Home KRYESORE Kush janë disa nga ndikimet e krizës në eurozonë në Ballkanin Perëndimor

Kush janë disa nga ndikimet e krizës në eurozonë në Ballkanin Perëndimor

Qe një kohë kur po rriteshin shqetësimet në vendet e Ballkanit Perëndimor mbi pasojat që do të kishte kriza e borxhit në eurozonë mbi ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, në lidhjet ekonomike të këtyre vendeve me Italinë dhe Greqinë.

Sipas një raporti të Bankës Botërore atëkohë, shqetësimi përmblidhej në zvogëlimin e rrjedhës së investimit dhe tregtisë, rënies së mundshme të dërgesave në para nga emigracioni dhe rënies në veprimtarinë e bankave.

Italia, Greqia bashkë me Austrinë dhe Francën, qenë vendet që goditën më ashpër sektorin bankar të rajonit të Ballkanit.

Banka Botërore parashikonte se rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor nga 2.5 për qind në vitin 2011 do të ishte më e vogël se kaq në vitin 2012; megjithëatë në qoftë se kriza në eurozonë do të bëhej (sikundër u bë) më keq, parashikimi i mësipërm do të rishikohej me drejtim poshtë.

Vendet anëtare të BE kishin një vend dominues në ekonominë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (pa Kroacinë), gjë që vërtetohej nga fakti se 58.2 për qind e totalit të eksporteve të këtyre vendeve në vitin 2010 u drejtua për në tregun e BE – së (kryesisht Itali dhe Gjermani).

Dobësitë kryesore të ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin defiçitet e mëdha fiskale si përqindje kundrejt PBB; ato nuk ishin aq të mëdha sa ato të dhjetë vendeve të Europës Qendrore Lindore, por megjithëatë, e drejta e hyrjes për financim u bë problem.

Defiçiti i përgjithshëm i llogarisë korente si përqindje kundrejt PBB – së ishte më i lartë se ai i dhjetë vendeve të Europës Qendrore Lindore.

Hapja e tregtisë si përqindje e PBB – së solli një element të dobësisë lidhur me ekonominë globale, me shenja të ngjashme me ato të dhjetë vendeve të Europës Qendrore Lindore.

Borxhi publik si përqindje e PBB – së ishte dhe është shumë i lartë në Shqipëri, Serbi dhe në Mal të Zi.

Financimi i huaj i bankave si përqindje e PBB – së ishte i lartë, veçanërisht në Serbi dhe Bosnje – Hercegovinë.

Vetëm bankat greke zotëronin 27 për qind të sektorit bankar në Bullgari, 25 për qind Maqedoni, 17 për qind Rumani, 16 për qind Serbi dhe 11 për qind Shqipëri.

Borxhi tejet i madh i Greqisë dhe stanjacioni afatgjatë i ekonomisë greke e uli tashmë zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit, gjë që hodhi dyshimin se kriza në eurozonë do të pengonte integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Megjithëatë, kriza e borxhit e Greqisë e vuri në nivele të ulta rritjen ekonomike në vende të tilla që kishin lidhje të forta ekonomike me Greqinë si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia (plus Serbinë ku Greqia ishte një investitor i huaj kyç).

Pasoja negative që u shkaktuan me anë të një disponueshmërie më të ulët të huave nga bankat greke, të cilat bashkë me bankat italiane dhe austriake luajtën një rol domethënës në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni (10 deri 15 për qind të tregut).

Ndikim pati në rënien e dërgesave në para nga emigracioni, veçanërisht, në Shqipëri, nga 600 000 emigrantë që punonin dhe jetonin në Greqi, të cilët sipas vlerësimeve të ndryshme llogariteshin ndërmjet 12 dhe 15 për qind të PBB – së së vendit.

Kriza në eurozonë pati ndikim gjithashtu në politikën e jashtme të BE – së për shkak se politika e jashtme të BE – së do të kishte më pak kohë për arsye se liderët do të angazhoheshin më shumë në zgjidhjen e problemeve ekonomike.

Pati më pak para, për shkak të rënies ekonomike dhe për rrjedhojë më pak para në dispozicion për ndihmë për vendet që aspironin të integroheshin në BE.

Fuqia e BE – së si një bashkim që tërheq me lulëzimin e rajonit dhe me një model që funksionon mirë ra.

Që nga koha kur kishte filluar të përhapej frika financiare nëpër eurozonë, në qershor të vitit 2010 ranë jo më pak se shtatë qeveri të tjera si në Hollandë, Sllovaki, Belgjikë, Irlandë, Finlandë, Portugali dhe Slloveni.

Në më pak se 18 muaj ranë 9 qeveri, shto Greqinë dhe Italinë, ndjekur nga Spanja ishte një fakt për t’u shënuar dhe, në këtë kontekst euro u konsiderua si një makinë vrasëse qeverish.

Ja Ballkani Perëndimor sot, ja problemet e veçantë që kanë disa vende, ja treguesit ekonomikë të përmendur më lart se ku janë. Ja dhe faktet përse vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor nuk shkojnë dot në BE, por duhet të jetë BE – ja që duhet të vijë te vendet e Ballkanit Perëndimor.

Premtimet e bëra gjatë viteve 2011 – 2017 ngjajnë me të thënien popullore: “Më ka çu tata me la gojën.”.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: