Home KRYESORE Asambleja socialiste dhe ditari i Lej Fen-it

Asambleja socialiste dhe ditari i Lej Fen-it

Nga Desada METAJ

Një Asamble zgjedhore që shndërrohet në arenë lajkash për shefin dhe mesazhesh të përsëritura. Kjo është fjalia që mund të përkufizojë shkurtimisht atë ç’ka ndodhi në takimin e sotëm të drejtuesve të lartë të PS. Vetëm Gramoz Ruçi, instiktet e pagabueshme të të cilit shohin vështirësi në zgjedhjet e qershorit, dukej të ishte i shqetësuar dhe i përgatitur për agjendën e shpallur të mbledhjes. Fjalimi i tij ishte një mesazh i qartë për bazën dhe drejtuesit në rrethe të cilët në fakt ishin mbledhur për të dëgjuar dhe përcjellë frymën e zgjedhjeve të ardhshme e jo të dëgjonin mesazhe që i drejtoheshin sa Lulzim Bashës sa Ilir metës. Janë këta socialistë motorri i vërtetë elektoral i kësaj partie që në fund të fundit prej javësh dëgjojne e ridëgjojnë refrenin se “nuk do të ketë qeveri teknike” se aleati LSI është afër dhe larg koalicionit të ardhshëm dhe që sigurisht e kanë të qartë se nuk do të pyeten ata për këtë koalcion, sepse Edi Rama dhe Ilir Meta do ta vendosin diku tjetër nëse do të shkojnë bashkë në zgjedhje. Kjo nuk mund të vendoset as në pallatin e sportit ku Edi Rama mban fjalimin e radhës dhe as në Kuçovë ku Ilir Meta ja merr valles me të rinjtë.

Të përgatisësh strukturat për zgjedhje e të flasësh ende se si e “gjetëm Shqipërinë para 4 vitesh” apo të merresh ende me “çfarë tha Saliu” tregon qartë se ose je shumë i sigurt në fitore dhe në koalicionin që do të marrë shumicën e votave, ose muajt e fundit të qeverisje 4 vjeçare ku shkëputja nga realiteti dominon mbi çdo krizë politike që të gjithë socialistët në sallë e shohin më qartë se ata të tribunës.

Te rideklarosh se nuk do të ketë qeveri teknike, që do të shkosh në zgjedhje edhe pa opozitën apo të thumbosh sërish aleatin tënd të paqartë në vendimin për zgjedhjet e ardhshme është një kakofoni e panevojshme në një sallë me aktivistë të qartë socialistë që nuk mund të motivohen nga historitë e çadrës së demokratëve apo nga shkëmbimet cic-mice të deklaratave me LSI. Aq më pak lajkat qesharake dhe elozhet për kryeministrin nga ministra apo drejtues të tjerë të lartë duken si të dala boje brenda një partie që tashmë nuk e fsheh dot rivalitetin e brendshëm. Edhe pse Edi Rama përpiqet t’i ulë bashkë në një kafe para mbledhjes Erion Velinë dhe Saimir Tahirin, nuk ka më socialist që nuk e di apo ndjen në forma të ndryshme se tashmë rivaliteti i pashpallur nuk ka kthim pas. Bateritë, stafet dhe një pjesë e medias janë tashmë pjesë e këtij rivaliteti që rrezikon të marrë përmasa të reja në një konfirmim të mazhorancës pas zgjedhjeve të qershorit. Pasi po të kthesh pak kokën pas, kujton qartë se çdo mandat i dytë i PS ka qenë i tillë, i mbushur me rivalitete që kanë sjellë copëzimin e pashmangshem të partisë.

Ndaj për të gjitha këto, fjalimet e sotme të Asamblesë më shumë se mesazh dhe frymëzim për socialistët e mbërritur nga gjithë Shqipëria ishin nje show mediatik me regji qëndrore që ravijëzoi qartë jo vetëm rivalitetin mes Veliajt dhe Tahirit në PS, por dhe garën qesharake se kush i bën më shumë qejfin Edi Ramës është jo vetëm kandidat i sigurt për deputet por ndoshta dhe ministër i ardhshëm.

Sepse, me sa duket, masterat dhe doktoraturat e elitës së re të PS nuk kanë lënë pas dore teoritë e vjetra komuniste përfshirë dhe ditarin e heroit imagjinar të revolucionit kinez, shokut Lej Fen që shkruante : “kryetari Mao Ce Dun i ngjan babait. Ideologjia e Kryetarit Mao i ngjan diellit. Babai në çdo rast kujdeset për mua. Dielli me rriti mua”….

Share: