Profesor, si e shihni situatën politike në hapësirat shqiptare në Ballkan?
Gjendja nuk është e mirë. askush nuk di të tregojë në janë shqiptarët ende në fazën e tranzicionit, apo e kanë tejkaluar atë. Midis partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, kemi një polarizim të skajshëm, si në asnjë vend tjetër të gadishullit. Udhëheqësit politikë më të lartë të Shqipërisë, si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës, deklarojnë se në Shqipëri, që nga viti 1991 deri më sot, nuk janë mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Politikanë të niveleve më të larta thonë se duhet të nisin të ndërtojnë shtet, apo këto dy vitet e fundit, për herë të parë që nga viti 1991, kanë filluar të bëjnë shtet. Nga kjo del se, këta farë politikanë që sillen dhe enden me vite në skenën politike, brenda një çerek shekulli nuk paskan vepruar për të bërë shtet.
Po në Kosovë, si qëndron puna?
Në të gjitha hapësirat shqiptare ka probleme të theksuara politike, ekonomike dhe sociale. Ka edhe papunësi të madhe. Tendenca, sidomos e të rinjve, për t’u shpërngulur për në vendet e Perëndimit, është tejet e madhe. Në anën tjetër, kemi krijimin e një shtrese oligarkësh, që në kurriz të popullit të varfëruar, janë pasuruar brenda natës.
Por, duhet shtuar se Kosova ndeshet edhe me rrezikun e synimeve ekspansioniste të Beogradit. Kosova nuk duhet të pranojë krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, as edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në dëm të vetin.
Si e vlerësoni situatën e shqiptarëve në Maqedoni?
Shqiptarët në Maqedoni, në vitin 1991 kishin një moment historik për ta zgjidhur atë që e quajmë kauzë kombëtare. Ky ishte momenti kur Maqedonia u shkëput nga amalgama jugosllave. Por, nuk ia dolën. Shqiptarët në atë kohë nuk kishin determinantë historikë as sociologjikë të mjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen kombëtare. Me fjalë të tjera, shqiptarët në atë kohë kishin potencial politik dhe intelektual të pamjaftueshëm. Si të tillë, nuk mund të ishin në nivel të imperativit të çastit historik.
Lufta e vitit 2001 po ashtu paraqet moment historik për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Zhvillimet që pasuan, dëshmuan qartas se çështja shqiptare në Maqedoni nuk u zgjidh drejt as pas 2001-shit. Faktori politik shqiptar nuk posedonte kapacitet të duhur për të qenë në krye të detyrës historike. Një shkrimtar i njohur thotë: Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur. Si pasojë, u shua si subjekt politik.
Partia e Prosperitetit Demokratik, ndonëse tetë vjet në pushtet, nuk arriti ta lëvizë çështjen. Çështjen s’e lëvizi sa duhet as Partia Demokratike Shqiptare, e cila dy herë ishte pjesë e qeverisjes – në vitet 1998-2002 dhe 2006-2008. Si e tillë, u katandis aty ku është sot. PPD-ja dhe PDSH-ja dolën nga skena politike pa lënë gjurmë në histori. Bashkimi Demokratik për Integrim ndërkaq, si parti e pasluftës së 2001-shit, u angazhua për të sjellë ndryshime në dobi të shqiptarëve. Përkundër arritjeve të caktuara, edhe ky subjekt politik nuk ia doli që të jetë në lartësinë e çastit historik. Platforma politike apo deklarata të cilën faktori politik shqiptar ia paraqiti Gruevskit, përkatësisht Zaevit, tregon qartas se kauza shqiptare në Maqedoni nuk qenka zgjidhur as pas luftës së 2001-shit, edhe pse partitë politike shqiptare vazhdimisht kanë qenë pjesë e ekzekutivit.
A mund të flitet në këtë mes për një përgjegjësi historike?
Gjithsesi. Si pasojë e dështimit politik, PPD-ja u shua si subjekt politik, PDSH-ja ndërkaq, erdhi buzë greminës. Por, përgjegjësia më e madhe i takon BDI-së, pikërisht për disa arsye:
– e para, BDI-ja identifikohej si parti e luftës;
– e dyta, BDI-ja rregullisht e ka fituar verdiktin e popullit, d.m.th. votëbesimin e qytetarëve;
– e treta, BDI-ja ka qeverisur më së shumti: që nga viti 2002 deri në vitin 2017, me një ndërprerje të shkurtër në vitet 2006-2008, kur PDSH-ja hyri në qeveri si humbëse.
