Home KRYESORE Edhe njëherë për Çamët

Edhe njëherë për Çamët

Nga Indrit Vokshi

Pronat e çamëve nuk janë cënuar prej bashkëpunimit të pretenduar me italianët a gjermanët – ky është preteksti. Kufizimet pronsore kanë nisur në vitet ’20, pronat janë rregulluar edhe me <<Ligjin Detyrues>> 735, 8/15 qershor 1937 “Mbi muslimanët të quajtur me origjinë shqiptare dhe mbi dhënien atyre të pronave të rivendikuara” (Fletore Zyrtare 228/ 1937). Për të mbrritur mandej tek konfiskimi me justifikimin e bashkëpunimit me pushtuesit.

Problemet pronsore dhe politike u agravuan pas deklarimit të përfaqësuesit grek në Lozanë se çamët nuk janë turq e kësisoji nuk mund të shkëmbehen në bazë të marrëveshjeve turko-greke.
Kështu, shteti grek, vendosi t’i akomodojë në pronat e çamëve grekët e sjellë nga Turqia me qëllim bërjen sa më të vështirë të jetesës për çamët që këta të largoheshin vetë. Por ata nuk u larguan megjithëse në duar iu mbeti një konflikt i madh pronsor që gjatë luftës shkaktoi përplasje me armë.

Pra kishte një politikë strategjike homogjenizimi nga ana e grekëve, kundër minoriteteve, politikë e cila përveçse eleminoi fizikisht 2900 çamë, dëboi rreth 25.000, shkretoi 65 fshatra dhe 5.500 shtëpi, vrau dhe dëboi edhe rreth 50.000 hebrenj të Greqisë.

Kjo politikë nuk nisi në 1941-1944. Për hebrenjt filloi në 1890 me ngjarjet e Korfuzit e Lavkadës, mandej në 1931 me ngjarjet e Selanikut. Kurse për çamët, në 1913. Ta kuptojmë, ishte politikë strategjike e hershme.

Pretendimet për bashkëpunim me pushtuesit janë preteksti, duhet përmendur. Unë po lexoj korrespondenca të Inspektorit Ekonomik të Ministrisë së Ekonomisë së Greqisë, Evangjelos Palaskas dhe ai raporton për një bashkëpunim shumë të mirë e të përzemërt mes shtetit grek dhe administratës ushtarake italiane. Ai rrefën se si administrata italiane, z. Pelissoni i ndihmon për të verifikuar e mbledhur taksat në Çamëri, madje iu jep edhe ushtarë të Karabinierisë Mbretërore me vete. Dhe të tjera detaje që dëshmojnë bashkëpunim.

Le ta dinë njerëzit që nuk është ky shkaku, pavarësisht se një pjesë e çamëve kanë përkrahur Italinë, siç një pjesë tjetër e çamëve kanë krijuar batalionin prej 500 vetësh të regjimentit XV të ELAN-it grek, kundër pushtimit.

Mbi ketë bazë, politika e jashtme e shqiptarëve lypset të ngrihet mbi tezën se rivendikimi i pronave të çamëve nuk mund të shërbejë si shkak konflikti mes dy vendeve por, përkundrazi, si akt afrimi e pajtimi. Duke rivendikuar pronat, të drejtat, shteti grek do të ndikonte për mirë tek të gjithë shqiptarët të cilët nuk do të kishin kundrejt Greqisë ketë predispozicion që kanë sot. Ky do të ishte një akt i madh paqtues për Ballkanin.

Share: