Home KRYESORE DY FJALË PËR KISHËN E SHËNE PREMTES PRANË APOLONISË

DY FJALË PËR KISHËN E SHËNE PREMTES PRANË APOLONISË

Nga Ledi Shamku

Mësova se kjo kishë qenka në rrezik shembjeje. Banorët e cilësojnë si vend mrekullish.

Pë rmua mrekullia më e madhe është dëshmia e traditës së pakëputur që hija e kësaj kishe ka. Jemi komb me të dhëna të pakta historike e për pasojë shumëkush edhe ka luajtur si ka dashur me autoktoninë tonë, e sidomos në Jug të Shqipërisë në këto 3 shekujt e fundit.

Kjo kishë ruan një kapërcyell të çmuar të kalesës nga paganizmi në krishtërim. E ruan tradita vendase e venerimit të saj. Këto vlera kapërcyellore besimesh si gurë themeli për autoktoninë i patën kuptuar të parët fretnit françeskanë shqiptarë, ndaj edhe mblodhën me aq pasion folklor e mite pa u drashtë se po dëshmonin edhe përtej fesë. “Për fe e atme” – jo më kot besojma e tyre qe e tillë.

Po ju përshkruaj ç’thonë vjeljet e traditës për këtë kishë: Për çdo mot e për çdo Shëne Premte, rreth kësaj Kishe mblidhen burrat që ende nuk kanë mundur të bëhen prindër, pra s’kanë fëmijë. Shtrojnë përdhe këmishët e bardha të nuseve të tyre, hedhin mbi to gjarpërinj dhe i luten më pas Shëne Premtes që t’i bekojë sa më parë me foshnje.

Vëreni bashkërrojmen e dy kulteve: kulti i gjarpërit si simbol pagan i pjellorisë dhe kulti kristian i Shëna Premtes si mbrojtëse e nënave e sidomos shtatzanave (kult kristian i pjellorisë dhe vijimit të jetës, i njësuar jo rastësisht edhe në ditë me kultin e Shën Anës, nanës së Zojës).
Unë nuk e di çfarë ka në themelet e kësaj kishe, sigurisht kjo është punë arkeologësh, po nuk është çudi që nën të o atypari, me ç’dëshmon kjo traditë gojore, të flenë rrënojat e ndonjë tempulli pagan blatuar ndonjë hyjneshe të pjellorisë (me gjasë Prenda), së cilës i faleshin katragjyshat tanë. Fjalët dhe ritet e traditës sonë gojore na e dëshmojnë këtë dhe fjalët janë edhe më të qendrueshme se gurët. Madje shpesh fjalët janë kallauz për te gurët.

Ajo çka desha të them me këto radhë mund të thuhej në fakt edhe me një fjali: Kjo kishë nuk është thjesht një Monument Kulture; është një Monument Autoktonie! Për pasojë nuk është gjest antikulturor ta lesh të bjerë. Është gjest antikombëtar. Ju lutem si shqiptare, mbajeni në këmbë kishën e Shena Premtes pranë Apollonisë! Dhe ringjalleni!

 

po

Share: