Home KRYESORE Greqia e shokuar nga “manifesti” i Erdoganit: U ka vënë syrin territoreve...

Greqia e shokuar nga “manifesti” i Erdoganit: U ka vënë syrin territoreve tona!

Media greke ka reaguar ashpër ndaj një publikimi të cilin e quan “manifesti shokues i Erdoganit”, ku Presidenti turk ka shprehur hapur pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe Qipros, mes të tjerash.

“Protothema” thotë se Qendra për Kërkime Strategjike Turqia e Re” ka publikuar një libër me 1450 faqe dedikuar asaj që pranohet si “Betimi i Shenjtë” i turqve, apo “Marrëveshja Kombëtare”.

Në këtë libër analistët turq shprehin hapur pretendimet territoriale ndaj vendeve fqinje.

Gazeta greke thotë se kjo s’do kishte rëndësi nëse parathënia nuk do të ishte shkruar nga vetë Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Në parathënie të librit, Erdogan shkruan se “Republika Turke mund të jetë themeluar në vitin 1923 por rrënjët e saj shkojnë shumë më thellë. Republika Turke nuk është shteti ynë i parë por i fundit. Vendi ynë ka një të kaluar historike prej më shumë se 2 200 vitesh.”

Aty ai e quan Luftën e Parë Botërore si lufta e ndarjes. “Quhet kështu për shkak të ndarjes së territoreve të Perandorisë Osmane e cila kishte çelësat e naftës, Kanalit të Suezit dhe tregtisë ndërkombëtare. Kur Perandoria Osmane po hynte në luftë territoret e saj shtriheshin në 2.5 milionë km. Kur ne themeluam Republikën kishim 780 000 km të mbetura.

Parlamenti Osman e shpalli Marrëveshjen Kombëtare, si minimumin e territoreve që ne mund të pranonim. Asambleja Kombëtare që u mblodh pas themelimit të Republikës e pranoi plotësisht këtë “Marrëveshje Kombëtare” që i shtonte kufijve tanë eksiztues Mosulin, Kirkukun, Aleppon, Trakën Perëndimore (Greqi), Batumin, Qipron dhe disa ishuj.

Ju mund ta kuptoni interesin dhe përfshirjen tonë në atë çfarë ndodh në Siri, Egjipt, Irak, Libi, Ballkan dhe Kaukaz duke shikuar të kaluarën tonë historike. Historia do të japë përgjigjen më të mirë për ata që thonë “ç’punë ka Turqia në këto vende?” Është e qartë se: Lufta I Botërore nuk ka përfunduar ende… kushti i parë i betejës tonë është të mos harrojmë Marrëveshjen kombëtare.”

“Protothema” thotë se është e rëndësishme të mbahet në mendje se këto janë shkrimet e Presidentit turk dhe jo të një lideri ekstremist të një partie të vogël.

“Presidenti Erdogan nuk mund të ishte më i qartë rreth qëllimeve të tij të ardhshme në lidhje me fqinjësinë tonë…pyetja është çfarë bëjmë ne për këtë? Shkurtojmë shërbimin ushtarak me disa muaj, mbase?”, shkruan gazeta greke./tvklan.al

Share: