Pritshmëria se një i dërguar amerikan do ta zgjidhte brenda 48 orëve krizën e stërzgjatur politike në Shqipëri nuk rezultoi e vërtetë.
Propozime dhe ide u shkëmbyen mes zyrave të Ramës e Bashës gjatë dy ditëve, por mbrëmja e 16 majit nuk ishte fillimi i festës. Marrëveshje nuk pati, por vetëm negociata, ndonëse edhe ato në distancë. Çfarë duket se e dështoi një marrëveshje të mundshme, ishte data e zgjedhjeve dhe këmbëngulja e palës qeveritare për të mos e lëshuar 18 qershorin. Pas kësaj, e ardhmja duket e errët në sytë e opinionit publik, por, nëse beson që pas natës vjen mëngjesi, kriza nuk duket pa zgjidhje.
Palët janë futur në një linjë komunikimi dhe negociatat mund të rihapen me një çelës tjetër, tashmë të nevojshëm për taktikat e kampeve respektive. Kjo për disa arsye, që i bëjnë të gjithë fitues.
Së pari, demokratët korrën një fitore në sytë e ndërkombëtarëve, duke e pranuar paketën e zgjidhjes së krizës me emrin e vështirë “McAllister” dhe duke ia kaluar kryeministrit barrën e mospranimit. Në rast se, deri më 16 maj ishte opozita që thoshte “jo” thuajse për gjithçka, duke kërkuar vetëm “kokën e Ramës”, pas ndërhyrjes amerikane Partia Demokratike dhe aleatët pranuan t’i “hanë” Ramës trupin, por t’ia ruajnë kokën. Për t’i “ngrënë kokën” kanë premtuar edhe votimin e vetingut. Një seri lëvizjesh, që i mbush me shkëlqim sytë e diplomatëve, por ngrys ato të militantëve. Betejën me militantët, nëse mund të quhet e tillë, Lulzim Basha e ka fituar javë pas jave në çadër, duke u kthyer në liderin e tyre. Atë me ndërkombëtarët e ka pasur më të vështirë për shumë arsye. Por prej pranimit të paketës “McAllister”, edhe për diplomatët e kancelaritë e huaja, Basha nuk është më i frikësuari nga zgjedhjet dhe nga reforma në drejtësi, siç e quan Rama, por një politikan me të cilin mund të negociosh.
Së dyti, kryeministri Edi Rama duket se ka bërë më tepër një lëvizje taktike, duke e minimizuar ofertën për opozitën dhe duke mos u tërhequr nga 18 qershori. Historia e shkurtër e këtyre muajve të gjatë të krizës ka dëshmuar, se Edi Rama i beson më shumë taktikës, se sa aftësisë për ta përballuar lojën. Taktikisht, në fillim ai e minimizoi krizën, duke e klasifikuar si të Partisë Demokratike, taktikisht dha përshtypjen se ishte dakord me paketën “McAllister” në fund të prillit, edhe për shkak të raporteve brenda mazhorancës, po taktikisht minimizoi ofertën në tryezën e Presidentit të Republikës dhe me të njëjtën skemë veproi këtë fillimjavë, duke këmbëngulur te 18 qershori. Ai mund të japë përshtypjen, se është i gatshëm për lëshime, por jo përballë Partisë Demokratike. Ndaj 18 qershorin, shefi i qeverisë nuk mund t’ia jepte në tavolinë Lulzim Bashës, vetëm 36 orë përpara vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Me vendimin e tyre, gjykatësit e Apelit mund ta lënë 18 qershorin vetëm një ditë pushimi, por jo një ditë votimi. Duke u gozhduar te 18 qershori, Rama preferon që “shkulja” t’i vijë nga një vendim i Kolegjit Zgjedhor dhe jo si një tolerim ndaj politikanit që e kishte parashikuar një kockë më të butë se Sali Berisha.
Ndaj secila nga palët ka të vërtetat dhe arsyet e saj për të mos i quajtur dy ditë dështimi negociatat e dëshiruara nga amerikanët. Qëndrimet e palëve po afrohen, herë duke ngrënë gurët e kundërshtarit si në një lojë shahu, e herë duke bllofuar si në një lojë pokeri. Vetëm një skemë nuk e zgjidh këtë krizë.