Home KRYESORE Përplasja/ Ç’mendojnë analistët për protestën e opozitës?

Përplasja/ Ç’mendojnë analistët për protestën e opozitës?

Nga Lapsi.al

Emrat më të njohur të analizës në vend kanë dhënë mendimet e tyre lidhur me protestën e djeshme të opozitës. Në editorial të shkruara apo në studio televizive ata janë përgjigjur për temat më të mëdha që ishin në diskutim: A ishte pjesmarrja në nivelin e pritshëm? A e dëmtoi frika e dhunës protestën? Cfarë prspective ka për PD-në pas saj?

Pjesmarrja

Sipas Carlo Bolinos që i ka kushtuar kësaj ngjarjeje një edidorial në “Shqiptarja.com”, kjo protestë ka shënuar mosaprovimin e politikave të Bashës dhe Berishës nga mbështetësit: “Shifra prej 600 mijë pjesëmarrësish, e përmendur fillimisht nga Sali Berisha dhe pastaj nga Basha vetë, thjesht është qesharake: Siç tregojnë pamjet e dronit .. në mënyrë të padiskutueshme se pjesamërrja ishte shumë herë më e paktë se ajo që arriti opozita tre muaj më parë. Në qoftë se qëllimi i protestës së 13 majit ishte ai që të tregonte nivelin e konsensusit ndaj opozitës pas tre muajsh proteste pa kompromis, përgjigja e dhënë nga populli ishte e qartë: Konsensusi për Bashën, Berishën dhe PD-në ka rënë në mënyrë drastike. Sipas vlerësimeve realiste, thirrjes për protestë këtë herë i janë përgjigjur, nga 7 mijë deri në 10 mijë vetë”. Këtë ide që e hodhën mediat e majta pa filluar ende mirë protesta, mbështet edheMero Baze. Në editorialin e tij tek Tema ai gjen edhe arsyen se pse ndodhi ky bojkot i militantëve. “Lulzim Basha arriti ta kthejë partinë e shesheve dhe protestave, në një “parti çadër” dhe ka gjymtuar shpirtin e protestës së saj. Edhe pse ka dhjetra arsye përse demokratët e braktisën protestën e Bashës, mendoj se kryesorja është faktori perëndimor. Thirrja zyrtare e Bashkimit Europian për shqiptarët që të votojnë më 18 qershor dhe shpjegimi se lidershipi i Partisë Demokratike nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje, tregoi se PD mbetet ende një parti me bërthamë të fortë perëndimore brenda saj dhe votuesit e saj, i bind më shumë thirrja e Perëndimit, se sa lideri i perënduar i tyre”.

Ndërsa Fatos Lubonja në një intervistë për NEWS 24 thekson se shumë njerëz u friksuan edhe nga propaganda se do të kishte dhunë. Megjithëatë ai thekson se ajo nuk e kaloi gardhin e PD-së: Do doja më shumë njerëz që të protestonin. Mendoj se përgjithësisht në sheshin që pamë, janë ende njerëzit që janë më shumë të lidhur me PD në një mënyrë apo një tjetër. Mendoj se ka një frustrim të madh nga ana e opozitës së do të bëjë gjëra të dhunshme e populli nuk shprehet dot… Nëse do kishte vërtet një zemërim popullor atje, situata do ishte ndryshe”. Ndërsa Blendi Fevziu ne editorialin e tij në“Opinion” e relativizon shumë debatin për pjesmarrjen: “Kur flitet për protestë popullore, nuk flitet për mbështetës që dalin në një miting sepse cdo parti e madhe i ka numrat e saj dhe mund ta organizojë gjithnjë një miting të tillë” thotë ai.

Por ndryshe nga ata që e relativizojnë dhe e nëvleftësojnë Argon Gjekmarkaj shprehet euforik për marshimin e 13 majit: “Si asnjëherë tjetër në historinë e 27 viteve liri, një masë e jashtëzakonshme qytetarësh u derdhën në Tiranë për të shpëtuar pluralizmin politik në vend. Nga “Kali i Skënderbeut” deri te pallati i Kryeministrisë gjeje Sarandën, Vlorën, Elbasanin, Lezhën, vetë Tiranën, Shkodrën, Tropojën, me një dendësi mbresëlënëse për një vend të vogël si i yni. Me shqisat e ngritura lart si para çdo rreziku, erdhën për të mbështetur opozitën dhe Lulzim Bashën në orën më dramatike të demokracisë”. Po në të njëjtat tone flet edhe Preç Zogaj i cili gjen edhe justifikimin për pamjet me bulevardin bosh që trasmetuan mediat pro qeverisë. “Një pjesë e bulevardit ka qenë me boshllëqe se ka qenë ora 11:30, por kur është kënduar himni ka pasur pjesëmarrje më të madhe se më 18 shkurt” ka thënë ai në ABC News.

Dhuna

Sipas Mero Bazes retorika e dhunës ishte një nga gjërat që luajti rrol në dështimin e protestës së opozitës “Një dështues i madh i protestës ishte padyshim dhe Sali Berisha me retorikën e dhunës. Shikoj se si disa gazetarë me të njëjtin lehtësi që disa ditë më pare i ngrinin kult dhunës, sot i ngrejnë paqes dhe bëjnë sikur askush nuk ka bërë thirrje për dhunë, duke e quajtur dhe lajm të gënjeshtërt atë që është shkruar.

Në fakt thirrje për dhunë kanë bërë gjithë gazetarët pro opozitës, në gjithë gazetat dhe portalet e tyre, dhe i kanë aty ende ta pafshira. Por kryemegafoni i dhunës ka qenë Sali Berisha. Deri dhjetë minuta para protestës, ai ka publikuar thirrje për dhunë dhe lajme idiote, se si është boshatisur qeveria nga frika, e si ja kanë mbathur policët… Retorika e dhunës ka qenë dhe arma e vetme që ai tentoi të përdorë deri para protestës dhe kur pa që njerëzit e braktisën, filloi t’i ngrejë kult paqes. Në fakt ajo nuk ishte paqe, por dështim me bisht në shalë, i një strategjie dhune, e njerëzve të patru, që mendojnë se hakërrimat e një plaku të rrjedhur trembin shqiptarët”. Por megjithëse hapur kundër protestës në këtë pikë Carlo Bolino mendon ndryshe nga Baze: “E vetmja gjë për të cilën Lulzim Basha nuk gënjeu, ishte vendimi për të bërë një protestë paqësore: imazhet e transmetuara nga Report TV, që tregojnë një kordon militantësh të PD të përqafuar njeri me tjetrin dhe të vendosur për “të mbrojtur” kordonin e policëve (të paarmatosur) të rreshtuar përpara Kryeministrisë, pikërisht për të shmangur përleshje, janë provë e asaj se, të paktën për këtë, Basha ishte i sinqertë”-shkruan ai.

 Ç’pritet më pas?

Sipas Blendi Fevziut një nga dështimet e protestës ishte se ajo i kthu njrëzit në shtëpi, pa i treguar se çdo të bëjnë më pas. “Paqartësia në politikë, është më vrastare se sa mediokriteti” shkruan Fevziu i cili vazhdon: “PD nuk i dha sot përgjigje pyetjes thelbësore, c’do bëj më tej!? Ajo duhet të qartësojë sa më parë qëndrimin dhe axhendën e saj, ciladoqoftë ajo, sepse nëse hyn në stinën e pushimeve pa një ide të qartë, rikthimi aty ku u la në Shtator do të jetë shumë më i vështirë. Ndaj lidershipi i saj duhet t’i përgjgjet pyetjes që e bëjnë sot, besoj të gjithë: c’do ndodhë më tej?”,

Por krejt ndryshe mendon Preç Zogaj. Për të nuk ka rëndësi se kur do të mblidhen përsëri militantët e opozitës apo çdo të bëjnë ata në shtator. Sipas tij ata e kanë të qartë atë që kërkojnë: Republikën e Re. “Ajo është diçka konkrete. Zgjedhja e presidentit nga populli, kandidatët nga populli dhe jo me lista, numërim elektronik etj. Këto elementë kërkojnë t’i japë popullit shqiptar sovranitetin që i është vjedhur. Populli sot është i përjashtuar. Nuk voton në asnjë referendum” ka thënë Zogaj për ABC. Idenë e paqartësisë që ngre Fevziu e hedh poshtë edhe Gjekmarkaj. Edhe për të demokratët e dinë se përse po luftojnë. Ai mbron idenë se PD po lufton në 2017 për të ruajtur pluralizmin, mission për të cilin lindi në 1990: “Qytetarët e kuptojnë atë që politikanët e Rilindjes refuzojnë ta kuptojnë, se gjymtimi i sistemit është gjymtim i lirisë, se gjymtimi i sistemit është një rrezik i madh për secilin prej tyre, për jetën e përditshme, aspiratat dhe ëndrrat. Pjesëmarrja kishte natyrë referendare dhe u shfaq si rezistencë ndaj shndërrimit nga qytetarë në numra, nga popull në fasadë” thotë ai. (Lapsi.al)

Share: