Ekonomia e Shqipërisë dominohet nga ndërmarrjet mikro (shumë të vogla), të vogla dhe të mesme, ose të ashtuquajturat SME, sepse pjesa e tyre kundrejt PBB – së është mjaft e konsiderueshme dhe ato punësojnë një përqindje të madhe të punëmarrësve.
E keqja është se, SME – të në Shqipëri, janë koncentruar në tregun vendor dhe u mungon konkurrueshmëria e duhur për eksport ashtu sikundër përpiqen ta orientojnë shumë organizma bankarë ndërkombëtarë si, për shembull, BERZH.
Zhvillimi i SME – ve në Shqipëri ka rezultuar poshtë mesatares rajonale dhe sfidat kryesore të tyre mbeten ende: klima relativisht e varfër e investimit, zbatimi i varfër i legjislacionit, qeverisja e varfër e biznesve, mungesa e aftësive profesionale të menaxhimit dhe infrastruktura e dobët, të cilat përbëjnë pengesat madhore të zhvillimit të SME – ve.
Vlera më e madhe e shtuar sigurohet nga ndërmarrjet mikro në sektorin tregtar, afërsisht me atë të ndërmarrjeve të mesme në sektorin e ndërtimit, por ndërmarrjet mikro në mënyrë domethënëse, e kanë rritur vlerën e shtuar në ndërtim, ndërsa kanë bërë pak progres në sektorë tashmë me përqindje të larta të vlerës së shtuar të tilla si shërbimet.
Ndërmarrjet e vogla bënë më të mirën e tyre në tregti dhe ndërtim, por, nga viti në vit paraqitën, relativisht, një rritje ekonomike të ulët.
Ndërmarrjet e mesme e rritën vlerën e shtuar në transport dhe komunikacion, por nga viti në vit kanë pasur një performancë me hope të rritjes ekonomike në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve.
Koncentrimi më i madh i SME – ve është në Tiranë.
Më shumë se gjysma e SME – ve operojnë në koridorin Tiranë – Durrës, i cili është në ngritje si dhe një fushë potenciale e fuqishme ekonomike.
Rajone të tjera me prani të fortë të SME – ve janë qytetet e Korçës, Fierit dhe Vlorës, ndërsa pjesa tjetër e vendit, veçanërisht, ajo veriore ka një veprimtari të dobët biznesi.
Programet, që deri tani kanë qenë fokusuar në kryeqytet, tashmë, gjithnjë e më shumë, duhet të synojnë rajonet e tjera, veçanërisht, ato në thellësi të vendit, gjë që kërkon adaptimin e programeve sidomos në rajonet ku firmat përballen me pak konkurrencë, me një mjedis biznesi të zhvilluar pak dhe mungesën e forcës punëtore të kualifikuar.
Janë zinxhirët e vlerës ato që, gjërësisht, konsiderohen si motorri kryesor për rritjen e SME – ve në vendet në tranzicion, sepse ato mund t’u sigurojnë atyre të drejtën e hyrjes në tregje dhe teknologji, inkurajojnë lidhjet e biznesit, lehtësojnë rritjen e aftësive profesionale dhe krijojnë lidhje me kompanitë ndërkombëtare.
Megjithëatë, zinxhirët e vlerës nuk duhen parë si ilaç çudibërës për SME – të, pasi lidhjet me kompanitë e mëdha thyhen lehtësisht gjatë periudhave të rritjes së ngadaltë dhe tkurrjeve të tregut dhe, në përgjithësi, shpesh SME – të nuk janë në gjendje të integrohen në marrëdhënie me biznese shumë të mëdha, sepse u mungojnë standartet ndërkombëtare dhe kontrollet e cilësisë.
Në kushtet e tanishme, veçanërisht, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, 2017 kujdes të veçantë duhet t’i kushtohet rolit të zinxhirëve të vlerës në lidhje me promovimin e rritjes ekonomike, inovacioneve dhe investimeve ndërkufitare, si mjete për të shfrytëzuar në mënyrë efiçente kapacitetin ekzistues të SME – ve për të rinovuar rritjen ekonomike.
Me anë të integrimit të veprimtarive të tyre në zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit në fazat e ndryshme të vlerës së shtuar, SME – të e Shqipërisë mund të vjelin përfitime potenciale nga tregtia ndërkombëtare, sepse me rritjen e marrëveshjeve tregtare ndërmjet vendeve në rajon, zinxhirët e vlerës mund të marrin një përparësi shtesë në lidhje me afërsinë gjeografike të lidhjeve të SME – ve me kompanitë e mëdha të vendeve fqinjë, pasi distanca është një prej përcaktuesve më stabël të marrëdhënieve të suksesshme të zinxhirëve të vlerës.
Në këtë kuptim, marrëdhëniet blerës – furnizues, në zinxhirët e vlerës ndërkufitare, mund ta zevendësojnë tregtinë ndërkufitare të bazuar në transaksione të përcaktuara nga tregu, si rezultat i ndryshimit të kontekstit rajonal dhe ndërkombëtar dhe rolit rritës të zinxhirëve të vlerës në prodhim dhe tregti, gjë që sugjeron se shumica e rritjes potenciale të SME – ve duhet të integrohen në ose rreth sistemeve të prodhimit ndërkufitar.
Megjithëatë, përvoja e deritanishme tregon se zinxhirët e vlerës nuk kanë qenë një ilaç çudibërës në vetvete, së pari, sepse veprimtaritë e lidhura me zinxhirin e vlerave, në disa vende kanë lulëzuar gjatë periudhave të rritjes së shpejtë të tregut vendas dhe ndërkombëtar, por lidhjet me kompanitë e mëdha janë ndërprerë gjatë rritjes ekonomike të ngadaltë dhe tkurrjeve të tregut.
Sikundër shihet, shpesh, SME – të nuk janë në gjendje të integrohen në marrëdhënie me biznese shumë të mëdha, sepse u mungojnë standartet ndërkombëtare dhe kontrollet e cilësisë sepse pjesa më e madhe e këtyre ndërmarrjeve operojnë pa ndonjë lloj çertifikate, gjë që i pengon ato shumë në zhvillimin e lidhjeve me ndërmarrjet e mëdha.
Aftësia e tyre për të zhvilluar veprimtari tregtare vendase dhe ndërkombëtare me përmirësimin e standarteve të cilësisë nëpërmjet, për shembull, adoptimit të sistemit të menaxhimit të menjëhershëm, është i kufizuar dhe, shpesh, kërkon si adoptimin e praktikave më të mira të biznesit brenda firmave ashtu dhe mbështetjen nga burimet nga jashtë siç janë organizatat e biznesit, filialet e kompanive të mëdha dhe sektori publik.
Përvoja e disa vendeve tregon se si qendrat e shërbimit të zhvillimit të biznesit kanë arritur t’i fusin SME – të në kanalet e zinxhirëve të vlerës, nëpërmjet sigurimit të shërbimeve të tilla si trajnime për aftësitë profesionale dhe menaxhimin, konsulencë dhe shërbime këshilluese, ndihmë në marketing, të drejtë hyrjeje në informacion, zhvillimin e teknologjisë dhe transferimin e saj, si dhe promovimin e lidhjeve të biznesit.
Megjithëatë, financimi i këtyre shërbimeve ka qenë i vështirë për arsye se shumë biznese nuk ka qenë në gjendje, ose nuk kanë dashur t’i paguajnë këto shërbime, gjë që ka bërë të mundur që në pak vite këto qendra shërbimi të shkrihen, për më tepër kur nga këto qendra janë synuar ndërmarrjet e mesme që kanë qenë në gjendje të paguajnë, duke bërë të mundur kështu që pjesa më e madhe e SME – ve të mos përfitojë nga këto shërbime.
Si model i suksesshëm kanë rezultuar ato qendra shërbimesh që përdorin bashkimin e konsulentëve të biznesit tregtar dhe privat, ndihmën e institucioneve publike për të zhvilluar një sistem që i mbështet këto qendra me anë të kombinimit të lehtësimit të ndarjes së kostos me lehtësinë e garancisë së kreditimit.
Për të kapërcyer vështirësinë e rezistencës së biznesit të vogël për të paguar shërbimet, një pjesë e kostos merret nga huaja që u ofrohet bizneseve, hua që mbështeten nëpërmjet një garancie për kreditim që, në mënyrë të përzgjedhur, mbështet aplikimin e SME – ve në bankat tregtare; zakonisht si agjenci për garancinë shërbejnë kompanitë e sigurimeve.
Fokusi i SME – ve është zhvendosur nga zhvillimi i paradigmës që synon qoshet e tregut (nitche market) drejt anëtarësimit në rrjetin që operon në zinxhirët e vlerës.
Eksportuesit duhet t’i marrin vendimet e tyre pa kosto të panevojshme që shkaktohen dhe varen nga administrata publike dhe kjo kosto në vende si Shqipëria me institucione jo shumë të forta është e madhe dhe nuk përkon me prirjen që marrëdhëniet e eksportit nisin të vogla dhe rriten në qoftë se janë të suksesshme.
Për të rritur nivelin e marrëdhënieve të eksportuesve me kompanitë e mëdha jashtë vendit është më se i domosdoshëm organizimi i një paneli të veçantë ndërmjet administratës publike, eksportuesve, bankave dhe shoqërive të sigurimit, në të cilin të diskutohen përparësitë vendimtare, të vëzhguara nga eksportuesit në tregjet ndërkombëtarë, destinacioni i eksporteve të tyre, si dhe të dhënat përkatëse të dekadës së fundit, me qëllim që politikat t’u përshtaten interesave të vendit.
Këtu fushata zgjedhore mund ta kërkojë votën jo vetëm duke premtuar çfarë do të bëjë, por si do ta bëjë dhe si do t’i mbajë premtimet.
Le të dëgjohen mendime dhe diskutime përsa thuhet më lart në fushatë, nga ekonomistët “shumë të mirë” të të gjithë krahëve politikë, madje edhe të atyre që duan të hiqen si të tillë.
Sipas mendimit personal, tërheqja e mendimit të kategorive të ndryshme të biznesit (prodhim dhe/ose shërbim) nga qarqet politike paragjykohet.
Më shumë konsiderohen lidhjet individuale se sa ato që tregojnë interesin dhe qëllimin e fushës së veçantë të nj[ë kategorie biznesi.
Edhe pse ka pak kohë deri në 25 qershor 2017, kjo është sfida e kohës dhe jo sfida e “Bojaxhiut”.
Kasem Seferi – ekonomist