Zbritja e këtij personazhi nga malësia nuk ishte aspak e rastësishme. Atje femna duhet të ishte medoemos fisnike, mikpritëse, e sakrificës, me kurajo e trimëri. Sa i takon çështjes së nderit, atë e zgjidhte “fisheku në pajë”.
Migjeni zgjodhi të guxonte dhe të zbulonte Luken rrugëve të qytetit, në një kohë kur të gjithë kishin ngritur sytë drejt ballkonit ku priteshin të vareshin çarçafët e saj, me njollë të kuqe.Lukja malësore zbret në qytet e bëhet femën publike, duke shënuar kështu momentin e parë të dramës së saj.
Ajo kishte ëndrra. Dhe ato ëndrra kushtonin plot dyqind napolona.
Momenti i dytë i dramës së jetës së kësaj femne për ironi, erdhi kur ajo mendoi se ia doli. Gjeti një burrë dhe u martua. Burri i saj një kallajxhi i falimentuar i prish paratë dhe e ketrajton. Lukja çmendet!
Autori zgjodhi ta braktisë personazhin e vet në përfundim të novelës. Në fakt, zgjodhi të ishte realist nga fillimi e deri në fund. Lukja nuk mundi t’ja dilte në një shoqëri të maskave, në një shoqëri ku gjithçka duket por nuk është, ku gjithçka qeshet por që thellë lëngon.
Rrethanat shoqërore ishte e thënë që të diktonin jetën e saj. Lukja mundi të kapërcente mbi mentalitetin e kohës, por nuk mundi të hidhte valle mbi të.
Po ju, a njihni Luken? Jo atë të Migjenit, por atë që jeton një kat më sipër, atë që pret çdo ditë krah teje në stacionin e urbanit, atë që ndan bankën e shkollës me ty, zyrën e punës, atë që fsheh sytë për të mos parë të nxirat e një nate më parë.
Edhe sot ka moralistë që rrudhin vetullat, ulin sytë, shtrëngojnë dhëmbët, përpara Lukes, por jo se iu cënohet ndërgjegja, por sespse vazhdojnë ende ta ndrydhin atë fort.
Kanë kaluar vite dhe Lukja vazhdon të endet rrugëve në kërkim të votrës së ngrohtë familjare, por jo si e nënshtruar. Kanë kaluar vite dhe meshkujt vazhdojnë të jenë në kërkim të “moralit”, e vajzave të moralshme. Jo si Lukja! Edhe pse vjedhurazi gjejnë shpëtim në strofullën e tyre. “Nuk vihet dora në zjarr për asnjë femër sot”, thonë meshkujt. Edhe ata më të shkolluarit, edhe ata që kanë parë botë me sy. Kjo mendësi i ndrydh vajzat dhe i detyron ato të vihen përballë dy zgjedhjeve: të pranojnë luftën e pabarabartë dhe të heshtin ose të rebelohen.
Femna duhet të ruaj ndershmërinë. “Kurvlliku” është punë për burrat!
*Foto në krye mund të konsiderohet si fotoja e parë shqiptare nudo. Është shkrepur nga Pjetër Marubi në vitin 1878.