Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mund të anulojë konferencat e përditshme për shtyp, pasi zëdhënësit e tij janë kritikuar për dhënie të informacioneve të pasakta.
Trump dhe ekipi i tij i komunikimeve janë kritikuar pasi arsyet e dhëna për shkarkimin e drejtorit të FBI-së, James Comey, më 9 maj nga presidenti, kanë ndryshuar gjatë dy ditëve pasuese.
Trump shkroi të premten në Twitter se nuk mund të pritet që “surrogatët” e tij të japin “saktësi të përsosur”, transmeton REL.
“Si president shumë aktiv, me shumë gjëra duke ndodhur, nuk është e mundur për surrogatët e mi të qëndrojnë në podium me saktësi të përsosur”, tha Trump.
“Ndoshta gjëja më e mirë që mund të bëhet është të anulohen konferencat për shtyp në të ardhmen dhe të jepen përgjigje me shkrim për hir të saktësisë”, shtoi Trump.
Comey ka udhëhequr hetimet e FBI-së për lidhje të mundshme midis bashkëpunëtorëve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.
Administrata amerikane ka thënë se shkarkimi i tij nuk ka të bëjë me çështjen e Rusisë, por me keqmenaxhimin e një hetimi të FBI-së mbi emailet e kandidates demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton.