Nga Klodian Tomori
Partia Demokratike paraqiti sot para grupeve të biznesit paketën fiskale hije. E vetëcilësuar si revolucion fiskal, oferta e opozitës konsiston në dy shtylla kryesore; rikthimin e taksës së sheshtë në nivelin 9% dhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 20% në 15%. E para ishte një lëvizje e pritshme, e madje e lajmëruar që më parë nga Lulëzim Basha. Fundja taksa e sheshtë, përveçse një lëvizje në linjë me ideologjinë politike të së djathtës, do të nënkuptonte rikthimin e një eksperience për shumëkënd pozitive në aspektin e administrimit fiskal. Dhe kjo pa ndonjë rrezik evident për stabilitetin e financave publike, pasi totali i të ardhurave që mblidhen nga tatimi mbi fitimin në buxhet është më pak se 1.6 për qind e Prodhimit Kombëtar.
Por teksa argumenti logjik duket i fortë për rikthimin e taksës së sheshtë, të paktën nga këndvështrimi i opozitës, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për propozimin e dytë. Premtimi për uljen e tvsh-së në nivelin 15 për qind është një tundim i pastër populist, me element të fortë të papërgjegjshmërisë fiskale. Tatimi mbi vlerën e shtuar është taksa më e rëndësishme për buxhetin duke dhënë mbi 34 për qind të totalit të të ardhurave që mbledh qeveria. Me pak fjalë, TVSH është kollona qëndrore që mban në këmbë sistemin tatimor shqiptar. Çdo lojë më të mund të ketë reperkursione të padëshirueshme për ekonominë dhe qëndrueshmërinë financiare të vendit.
Nga ana tjetër, përtej implikimeve buxhetore, është e provuar se taksat mbi konsumin janë ato më pak deformueset në treg dhe më pak të dëmshmet për rritjen ekonomike. Ndryshe nga taksat mbi fitimin, të cilat etiketohen si taksat që godasin më fortë rritjen ekonomike. Në këtë kuptim, nëse duhet të ketë një ofertë fiskale, bën më shumë sens që lehtësirat të targetojnë ato taksa të cilat kanë pasojat më të mëdha negative për ekonominë, dhe që rrjedhimisht japin stimulin më të fortë. Pra, më shumë nga propozimi i parë dhe më pak nga ai i dyti. Prandaj ja ku është një propozim tjetër: hiqeni tatim-fitmin, reduktoni tatimin mbi të ardhurat personale dhe mos e prekni TVSH-në.
Mund të duket absurde, por në kontekstin ekonomik heqja e taksave mbi aktivitetet që krijojnë mirëqënie është veprimi më racional dhe llogjik i mundshëm. Tatimi mbi të ardhurat personale ndëshkon punën dhe subvencionon dembelizmin. Ndërsa tatimi mbi fitmin dekurajon formimin e kapitalit, krijon një perceptim negativ në ambientin e biznesit dhe ushqen evazionin. Kostot që kjo taksë i ngarkon ekonomisë janë dukshëm më të larta se sa kontributi anemik që ajo jep në buxhetin e shtetit. Dhe në ekonomi, një veprim që ka më shumë kosto se sa përfitime, është jo racional.
Nga ana tjetër tatimi mbi fitimin është një taksë që ngrihet mbi themelet e hipokrizisë. Pavarësisht dëshirës për të taksuar korporatat, ato janë më shumë mbledhës taksash se sa pagues të tyre. Në finale, ata që e mbajnë barrën e tatimit mbi fitimin janë individët, qofshin këta aksionerët e kompanisë, punonjësit e saj përmes rrogave më të ulëta apo klientët përmes çmimeve më të larta. Pasi të jetë pranuar se bizneset janë thjeshtë entitete që shërbejnë si agjentë tatimor, është më e lehtë që sistemi të fokusohet drejtëpërdrejtë tek njerëzit.
Një literaturë e gjerë, por edhe eksperienca e gati 5 shekujve sugjeron se baza më e drejtë dhe e ndershme për taksimin e individëve është konsumi i tyre. Një taksë e gjerë mbi konsumin, në rastin tonë tatimi mbi vlerën e shtuar, i kërkon takspaguesve të kontribojnë për buxhetin sipas sasisë së të mirave dhe shërbimeve që ata konsumojnë. Si e tillë, barra tatimore nën një taksë konsumi është indiferente ndaj burimit të të ardhurave dhe kjo është shumë e rëndësishme në drejtim të administrimit fiskal.
Disa me të drejtë mund të shqetësohen se një taksë e sheshtë konsumi në nivele relativisht të larta si tvsh-ja në masën 20%, bie më lehtë mbi të pasurit dhe godet me fort të varfrit. Por ka rrugë të tjera për të adresuar këto shqetësime. Një mundësi është mbajtja e tatimit mbi të ardhurat personale për ata që kanë një nivel të lartë të ardhurash. Ndërsa një tjetër do të ishte përdorimi i disa të ardhurave që mblidhen nga taksat e konsumit si kompesim fiks për të varfrit.
Në konteksion e rritjes së pabarazisë heqja e tatimit mbi fitimin e korporatave mund të duket një vetvrasje elektorale. Por praktikisht ky është veprimi me racional dhe ekonomikisht më i leverdishëm. Imagjinoni një Shqipëri me tatim fitimi zero. Investitorëve të huaj nuk do u vinte keq aspak. Dhe e gjitha kjo vetëm për një kosto sa 1.6 për qind e PBB-së. Pra më shumë nga propozimi i parë PLEASE.