Presidenti sirian Bashar al Assad ka kritikuar veprimet e Shteteve të Bashkuara në Siri, duke i quajtur trupat amerikane të dislokuara në Manbij të sirisë, si pushtuese, pasi ai nuk i kishte dhënë leje të hynin në vend dhe tha se nuk kishte asnjë veprim konkret nga administrata Trump kundrejt ISIS.
“Çdo trupë e huaj që vjen në Siri pa ftesën tonë, pa u konsultuar dhe pa lejen tonë, është pushtuese, pavarësisht nëse janë amerikanë, turq apo të ndonjë vendi tjetër”, tha Assad.
Lideri sirian i bëri këto komente në një intervistë me një televizion kinez, intervistë kjo e ribotuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Siri, Sana.
“Amerikanët kanë humbur pothuajse çdo luftë. Kanë humbur në Irak, nga ku në fund u detyruan të tërhiqen. Kanë humbur në Somali, në Vietnam në të shkuarën apo në Afganistan. Nuk kanë pasur sukses askund ku kanë dërguar trupa. Kudo kanë shkaktuar kaos. janë shumë të mirë për të krijuar probleme dhe shkatërrim, por shumë të këqij për të gjetur zgjidhje”, tha Assad.
Marinsat amerikanë kanë mbërritur në Sirinë veriore me artileri, për të mbështetur forcat lokale në luftimet atje. Luftëtarët e mbështetur nga SHBA po përgatiten të hyjnë në javët e ardhshme në qytetin e Rakas, kryeqyteti i vetëshpallur i Shtetit islamik.
Pentagoni dhe marina kanë refuzuar të konfirmojnë dislokimin për shkaqe sigurie. Ata po ashtu nuk kanë specifikuar vendndodhjen ekzakte të forcave apo numrin e tyre. Ndërkohë, rreth 100 trupa amerikane janë vendosur në dhe përreth Manbij-it në Siri.