Me fjalë të tjera, BDI-ja 14 vjet është pjesë e qeverisjes. Shqiptarët realizuan të drejta të caktuara vetëm në periudhën e viteve 2002-2005, periudhë kjo kur duhej të jetësohej Marrëveshja e Ohrit. Të jesh parti e luftës, t’i kesh pasur 19, përkatësisht 20 deputetë dhe të kesh qenë 14 vjet pjesë e qeverisë, e sot të dalësh me një deklaratë apo me një kërkesë për të drejtën e përdorimit të gjuhës, do të thotë të mos kesh qenë në lartësinë e çastit historik.
Si rrjedhojë e dështimit politik të BDI-së dolën në skenën politike edhe subjekte të reja, ndërsa mijëra shqiptarë të zhgënjyer u përcaktuan të votojnë për LSDM-në sllavo-maqedonase. Elektorati i BDI-së u përgjysmua.
Brenda këtij çerek shekulli, çështja shqiptare u përplas nga Skila në Haribdë, ndërsa kërkesat primordiale të shqiptarëve u shtruan në shtratin e Prokrustit.
Sidoqoftë, nuk duhet të jemi nihilistë dhe të themi se asgjë nuk është arritur. S’ka dyshim se ka pasur arritje të caktuara. Por, rezultatet e arritura janë në shpërpjesëtim frapant me energjitë e harxhuara të popullit dhe me pritshmëritë e tij.
Të mos harrojmë se disa të mira për shqiptarët i solli edhe koha, i solli edhe faktori politik ndërkombëtar influent, siç janë Uashingtoni dhe Brukseli.
Cili ka qenë roli i Tiranës gjatë periudhës së kaluar?
Kur është fjala për çështjen shqiptare në Maqedoni, qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina nuk kanë luajtur ndonjë rol të veçantë. Shqipëria, në konflikt me vetveten, nuk ka mundur të bëjë më shumë për shqiptarët në Maqedoni. Përveç kësaj, nuk duhet harruar se nuk jemi në kohën e të qenët Piemont. Sugjerimi i Tiranës dhe i Prishtinës për faktorin politik shqiptar në Maqedoni ka qenë: “Kërkesat tuaja zgjidhni me veprim politik dhe në rrugën demokratike në kuadër të institucioneve të sistemit, bëjuni faktor stabiliteti dhe jini konstruktivë, në funksion të paqes dhe të stabilitetit të Maqedonisë e të rajonit”. Ky farë sugjerimi, i përsëritur gjatë çdo krize në rajon, u shndërrua në një klishe banale dhe të pavlerë.
Si ndodhi kriza politike në Maqedini?
Krizën politike në Maqedoni e shkaktoi VMRO-ja dhe udhëheqja e saj, në krye me Nikolla Gruevskin. Kriza ishte pasojë:
– e ideologjisë nacional-romantike, anakronike, retrograde dhe antihistorike të VMRO-së;
– e politikës antishqiptare, antidemokratike, antiperëndimore dhe proruse të VMRO-së;
– e qeverisjes autoritare dhe autokratike të Gruevskit;
– e thellimit të konfliktit me vendet fqinje;
– e shtrembërimit të historisë, për të sajuar një komb të paqenë;
– e korrupsionit përmasash galaktike;
– e politikës populiste;
– e politizimit dhe e partizimit të skajshëm të institucioneve të sistemit.
VMRO-ja ka qenë dhe poqe se nuk do të reformohet, do të vazhdojë të jetë një parti skajshmërisht antishqiptare, BDI-ja ndërkaq, ka qenë partnere e saj 10-vjeçare e bashkëqeverisjes. Duke qenë se VMRO-ja është shkaktare e krizës politike, është e pamundur që ortaku dhe kompanjoni i saj – BDI-ja, të mbete e pafajshme. Është e pamundur që të bashkëpunosh e të bashkëveprosh me djallin, me Mefistofelin dhe të mbetesh i papërlyer, madje të hiqesh edhe engjëll.
Cili ishte roli i shqiptarëve në këtë krizë?
Pjesë e krizës së thellë politike, si partnere e bashkëqeverisjes, është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Ky subjekt politik, me VMRO-në e sipërthënë, ka bashkëqeverisur që nga viti 2008 deri më sot, d.m.th. gati një dekadë. Gjatë kësaj periudhe, BDI-ja asnjëherë:
– nuk shkaktoi krizë qeveritare;
– nuk u largua nga qeveria;
– nuk e prishi koalicionin me partnerin e qeverisjes;
– nuk i tërhoq deputetët nga Kuvendi i RM-së;
– nuk shkaktoi krizë politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim, duke qeverisur bashkë me VMRO-në gati një dekadë, është përgjegjëse e drejtpërdrejtë e krizës politike dhe një prej shkaktarëve të saj. Gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, BDI-ja ishte në pozitë inferiore. Disa nga ministrat e BDI-së, që nga viti 2008 e këndej, ishin vasalë të qeverisë së Gruevskit, ishin instrumente të memece në dobi të ideologjisë së VMRO-së. Dhe sot, në vend që BDI-ja të ishte në margjinat e politikës dhe të mbante përgjegjësi historike për atrofizimin e çështjes shqiptare, ajo, në saje të mungesës së një opozite politike shqiptare të mirëfilltë, vazhdon të jetë në skenë, madje si një faktor relevant.
Udhëheqës i lartë të BDI-së, njëherazi dhe funksionar i lartë i shtetit, boton artikuj kundër qeverisë, pjesë e së cilës është vetë partia e tij. Çfarë paradoksi!! Udhëheqës i lartë i BDI-së, njëherazi dhe pushtetar i nivelit më të lartë, del e deklaron sesi ndihet i lumtur, për arsye se sot – pas dhjetë vjet bashkëqeverisjeje me VMRO-në e Gruevskit – më në fund ia paskësh dalë të zërë anën e duhur, d.m.th. anën e Zaevit. A s’është vallë kjo, kulmi i hipokrizisë, i demagogjisë dhe i djallëzisë?!
Këta të BDI-së çohen e thonë sot se do ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit. Nga kjo rezulton se Marrëveshja e Ohrit e cila duhej të jetësohej qysh në vitin 2004, ende nuk qenkësh implementuar. Që atëherë kanë kaluar 13 vjet, e ajo paska mbetur pa u realizuar. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’ka bërë BDI-ja gjatë këtyre 13 viteve në qeveri, që s’e paska implementuar atë?!
Në periudhën e viteve 2008-2017, me BDI-në në qeveri, shqiptarët shënuan, jo vetëm ngecje, por edhe kthim prapa. Të rinjtë e kësaj periudhe mund të quhen The Lost Generation (brezi i humbur), i pashpresë, i gatshëm për t’u shpërngulur.
Ç’mund të thoni për dimensionin ekonomik të problemit?
Në periudhën për të cilën flasim, pjesët veriperëndimore të Maqedonisë të banuara me shqiptarë, shënojnë një ngecje ekonomike frikësuese dhe drithëruese. Në vend të zonave të lira ekonomike, nëpër qytezat shqiptare vërshuan kazinotë. Qytetet shqiptare u devitalizuan, pësuan erozion, u shndërruan në qyteza, kasaba dhe varosh. Të gjitha investimet kapitale u orientuan në pjesën lindore të Maqedonisë.
Cili ka qenë roli i inteligjencies shqiptare gjatë periudhës së kaluar?
Inteligjencia shqiptare në Maqedoni, aq sa mund të flitet për ekzistimin e saj në kuptimin e mirëfilltë, gjatë tërë periudhës së pluralizmit ka qenë kryesisht një inteligjencie në shërbim të partive politike, për interesa personalë meskinë. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një inteligjencie thellësisht oportuniste dhe konformiste, me qëndrime demagogjike, për të mos thënë, edhe me veprime poltronike.
Po roli i mediumeve gjatë kësaj periudhe?
Mediumet shqiptare në Maqedoni gjatë periudhës së pluralizmit politik dhe ideologjik, kanë qenë instrumente të verbëta të faktorit politik, d.m.th. të partive politike, të shtetit, të pushtetit dhe të qeverive. Kanë qenë në shërbim të politikës ditore dhe të qendrave të caktuara. Në Maqedoni nuk mund të flitet për mediume shqiptare profesionale, investiguese dhe të pavarura. Të pakta janë mediumet shqiptare që kanë një politikë redaktuese profesionale dhe të paanshme.
Ç’mund të thoni për rolin e analistëve politikë dhe të opinionbërësve?
Atë që thashë për mediumet, mutatis mutandis vlen edhe për të ashtuquajturit analistë politikë. Analistët politikë shqiptarë dhe të tillët që e marrin veten për krijues opinionesh, nuk janë veçse instrumente të verbëta të politikës ditore, për interesa personalë meskinë. Ata kanë qenë dhe janë marionetë në duart e partive politike, e sidomos të atyre në pushtet, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë shërbëtorë të shtetit dhe të qendrave nga më të ndryshmet. Pjesa më e madhe e këtyre farë analistëve politikë që për çdo ditë i ke në televizor, janë të zhveshur nga çdo ideologji kombëtare shqiptare. Madje midis tyre ka edhe të tillë që zotimin rreth idesë kombëtare e konsiderojnë anakronizëm. Progresive për ta është multikultura si dhe koncepti qytetar i ndërtimit të shtetit, ani pse me dominimin e plotë sllavo-maqedonas dhe sllavo-bizantin.
Çfarë analisti politik mund të jetë një person i cili ka qenë 2-3 mandate deputet dhe gjatë qëndrimit në parlament, çështjen shqiptare s’e ka lëvizur nga vendi, ndërsa sot del në debate dhe tregon se ç’duhet bërë. Çfarë debatuesi apo analisti mund të jetë një ministër apo zëvendëskryeministër shqiptar i cili del e tregon sesi duhet punuar, ndërsa kur vetë ai ka qenë organin ekzekutiv, për shqiptarët ka bërë shumë pak, për të mos thënë fare.
Përgjegjës për mosrealizimin e kërkesave të shqiptarëve apo për zvarritjen pafund të tyre, nuk është vetëm faktori politik por edhe inteligjencia oportuniste, mediumet e kontrolluara si dhe analistët mercenarë.
Si e shihni VMRO-në sot e tutje?
Për të shpëtuar nga honi ku është katandisur, VMR)-ja duhet të riorganizohet dhe të reformohet, duhet të heqë dorë nga ideologjia e vjetruar e nacional-romantizmitdhe të orientohet qartas për integrim në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake të Perëndimit, d.m.th. në BE dhe në organizmin transtlantik.
Si i shihni partitë politike shqiptare sot?
Në momentin e pikërishëm, faktori politik shqiptar është totalisht i dekonsoliduar. BDI-ja, prej 19 deputetëve, përkatësisht prej 20 sish, ra në dhjetë, d.m.th. u përgjysmua. Opozita politike shqiptare ndërkaq, ka një ndikim të kufizuar dhe të parëndësishëm. Me fjalë të tjera, shqiptarët në Maqedoni sot, nuk kanë as shumicë parlamentare të mirëfilltë, as edhe opozitë të njëmendët.
Faktori shqiptar në Maqedoni nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë më shumë se dy parti politike. Opozitës së deridjeshme shqiptare i duhej dhe i duhet edhe sot – të bashkohet dhe ky bashkim duhet të bëhet mbi bazën e ideologjisë kombëtare, të vlerave perëndimore dhe të orientimit euroatlantik. Me fjalë të tjera, Lëvizja BESA, LR-PDSH-ja, RDK-ja, PDSH-ja dhe Uniteti duhet të krijojnë subjekt politik unik, si mundësi e vetme për të krijuar një baraspeshë ndaj BDI-së. Vice versa BDI-ja – meqë është në pushtet – ka gjasa ta rikthejë shtrirjen e vet dhe ndikimin e dikurshëm.
Ç’mund të thoni për qeverinë e Zaevit?
Qeveria e Zaevit do të jetë shumëfish më e mirë se qeveritë e deritanishme të koalicionit VMRO – BDI. Në aspektin ekonomik dhe social, pritet të jetë më mirë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për arsye se paratë e shtetit dhe të tatimpaguesve nuk do të shkojnë më për ndërtimin e përmendoreve pa kokë apo të Shkupit 2014.
Cilat çështje duhet të jenë prioritete të qeverisë së Zaevit, e që kanë të bëjnë me interesin shqiptar?
– t’i plotësojë për një, të gjitha kërkesat e faktorit politik shqiptar të paraqitura në formën e një platforme apo të një deklarate politike;
– të përfshijë në historinë e Republikës së Maqedonisë, luftën e 2001-shit, si luftë e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të mbështetur nga populli shqiptar;
– të zgjidhë statusin e dëshmorëve të luftës së 2001-shit – ushtarë të UÇK-së;
– të zgjidhë statusin e invalidëve të luftës së 2001-shit, që luftuan në radhët e UÇK-së;
– t’u krijojë rrethana normale organeve të drejtësisë, në mënyrë që nga burgjet sllavo-maqedonase të lirohen të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë;
– t’u mundësohet organeve të gjyqësisë që t’i rishqyrtojnë drejt dhe në mënyrë objektive, rastet si: i Sopotit, i Brodecit, i Monstrës, në mënyrë që shqiptarët e dënuar në këto procese të montuara, të lirohen sa më pare, ndërsa të dënuarve të pafajshëm t’u paguhet dëmshpërblim;
– të zbardhet tragjedia e Kumanovës, ndërsa individët e pafajshëm të lirohen sa më parë.
Po në aspektin ekonomik ç’do të duhej të bënte Zaevi?
Qeveria e re, investimet kapitale do të duhej t’i orientonte në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, me qëllim të revitalizimit të saj.
Po cilat janë mundësitë e integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO?
Qeveria e re, e përbërë nga BDI-ja, nga Aleanca për Shqiptarët si dhe nga LSDM-ja e kanë si detyrë mbi detyra që brenda këtij mandati ta integrojnë Maqedoninë në strukturat transatlantike. Hyrja e Maqedonisë nën ombrellën e NATO-s dhe të BE-së, është kryeinteres i shqiptarëve, por edhe i sllavo-maqedonasve. Kjo do të ngjallte shpresë, do t’i çelte rinisë së këtij vendi perspektiva të reja dhe do të parandalonte penetrimin e Rusisë në gadishull. Po qe se Maqedonia nuk mund të hyjë në BE as me shkurtesën IRJM, atëherë, për ta ndërruar emrin e shtetit, duhet të arrihet një konsenzus në tërë spektrin politik të këtij vendi, përfshi edhe VMRO-në. Konsenzusi i spektrit politik do të lehtësonte mbase edhe organizimin e një referendumi
Cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve sot?
Gjatë dy viteve të krizës politike në Maqedoni, qëllimi parësor i qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes ka qenë tejkalimi i krizës, zgjidhja e saj dhe stabilizimi i shtetit. Me fjalë të tjera, kërkesat e shqiptarëve nuk janë preokupim parësor i tyre. Ata i thonë faktorit shqiptar që të hyjë në sistem dhe kërkesat që kanë të bëjnë me interesin shqiptar, t’i artikulojnë në kuadër të institucioneve të sistemit. Këtë e kanë kërkuar prej shqiptarëve gjatë tërë periudhës së pluralizmit, pra që nga viti 1991 e këndej.
Ç’mund të veçoni si arritje më të madhe të shqiptarëve gjatë periudhës së kaluar të veprimit politik?
Krijimin e vargut të komunave me shumicë shqiptare që nga Struga deri në Likovë si dhe themelimin dhe zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës.
Po nga qeverisja e Gruevskit?
Njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila sot njihet nga 114 shtete të botës.
Ç’do të ndodhë me statusin politik të shqiptarëve?
Koncepti i LSDM-së së “reformuar” është ai i krijimit të shtetit qytetar. Ky koncept mbi shtetin është i dëmshëm për shqiptarët dhe si i tillë, duhet të hedhet poshtë, të refuzohet. Koncepti i shoqërisë multietnike dhe multikulturore, nuk është gjë tjetër pos njëfarë imitimi i vëllazërim-bashkimit të Josip Broz Titos. Maqedonia mund të ekzistojë si vend stabil dhe demokratik, vetëm si shtet dyetnik, shqiptaro-sllavomaqedonas.
Shqiptarët duhet të jenë trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë, pikërisht mbi bazën e tre argumenteve:
– argumentit historik, që nënkupton faktin se shqiptarët në këto troje, d.m.th. në veriperëndim të këtij vendi, janë popull autokton;
– argumentit të bashkëkohësisë, që nënkupton faktin se shqiptarët në Maqedoni paraqesin potencial demografik, social, intelektual, politik, ekonomik, prodhues dhe mbrojtës;
– argumentit hipotetik, që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni, midis konfliktit dhe paqes, janë përcaktuar për paqe dhe stabilitet.
Pothuajse të gjitha kërkesat e përfshira në platformën apo në deklaratën politike të faktorit politik shqiptar, parashikohen edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Me rëndësi është që ajo, d.m.th. Marrëveshja e Ohrit të rikthehet në interpretimin autentik të saj dhe jo në interpretimin e shtrembëruar dhe të njëanshëm.
INTERVISTËN PËR TETOVA NEWS E ZHVILLOI ENVER NEZIRI, më 02.06.2017