Nga Azem Parllaku
Të listuar si të parët e garës, përfaqësues të tre partive kryesore, PS, PD, LSI. Tre profile të ndryshëm që, garojnë të maksimalizojnë votat e kuksianëve, hasianëve e tropojanëve për siglën e subjektit politik, të cilit ata i përkasin.
Zona zgjedhore qarku Kukës do të përfaqësohet nga 3 deputetë në legjislaturën 2017-2021. Në ndërkohë Kukësi si qark, është ai me nivelin më të lartë të papunësisë, ku më shumë se gjysma e familjeve jetojnë me ndihmën e pamjaftueshme ekonomike. Referuar të dhënave të fundit të INSTAT-it, kupton që Kukësi përjeton eksodin e radhës, pas migrimit për një jetë të mirë me rënien e komunizmit, emigracioni masiv drejt Gjermanisë, Austrisë dhe Britanisë së Madhe, i vendos kuksianët në toplistën e azilkërkuesve nga Shqipëria në Perëndim.
Kukësi është i vetmi qark ku punësimi në sektorin privat ka rënë në masën 2%, dhe rrjedhimisht me nivelin më të ulët të prodhimit për frymë. INSTAT vëren se Kukësi jep vlerën më të ulët në prodhimin e brendshëm bruto të vendit, duke kontribuuar për vetëm 2.1% të totalit të prodhimit.
Po kështu, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kukësi është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë me 22.5% të popullsisë, nga 14.3% që është mesatarja e vendit. Qarku i Kukësit është portreti i rrënimit kombëtar nga Jugu në Veri. Kukësi e Hasi janë kryefjala e eksodit kombëtar, i cili kulmoi gjatë vitit 2015, ku shkak është dëshpërimi i thellë, kriza e gjithanshme që ka sjellë çdo fikje shprese. Mjafton të shkosh në çdo fshat, e të vëresh se shtëpi të tëra janë të mbyllura dhe në klasat fillore mund të ketë vetëm tre nxënës në klasë. Kukësi ka absolutisht njësitë administrative më të varfra në Shqipëri.
Nga 10 komunat më të varfra në vend, 7 prej tyre ndodhen në Kukës. Në Kukës sundon varfëria rurale dhe urbane, çfarë e justifikon ndoshta më së miri, pse dhe sesi varfëria e ka dëbuar popullsinë. Sot, varfëria për kuksianët është fati i hidhur dhe mënyrat për luftimin e saj, si dukuri, kanë dështuar për shkak të koncepteve të gabuara, vizioneve të paqarta, korrupsionit dhe shkaqeve tjera. Të gjendur përballë këtij realiteti, qytetarët e qarkut verilindor me 25 qershor, do t’u drejtohen kutive të votimit për të vendosur kush do të përfaqësojë zërin e tyre gjatë viteve 2017-2021.
Mimi Kodheli, doktore e shkencave ekonomike, e “importuar” elektorale politike nga Tirana, pas ikjes enigmatike nga qarku i Kukësit i kordinatorit të maparshëm socialist, Ilir Beqja. Në Kukës njihet si Ministre e Mbrojtjes, së fundmi siç ka pohuar ajo, është dhe tifoze e ekipit të futbollit të këtij qyteti. Shpreson se ka mbështetjen e votuesve të moshës së tretë, të personelit mësimdhënës dhe atij mjekësor. Në Has dhe në atë që konsiderohet si “Rrafshi i Lumës”, pretendon se gjen votuesit më të shumtë të saj.
Flamur Noka, i diplomuar si mjek, është fitues bindshëm në këtë qark në vitin 2013. Është kandidati që njeh më mirë se çdo rival problematikat e qytetarëve verilindorë. Krahas kësaj, Noka njihet ndryshe dhe si deputeti, që mban lidhje të forta me votuesit e tij. Mungesa e vëmendjes së qeverisë aktuale për qarkun e Kukësit, do të jetë një argument shtesë për kuksianin Noka nga Novosej. Votuesit e tij më së shumti i gjen në qytetet Kukës, e Bajram Curri, dhe në njësitë administrative Shishtavec, Topojan, Zapod, Bushtricë, Kalis, etj.
Selvi Beçaj, e diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin Juridik, njihet më shumë si, vajza e ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Të dy prindërit e saj janë nga Kukësi. Beçaj është bashkëshorte e djalit të biznesmenit tropojanan Kadri Ponari. Familja e Selvit dhe e Kastriotit është angazhuar prej vitesh në projekte infrastrukturore dhe filantropie në qarkun e Kukësit. Votuesit më të shumtë të saj, mendon se i ka në Tropojë, por edhe në qytetin e Kukësit.