Home KRYESORE Ja sa vota u duhen partive për të marrë një mandat deputeti

Ja sa vota u duhen partive për të marrë një mandat deputeti

Për herë të parë në më shumë se 2 dekada partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje garojnë si subjekte elektorale më vete. Gara si subjekte më vete, nga ana tjetër, është edhe sprovë për të gjitha forcat politike për të kapur numrin e duhur të votave, që më pas ato të përkthehen në mandate deputetësh.

Për të nxjerrë numrin e duhur të votave që i duhet një subjekti politik që të ketë deputet, në analizë merret numri i zgjedhësve për çdo qark si dhe numri i mandateve që ka kjo zonë, shkruan Javanews.

Referuar KQZ në zgjedhjet e vitit 2013, në votimet në qarkun e Tiranës morën pjesë 457.653 zgjedhës. Duke qenë se në Tiranë janë 34 mandate, mbi bazën e përllogaritjeve, një forcë politike duhet të marrë minimalisht 13.465 vota që të prodhojë një mandat deputeti. Ndërsa në Elbasan ku ka 175.845 zgjedhës dhe 14 mandate deputetësh, një force politike i duhen minimalisht 12.564 vota që të ketë një deputet.

Sa i përket qarkut të Fierit, që ka 16 mandate dhe 205.301 zgjedhës sipas votimeve të 2013-s, për një mandat deputeti duhen minimalisht 12.831 vota. Edhe Shkodra hyn në qarqet e rëndësishme sa i përket numrit të mandateve për deputet me gjithsej 11. Sipas KQZ-së, në vitin 2013 morën pjesë në votim 123.715 zgjedhës. Një forcë politike duhet të sigurojë minimalisht 11.247 vota që të mund të çojë një deputet në Kuvend.

Ndërsa në Durrës minimalisht duhen 11.220 vota. Për të marrë një deputet në Korçë, një subjekt politik duhet të sigurojë 13.287 vota, kurse në Vlorë ku garon edhe kryeministri Edi Rama, për të marrë një mandate nevojiten minimalisht 10.181 vota. Sipas të dhënave të KQZ-së në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e 2013 morën pjesë në votim 92.822 zgjedhës. Për të marrë një mandat, një forcë politike duhet të marrë 13.260 vota.

Nga qarku i Gjirokastrës dalin 5 deputetë. Në zgjedhjet e 2013 morën pjesë në votim 60.210 zgjedhës. Një deputeti i duhen minimalisht 12.000 vota që të zbresë i lehtësuar drejt Tiranës, kurse në Dibër, një deputeti i duhet të sigurojë minimalisht 12.667 vota që të sigurojë mandatin. Për të marrë një mandat deputeti në Kukës, duhen minimalisht 15.813 vota. Kjo është mesatarja më e lartë e numrit të votave që duhen për një mandat deputeti në shkallë vendi. Në Qarkun Lezhë në zgjedhjet e 2013-s votuan 81.769 zgjedhës. Mbi bazën e përllogaritjeve një deputeti i duhet të sigurojë 11.681 vota që të shkojë në Kuvend./lapsi.al

Share: