Home KRYESORE Kandidati për president i Serbisë: Kosova s’është jona, ja çfarë do bëj

Kandidati për president i Serbisë: Kosova s’është jona, ja çfarë do bëj

Kandidati për president të Serbisë, Nenad Çanak, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka thënë se retorika aktuale politike në Serbi nuk dallon shumë nga ajo e Millosheviçit.

Ai premton se nëse zgjidhet në krye të shtetit serb do ta iniciojë ndryshimin e kushtetutës, në të cilën Kosova nuk do të ishte e pranishme sepse, sipas tij, nuk është pjesë e Serbisë. Çanak po ashtu synon t’i japë autonomi Vojvodinës, Shumadisë dhe Sanxhakut.

“Është shumë e rëndësishme që të futet në kokën e njerëzve në Serbi se Kosova është e humbur për ta dhe kjo ka ndodhur për dy arsye.

E para, për shkak të politikave të gabuara të shtetit serb ndaj shqiptarëve për vite me radhë dhe e dyta, sepse Serbia e ka humbur luftën më 1999-n”.

Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Zëri” kandidati për president të Serbisë, Nenad Çanak.

Madje sipas bashkëthemeluesit të partisë së qendrës së majtë, Liga e Social-Demokratëve të Vojvodinës, një ndër tri prioritetet e tij nëse do të zgjidhet president i Serbisë do të ishte ndryshimi i kushtetutës së shtetit serb, në të cilën Kosova nuk do të ishte pjesë e saj.

Në mesin e prioriteteve ai ka edhe krijimin e një samiti me të gjithë presidentët dhe kryeministrat e rajonit për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet “pezull” dhe “pyetjet e hapura” të cilat i kanë shtetet në mes vete.

I pyetur nga gazeta “Zëri” nëse kundërkandidati i tij për president, kryeministri aktual Aleksandër Vuçiç, zgjidhet në krye të shtetit serb, a do të njohë pavarësinë e Kosovës, ai ka thënë se si një politikan pragmatist që është, Vuçiç do të bëjë gjithçka përveçse ta thotë haptazi se Kosova është e pavarur.

Share: