Home KRYESORE Ndryshimi i Nenit 449 cfare amniston përfundimisht? 21 janarin dhe Gërdecin?

Ndryshimi i Nenit 449 cfare amniston përfundimisht? 21 janarin dhe Gërdecin?

Në disa portale është botuar gjatë ditës së sotme një lajm mbi ndryshimin e Nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 449 para ndryshimit thotë se “vendimet e pafajësisë për krime mund të rishikohen me kërkesën e prokurorit, me kusht që të mos kenë kaluar 5 vjet nga dhënia e vendimit”.

Neni 449 pas ndryshimit thotë se “nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”.

Pra, kush është shpallur i pafajshëm nuk mund të dënohet më, ndërsa kush është dënuar një herë nuk mund të dënohet më tepër, nëse rihetimi dhe ridënimi i rëndojnë pozitën.

Ndryshimi ka ngjallur reagime të shumta duke u konsideruar një ‘amnisti’, nga e cila përfitojnë ata që kanë blerë pafajësinë tek gjykatat, pasi çështjet nuk mund të rihapen më.

A mbyllet çdo shteg për të riçuar para drejtësisë ngjarjet e ’97, Gërdecin, 21 Janarin, vrasjet e bujshme, skandalin me rrugën Durrës-Kukës etj?

Anëtarë të majtë të Komisionit të Ligjeve thonë se ndryshimi nuk amniston krimet e politikës.

Por juristë të pyetur nga DITA thanë se vërtet dosjet me procedurë si ato të rrugës Durrës-Kukës nuk preken nga ndryshimi, pra ato mund të rihapen dhe gjykohen, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për çështjet që janë gjykuar.

Rigjykimi i këtyre çështjeve komplikohet.

Një shembull: Gardistët që vranë në 21 janar, janë dënuar për vrasje nga pakujdesia. Asnjë rigjykim nuk mund t’i ridënojë ata për një vepër që rëndon pozitën e tyre pra u rrit dënimin.

Po Sali Berisha a mund të gjykohet për 21 janarin? Pra a mund të rihapet 21 janari me akuzë të re dhe të pandehur të rinj?

DITA pyeti një juriste të njohur nëse kjo është e mundur.

Përgjigja është që teorikisht kjo është e mundur, sepse neni 450, pika C thotë se vendimi rishikohet “kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar”.

Por një rihetim dhe një rigjykim i çështjes do të marrë patjetër në konsideratë procesin e mëparshëm. Kjo do të thotë që Berisha nuk mund të gjykohet ta zemë për urdhër-dhënie pasi kjo zhvlerëson dënimin e gardistëve për vrasje nga pakujdesia, dënim i cili nuk mund të rishikohet sepse rëndon pozitën e të dënuarve.

E thënë shkurt, ndryshimi vërtet nuk i bën të pamundura rigjykimet, por duhet pranuar që i bën shumë të interpretueshme. Në të gjitha rastet, ndryshimi i Nenit 449 e komplikon rigjykimin.

E njëjta gjë mund të thuhet për dënimet e formës së prerë për anëtarë të gjykatave që janë akuzuar për korrupsion.

Nëse ata kanë marrë pafajësi, asnjë rigjykim nuk mund të bëhet dhe sita e Vettingut këtu mund të ngecë – tha i njëjti jurist për Dita.

Referuar procesverbalit të votimit, rezulton se ndryshimi i bërë nga Komisioni i Ligjeve është votuar në parlament nga deputetët e PS, LSI dhe PDIU dhe është miratuar në seancën e 30 marsit.

Deputetët që ndryshuan nenin në Komisionin e Ligjeve janë: Vasilika Hysi, Dashamir Peza, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Vexhi Muçmataj, Luan Rama, Silva Çaka, Anila Agalliu, Edmond Leka, Tahir Muhedini, Adelina Rista

Disa prej tyre të pyetur pse e kanë votuar këtë ndryshim thonë se duhet lexuar me kujdes Neni 450 dhe se kanë zbatuar një direktivë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Por asnjë prej deputetëve të pyetur nuk dëshironte të deklarohej publikisht mbi ndryshimin dhe kërkuan të citohen në kushte anonimati./dita

Share: