhe së dyti një shteti fqinj si Shqipëria”.
Kjo pasi për herë të parë një drejtues i Shkupit zyrtar e thotë troç se nuk do të lejojë një qeveri që i ka shqiptarët partner. “Po çdo të ndodhë pas kësaj? Padyshim ka vetëm një rrugë që kanë zgjedhur Ivanov dhe shefi i tij Gruevski: përplasja me shqiptarët. Një “Lagje Trimash”, por me përmasa të mëdha. Sot ka rënë Marrëveshja e Ohrit, por edhe Maqedonia në një farë mënyre.
Ivanov ka refuzuar jo një qeveri, por shqiptarët në qeveri si subjekt i barabartë. I do vetëm për të ndarë poste, por jo plaftorma dhe projekte. Por ajo që është më e rëndësishme është se Ivanov ka rrëzuar SHBA-në dhe BE-në duke zgjedhur Rusinë.
Vetëm mbrëmë Uashingtoni deklaroi se duhet t’i jepet mandat Zaevit, por Ivanov e ka refuzuar. Që sot është hapur një front i ri në Ballkan, një konflikt i ri që pritet të përshkallëzohet nga dita në ditë” shkruan Sputnik./lapsi.al